Tirana feston 105 vjetorin e pavarësisë, Veliaj: I shërbejmë për ta çuar akoma më përpara

26 Nëntor 2017, 10:12Sociale TEMA

Tirana përkujtoi sot 105 vjetorin e ngritjes së flamurit, ditë kur patriotët Refik dhe Hamit Toptani, iu bashkuan arkitektit të pavarësisë së Shqipërisë, Ismail Qemalit në projektin që do sillte lindjen e shtetit shqiptar.

Në sheshin para selisë së sotme të Kuvendit të Shqipërisë, aty ku 105 vite më parë burra dhe gra patriote tiranase ngritën flamurin tonë kombëtar, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nënkryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi, prefektja, Suzana Jahollari, kreu i Këshillit të Qarkut, Aldrin Dalipi, përfaqësues të komuniteteve fetare, veteranë lufte dhe qytetarë të Tiranës, vendosën kurora me lule në monumentin që simbolizon këtë moment historik për qytetin.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka uruar gjithë qytetarët e Tiranës për festën e pavarësisë së qytetit, duke theksuar se ky akt i atdhetarëve tiranas 105 vite më parë tregoi se Tirana ka qenë gjithmonë një qytet pararojë.

“Në këtë ditë të bukur gëzuar festën e pavarësisë së Tiranës. Tirana gjithmonë ka qenë avangard. Me sa duket kjo qenka shkruar në histori. Tirana ka shpallur pavarësinë dy ditë përpara pavarësisë së Shqipërisë edhe për faktin që ishin zonat ende të pa pushtuara dhe të parrethuara nga armiqtë, zona e Elbasanit, zona e Tiranës, ndërkohë që armiqtë po i afroheshin Krujës e pastaj Durrësit e më pas Vlora”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Ai u shpreh se ditë të tilla duhet të shërbejnë për të kuptuar se, ashtu si patriotë të qytetit të Tiranës 105 vite më parë morën përsipër të shpallnin pavarësinë e Tiranës, ashtu edhe sot qytetarë të saj duhet të shërbejnë për ta çuar Tiranën akoma më përpara në betejat e tjera me të cilat përballet sot njerëzimi, siç është varfëria.

“Unë besoj që sot thirrja është të vazhdojë të jetë në avant – garde, edhe për pavarësi të tjera, për pavarësinë nga varfëria, nga injoranca dhe besoj që Tirana do të vijojë të jetë kryeqytet jo vetëm i Shqipërisë por edhe i gjithë shqiptarëve. Sapo u kthyem nga Brukseli ku kanë filluar përgatitjet për festën e Pavarësisë dhe më vjen mirë që kauza shqiptare sot është me fortë se kurrë dhe të gjitha burojnë nga energjia e Tiranës . Nëse kemi një kryeqytet që vazhdon me punë, një  kryeqytet që vazhdon me entuziazëm, që vazhdon me optimizëm, kjo reflektohet kudo”, shtoi Veliaj.

Kreu i qarkut Tiranë Aldrin Dalipi theksoi se kjo datë do të duhet të jetë një mësim për gjithë brezat që ne t’i kujtojmë ata dhe t’i vlerësojmë.

“U urojmë gjithë qytetarëve festën e flamurit. Është një ditë e shënuar që na kujton që ky qytet në themelet e tij ka punën, pasionin forcën dhe kurajon e atyre burrave të cilët në datë 26 nëntor të 1912-s ngritën flamurin në Tiranë dhe iu bashkuan Ismail Qemalit në Vlorë, madje dhe në qeverinë e tij. Kjo do të duhet të jetë një mësim për gjithë brezat që ne t’i kujtojmë ata dhe t’i vlerësojmë. Tirana është ngritur mbi sakrificën, përkushtimin, mirësinë dhe fisnikërinë”, deklaroi Dalipi.

Prefektja e Tiranës, Suzana Jahollari, vlerësoi sakrificat dhe vizionin e atyre të cilët kanë kontribuar për pavarësinë e Tiranës, ndërsa theksuan se Tirana mbetet pikë referimi për gjithë kombin. “Ne kujtojmë me nderim dhe përkulje burrat e Tiranës të cilët patën guximin, kurajon dhe vizionin që të parashikojnë të ardhmen. Sot Tirana është e bukur, sot Tirana jonë mbetet dhe do mbetet për gjithë kombin pikë referimi për t’u bërë më mirë”, tha Jahollari.  

2 komente në “Tirana feston 105 vjetorin e pavarësisë, Veliaj: I shërbejmë për ta çuar akoma më përpara”

  1. Tironci says:

    O legena politikane,
    perse nuk shkruani e thoni te verteten.
    Ai flamur qe u ngrit ne Tirone , doli nga teqja e saj, dhe u ngrit atje ku sot eshte komuniteti mysliman, bile edhe ne kohen e dulles atje ka qene nje pllakate per kete.
    Punen e kesaj ngritje e organizuan patriotet e Tirones me ne krye Sheh Ahmet Pazarin, Xhemal Pazarin, Refik Toptani Nikolla Nishku etj., ndersa Fjalimin e ngritjes se Flamurit e ka mbajtur Xhemal Pazari pas lejes qe i dha Refik Toptani se edhe ky vete kishte marre te drejten nga Kryetari i komisionit Sheh Ahmet Pazari.
    O legena politikane qe beni akoma edhe sot politiken e dulles, krijoi ngritjen e flamurit ne 28.nendor ne Vlore qe labet ti binin gjoksit e ti sillte ne Tirone se po te vinte vetem e dinte se cfare e gjente. Ismail Qemali nuk ngriti Flamur, por krijoi shtetin e pare Shqiptar dhe ishte kryeministri i pare Shqiptar pas asaj marreveshjes me Greqine per tokat Shqiptare atje. Camet e dine fare mire se e provuan ne kurriz te tyre.
    Vlora nuk u clirua nga luftetaret e Ismalit por ngaqe turqit e serbet nxituan ti sillnin forcat qe kishin ne Shqiperi drejt Tiranes per te shtypur pavaresine qe u shpall ne 26 nendor ne Tirane.
    Do ishte shume e nevojshme per brezat qe do vine , qe historianet shqiptare ta Shkruajne Historine e Shqiperise sic eshte, te shkruajne te verteten e jo te vazhdoje ky bastardim i saj. Ka akoma dokumenta e prova per kete, bile edhe Fotografi te asaj kohe, dhe Kryetari i bashkise se Tirones , apo Edua e dine se ku jane se kane shkuar atje per vizite, por sja mban bytha te thone te verteten se humbasin karriken.
    Rrofte Shqiperia, Rrofte Tirona e zemres tone. Je mo e mira ne bote.

  2. Ne brezi i vjeter i tironsave jemi krenar qe Flamuri i Pavarsise u ngrit per here te pare ne Tirone !Urime per 105 vjetorin e Pavaresise !

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje