Dënimi hipokrit i një krimi të prezumuar

28 Nëntor 2017, 09:04Politika TEMA

Nga Skënder Minxhozi

Mediat shkruajnë gjerësisht orët e fundit, për një vendim të Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda, e cila ka lënë në burg gjyqtarin Shkëlqim Miri. Nëse do të besonim informacionin zyrtar, ai ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, për shkak të një tumori në kokë. Miri akuzohet se ka marrë ryshfet, një pjesë e të cilit (340 milion lekë), i janë gjetur në shtëpi.

Ndodh gjithmonë kështu. Pa e krahasuar shumën e madhe të parave për të cilat akuzohet gjyqtari, me fakirët e tjerë që vjedhin energjinë apo tentojnë t’i japin një bakshish qesharak policit të trafikut, vlen të komentohet fakti që në shoqërinë tonë egziston e fortë dhe mbretëruese kulturë e mosndëshkimit të thuajse askujt. Me përjashtim të ndonjë shembulli, si ky i gjyqtarit në fjalë, i cili kthehet në monumentin që e godasin të gjithë me gurë. Janë me dhjetra shembujt kur zyrtarë të kalibrit të vogël apo mjekë, gjyqtarë etj, akuzohen se kanë marrë shuma qesharake nën dorë dhe emrat e tyre vihen në “listën e pushkatimit”.

E gjitha kjo shfaqje hipokrite, kthen në simbole të korrupsionit dhe shkeljes së ligjit persona shpesh krejt të panjohur, të cilët marrin automatikisht mbi vete të gjitha gjynahet e palara të të gjithë kategorisë së tyre. Gjyqtarët, mjekët, doganierët e kështu me rradhë. Që të bëjmë paktin e fjalës, autori i këtyre rreshtave ka harxhuar shumë kohë dhe energji këto vite për të shkruar dhe folur në favor të reformës në drejtësi. Një përmbysje si kjo, është e vetmja rrugë për të dalë nga qerthulli i përjetshëm i pandëshkueshmërisë dhe korrupsionit në këtë vend.

Por kur motivet dhe qëllimi i një reforme degëzohen dhe keqpërdoren në raste si ky i gjyqtarit Miri, ku shkelja e ligjit plekset me sëmundjen e rëndë, apo tek akuzat me pak qindra mijë lekë, siç ndodh me mjekë apo zyrtarë të tjerë të dorës së tretë, gjithçka merr trajtën e një abuzimi dhe falsiteti. T’u biem disave, që të japim përshtypjen sikur po bëjmë diçka!

Të gjithë duhen dënuar. Por ama duhet dënim, jo teatër. Penalizim, jo ballo me maska që luhet me disa, e jo me të tjerë. Gjyqtari në fjalë pretendon se ka një tumor në kokë. Në të shumtën e rasteve ky është një dënim me vdekje, nga ato që nuk i japin gjykatat, por natyra ose Perëndia, siç thonë besimtarët. Është kjo një diagnozë që e bën relative situatën ku ndodhet sot Miri, duke bërë të mbizotërojë etika mbi hetimet ndaj tij.

Është etikisht e papranueshme që një i sëmurë me tumor në kokë (natyrisht nëse vërtetë vuan nga kjo diagnozë, duhet verifikuar në mënyrë rigoroze kjo gjë!), për më tepër i prezumuar si i pafajshëm deri në gjykimin e tij, të mbahet me kokëfortësi në burg. Ndërsa qindra të tjerë ku e ku më fajtorë se ai, me të cilët është marrë media dhe politika me vite, të zhgërryhen në milionat e vëna me hajdutllëk dhe zhvatje. Është e papranueshme nga pikëpamja e humanizmit, që një i sëmurë me një diagnozë që shpesh t’i shkurton në mënyrë drastike vitet e jetës, të trajtohet si një person i shëndoshë, që duhet të përballet me një proces gjyqësor.

Nëse ky vend bëhet më i mirë duke mbajtur në burg një të sëmurë rëndë, që s’ka marrë ende dënimin nga gjykata, atëhere ndodhemi përballë një farse, jo një procesi pastrues. Reforma në drejtësi duhet të nisë nga peshat e rënda. Peshqit e mëdhenj, siç kanë dëshirë t’i quajnë të huajt. Krijimi i “antiheronjve” falsë e dëmton, më shumë sesa e ndihmon reformën në drejtësi. Gjyqtari Miri duhet dënuar nëse gjendet fajtor, por deri në atë ditë një shoqëri civile dhe demokratike gjen mënyrën të jetë humane dhe etike përballë sëmundjes dhe fundit eventual të jetës.(Javanews.al)

4 komente në “Dënimi hipokrit i një krimi të prezumuar”

  1. Mirjana says:

    Skender, ceshte e verteta ti je burre i mire e ben mire qe i del ne mbrojtje ketyre Pisave ose me mire ketyre Hajduteve mjeshtra,jane mjeshtra se vjedhun ne te gjitha menyrat qe sta mer mendja. Po sjan 340 mije leke ooooo shoku, jane 340milione, pse te duken pake ty? Po pse duhet ti fshinte ke rrobat e ciliminjve,kur i kishte per semundjen shum mire ti fuste ne Banke e i perdorte kur ti duheshin, e qe te mos zgjatemi, te tere keta nje Mut jane o Skender djali, e populli thote qe, Kali qe kapet e shi lemen. Megjithate te shkuara Mirit, po ka dhe doktor atje ku eshte, e ku duhet te shkoje nqs nuk i ka hallall, se me djersen e ballit i ka fituar ne fakt, eshte keputur ne bythe.

  2. astrit says:

    Ke te drejte z. Minxhozi. Per akuzat ndaj Lulezim Bashes qe ka paguar lobiste amerikane me para te pista, prokuroria ben sikur nuk degjon nga veshi i majte, por vetem nga i djathti.

  3. i larguari says:

    Bota e qyteteruar ka ligje dhe I zbaton ato me llogjike e korrectesi fanatike prandaj deh ecen prepara. Kur nuk paraqet rrezik per shoqerine dhe ke bere nje krime ekonomike (korrupsion qe ka te beje me para) nuk ka nevoje te mbash dike ne burg derisa ai te denohet. Pse nuk u futen ne burg Mediu, Basha e te tjere jur u akuzuan per vjedhje? Nuk e kam idene fare se kush eshte ky “gjyqetar” dhe jam plotesisht I bundur qe ai (si te gjithe te tjeret) ka rrjepeur fukarenjte dhe kriminelet per te marre vendime te padrejta, dhe natyrisht meriton denimin sipas ligjit (edhe nqs eshte I semure – ka spitale edhe ne burg), por mos e denoni para se te marret vendimi dhe pa u shpallur fajtor.
    Nqs e gjukon ndonje I gjyqetar I ngjajshem mund edhe ti paguni demshpreblim (sepse ndoshta del I pajashem …. hahahahah).

  4. lavdosh says:

    shume e sakte. Kjo tregon se ne si shoqeri nuk jemi aspak humane, njerezore ne sjellje tona. Shume pak nga ne jane 100% te paster dhe puritane. Por kur vjen puna te sulmojme te tjeret jemi te paret. Jemi inkuzitore e pashoq ne sojin tone

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje