Mbi qenin që ulërin, kalin e ngordhur, servilët dhe operat: dhjetë ngacmime anekdotike

30 Dhjetor 2017, 11:16Lifestyle TEMA

Çfarë ka ai qen që ulërin?

Shkoi njëri tek berberi për t’u rruar. Duke qenë se berberi ishte një person jo fort i përgjegjshëm për veprimet dhe punën e tij, e kishte lënë pa e mprehur briskun. Duke e rruar berberi klientin me atë brisk, atij po i digjte lëkura shumë, por i vinte zor të ankohej. Ndërkaq, ky dëgjon një qen duke ulëritur në rrugë. Atëherë klienti foli dhe tha:

– Çfarë ka ai qen që ulërin, ore? A mos po e rruajnë edhe atë, si mua?

Mburraveci

Një burrë po i mburrej njëherë së shoqes:

– M’u qep filani sot, më ra në qafë; po dhe unë ama, ia ndreqa qejfin. I kam dhënë një të rrahur, moj grua, ç’të të them! Unë bam, ai bababam!

– Mirë e paske rrahur, a të rrafshin valët e detit! – ia priti e shoqja.

Kusari

– O baba, zura një kusar! – i thirri i biri.

– Bjere lart!

– E bie, por s’vjen!

– Po lëshoje dreqin.

– E lëshoj, po s’më lëshon!

Ngordhja e kalit

Një bej i vrazhdë e kishte pikë të dobët kalin e vet dhe kishte urdhëruar:

– Kush të më thotë se ngordhi kali, do ta vras!

Një ditë prej ditësh kali i beut ngordhi. Askush nga fshatarët nuk guxonte t’i jepte beut lajmin e keq. Atëherë u ngrit një zyrtar tullac dhe i vajti zotërisë për vizitë. Ky e pyeti:

– Si është kali?

– Shëndoshë e mirë, patkonjtë i ktheu nga dielli.

– Si? Ngordhi?

– Vrit veten tani be, – i tha tullaci, – se vetë e the që kali ngordhi.

Ai që rreh, e rrahin!

Kafazi i Pukëvilit, konsullit frëng në Janinë, kishte rrahur një ditë një njeri të Ali Pashës, i cili pa humbur kohë thirri njerëzit e tij për të rrahur mirë e mirë kafazin. Kur Pukëvili protestoi me zemërim për rrahjen e kafazit të tij, Ali Pasha iu përgjigj:

– Nuk të shkojnë këto, Pukëvil; ai që rreh, e rrahin!

(Kafaz: nëpunës në shërbim të konsullit ose të një përfaqësie diplomatike; roja personale e konsullit ose e një zyrtari të lartë).

Mocarti dhe opera

Dikur një i ri, pyeti Mocartin se si shkruhej opera.

– Je shumë i ri, – ju përgjigj kompozitori i madh, – fillo nga baladat…

– Po ju ishit 10 vjeç, kur filluat të shkruanit opera.

– Ke të drejtë, – i tha Mocarti, – po unë nuk pyeta si shkruheshin operat.

Koha për të lexuar

Balzakut po i binte në qafë një parlamentar që i jepte çdo ditë faqe për të lexuar.

– Dëgjo, – i tha Balzaku një ditë. – Ti ke prirje, por duhet të lexosh.

– E, çfarë përfitimi do të kem nga leximi? – e pyeti ai me naivitet.

– Duke lexuar më shumë, do të të mbesë më pak kohë për të shkruar, – i tha Balzaku.

Servili

Aristofani, komediografi i madh i Greqisë së Lashtë, kishte inat servilët. Një ditë njërit bashkëbisedues që po i miratonte çdo fjalë e po i bënte shumë qejfin, i tha:

– Ju lutem, më kundërshtoni një herë, që të kem përshtypjen se jemi dy veta që bisedojmë.

Këta qenkan shumë!

Një fshatari i dolën kusarët natën në rrugë për ta plaçkitur. Ky u tremb, por shpejt mblodhi veten dhe thirri me të madhe:

– Ti Sulo, rri mos fol!

– Ti Ndue, zër atë shteg!

– Ti Patriot, mos bëj fjalë!

– Ti Trimosh, gri e korr!

– Ju të tjerët, ejani pas meje!

– Bobo! – thanë kusarët. – Këta qenkan shumë! O burra, të ikin, se na zunë të gjallë.

Pirati para perandorit

– Unë jam pirati! – i tha një pirat Napoleonit.

– Si kështu? – pyeti Napoleoni.

– Jam pirat sepse kam vetëm një anije. Po të kisha më shumë, do të isha edhe unë perandor.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje