Islanda është cilësuar prej kohësh si vend model përsa i përket respektimit të të drejtave të grave dhe barazisë gjinore.
Por 1 janari i këtij viti ka sjellë në fuqi një ligj të ri, që i çon në një nivel tjetër të drejtat e grave.
I miratuar në mars të vitit 2017 me konsensusin e dy partive më të mëdha të maxhorancës dhe opozitës, ky ligj imponon barazinë absolute të pagave mes punonjësve femra dhe meshkuj në kompani apo institucione që kanë më shumë se 25 punonjës.
Zbatimi i këtij ligji i takon qeverisë së re, një koalicion i gjerë mes qendrës së majtë dhe asaj të djathtë, që drejton vendin prej nëntorit të vitit të kaluar.
Ligji është i pari në botë që imponon barazinë në paga, por edhe në kontribute, çka e bën të rëndësishëm për demokracinë e vendit me barazinë gjinore më të madhe në të gjithë planetin.
Me një femër që drejton qeverinë dhe 50% të Parlamentit femra, Islanda është një vend me rritje të fortë ekonomike.
Hyrja në fuqi e këtij ligji u hap rrugën kontrolleve sistematike në kompanitë private dhe institucione. Mosrespektimi i barazisë gjinore, nëse konstatohet, do të ndëshkohet me gjoba të rënda.
Islanda ka aplikuar një sërë ligjesh që mbrojnë të drejtat e grave, ligje të cilat janë cilësuar nga OKB-ja si shembull për t’u ndjekur.
Një ligj i miratuar disa vite më parë i detyron kompanitë të kenë 40% femra të organet drejtuese. Një tjetër ligj i miratuar në vitin 2006 garanton pagesën e plotë për 9 muaj pas lindjes, ndërsa lejen mund ta shfrytëzojnë edhe meshkujt.
Një tjetër ligj që ka hyrë në zbatim është ai i ndalimit të prostitucionit dhe shfaqjeve degraduese për femrat, si striptizmi. Ky ligj rëndon mbi punëdhënësit, tutorët dhe klientët, ndërsa femrat e përfshira në aktivitete si prostitucioni apo striptizmi konsiderohen viktima.
Përgatiti: Gazmira Sokoli -TemA TV