Në fund-javë me dhjetra të rinjë aventurierë të borës dhe lartësive ngjiten në Llogara dhe më tej drejt lartësive me borë të Malit të Cikës.
Mali i Çikës ndodhet në Bregun e Detit, midis Jonit në perëndim dhe luginës së Shushicës në lindje, me majat më të larta të Çikës (2040 m) e të Qorres (2018 m).
Shpati perëndimor i tij është tepër i thepisur deri sa zbret në formën e një shkallareje në detin Jon, duke formuar Rivierën e Himarës, pjesa më piktoreske e gjithë Rivierës Shqiptare.
Shpati lindor është më i butë dhe bie mbi luginën e Shushicës. Format e relievit të sotëm janë shumë të ashpra, me maja të mprehta, shpate me gremina e rrëpira shumë të thella.
Pikërisht kjo faqe e tij shfrytëzohet për ngjitje alpinistike dhe rrëshqitje në borë.
E gjithë Llogaraja është një perlë e turizmit shqiptarë dhe ndodhet rreth 40 km në jug-lindje të Vlorës, në kufirin midis Adriatikut dhe detit Jon. Parku shkon nga lartësia 470 m në lartësinë 2018 m.
Pranë Qafës së Llogarasë ka shumë pemë dhe forma interesante kurorë si rezultat i baticave dhe erës së fortë. Një shembull i këtyre rrymave atmosferike është dhe “Pisha Flamur”, një monument i rrallë i natyrës me vlera shkencore dhe turistike.
Parku i Llogarasë ka një rëndësi të madhe si një destinacion turistik dhe shërben si një urë tranziti për të dy llojet e turizmit, atë bregdetar dhe atë malor.

Ai ka potencial të madh për zhvillimin e eko-turizmit, sportet e ajrit, ekskursionet dhe udhëtimet.
Ky është një vend klimatik, sepse këtu përzihen të dyja klimat, malore dhe detare e freskët. Për tifozët sportivë ky park ofron mundësi akomodimi në hotele luksi.
Sezoni i turizmit dimëror, ose turizmi i bardhë, është në mesin e tij dhe ky park i veçantë po shfrytëzohet maksimalisht nga të rinjtë dhe aventurierët e borës e të lartësive sidomos në fund-javë.
Të rinjë nga Vlora,Himara dhe nga qytete të tjera të vendit,ngjiten në Llogara për të gjetur aventurën por edhe peizazhin e veçantë të bregut dhe të malit.(ATSH)
Shum mire ideja e promovimit te bukurive te Shqiperise…por do ishte me interesant sikur informacionin ta kishit me te sakte per grupin dhe ndoshta cikesinin se kush e beri..Gjithsesi me vjen mire …suksese