Nga Eljo Hysko – kryetar i FRESSH
Në radhë të parë dua t’i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së Arielës, edhe pse e di se gjithë fjalët e kësaj bote u bëfshin bashkë, përsëri nuk mund ta zbusin kurrë dhimbjen e tyre.
Vrasja e Ariela Muratit sot është një akt i cili ka shkundur secilin prej nesh, një akt i cili më bind edhe njëherë se në Shqipëri shekujt e kohërat bashkëjetojnë e nuk kanë ndjekur rrjedhën. Në vendin tonë shumë njerëz jetojnë në të tashmen, ia kanë dalë të emancipohen, të besojnë në barazinë midis njerëzve, tek liria e tjetrit dhe toleranca kundrejt atij që është ndryshe. Këta janë shqiptarët që kanë një mendje të hapur, të ngjashëm me moshatarët e tyre kudo në perëndim e më gjerë, që përcmojnë dhunën e nënshtrimin.
Por ka të tjerë që ende mbartin sjelljen e një shoqërie të mbyllur, e një mentaliteti të vjetër ku shoqëria ishte më e rëndësishme se individi. Ka ende sot në Shqipëri vajza që martohen me shkuesi, ndonjëherë pa arritur ende moshën madhore, prindër të cilët i ndalojnë të shkollohen apo të kenë një jetë të lirë në shoqëri, ka të ‘’dashuruar’’ që nga xhelozia mezi i lejojnë të marrin frymë partnerët e tyre dhe ende burra që gratë e tyre i izolojnë në shtëpi. Shpeshherë ky mentalitet ka prodhuar vrasës si ai i sotmi që ligësisht, nën justifikimin e pasionit, vrau sepse ajo nuk e pranoi, nuk mundi ta kishte, nuk bëri si donte ai.
Beteja sot në Shqipëri, përpos sfidës ekonomike për mirëqenie është kryesisht betejë kulturore, sfidë për emancipim, përpjekje e vazhdueshme për të ndërtuar një shoqëri liberale, të barabartë e të drejtë. Sot çdonjëri nga ne që trishtohet nga ky krim i shëmtuar nuk duhet të mjaftohet me një mesazh në rrjete sociale, me një nxjerrje mllefi e dufi që me të drejtë na kaplon. Ne sot duhet të reflektojmë dhe të kuptojmë si mund të minimizojmë e pse jo zhdukim nga vendi ynë këtë mentalitet të vjetër.
Nësë njohim dikë që ka këtë mentalitet, duhet të përpiqëmi ta ndryshojmë, nëse njohim dikë në klasë, punë, lagje a në shoqërinë tonë që vuan si pasojë e këtij mentaliteti duhet ta ndihmojmë, të përpiqemi ta nxjerrim nga ai kurth i së shkuarës, nëse njohim dikë që është aq i ‘’fortë’’ sa mund të dhunojë, duhet ta denoncojmë. Nuk do të jetë e lehtë, nuk do ia dalim gjithmonë, por nëse e kthejmë të gjithë në sfidën tonë, çdo ditë nga pak mund të ndalim vrasësin e radhës nga kryerja e një krimi, mund të shpëtojmë një jetë ndoshta pa e kuptuar. Shoqëria jonë duhet, e kam besim se mundet të kurojë këto plagë brenda saj. Fuqia e dashurisë së vërtetë, asaj për jetën e lirinë do të triumfojnë gjithnjë mbi dhunën, mbi ligësinë e mbi shtypësit.
Edukimi familjar. …edukimi shkollor. …edukimi qytetar. …=me ate qe quhet KULTURE. …..gjynah vajza. ….edhe mua ne rini me kane refuzuar mbi 20 vajza. …duhet ti vrisja? Dhe jam I kenaqur nga jata familjare. ….qe kur moren armet 97. ..nga lugati berish. ..u bene trima njerezit. …
Mendoj se shkruesi sheh endrra me sy hapur. Ai mentalitet i vjeter nuk ekziston vetem ne Shqiperi, por ne cdo shtet te botes, perfshire me te zhvilluarit. Pergjithesisht influencohet nga diferencat ne gjeografi dhe limitimet ekonomike qe ka cdo zone, gje qe i kushtezon te krijojne dhe mbajne gjalle tradita dhe kode te caktuara sjelljesh. Ketu behej fjale per nje skenar fshatrash qe u zbraz ne qytet, dhe ndonese ndryshoi ambjenti, nuk ndryshoi modeli mendor, te pakten jo tek djali. Ne cdo fshat te botes ka mentalitete te tilla, dhe shume njerez qe transferohen nga zona rurale ne urbane i kane keto probleme, por qe te mendosh se do ndryshoje ndonjehere kjo dinamike eshte tamam enderr me sy hapur. Per me teper qe ka segmente te caktuara ne shoqeri, si fetare, biznese apo politike, qe promovojne mentalitetet e vjetra. Madje kane edhe burimet e duhura per te sponsorizuar vazhdimisht ato forma mendimi, sidomos neper zona rurale. Ne qofte se doni ndryshim, ndryshimi nuk vjen vetem nga keshilla apo ndihma sporadike qe mund t’i jape shoku shokut. Ndryshimi madhor vjen nga fokusimi tek rrenjet qe ushqejne mentalitetin e vjeter. Gje qe s’eshte aspak e lehte, madje eshte aq e veshtire sa e ben optimizmin e shkruesit te ngjaje si komedi. Kur nuk ja doli diktatura, do ja dilka liberalizmi.