Studioja e themeluar nga Harvey Weinstein dhe i vëllai, Robert, janë nën akuzën e shtetit të Nju-Jorkut për mosmbrojtjen e vartëseve nga ngacmimet seksuale dhe kërcënimet e producentit.
Akuza është ngritur katër muaj pasi shpërtheu skandali që përfshiu Weinstein.
Sipas prokurorëve, “Weinstein Company” ka shkelur ligjet e Nju-Jorkut duke mos mbrojtur vartësit nga ngacmimet seksuale, intimidimi dhe diskriminimi.
Njoftimi për akuzën e ngritur në emër të shtetit ka një objektiv të qartë. Ai synon të ngrijë procedurat për shitjen e kompanisë, e cila ishte parashikuar të finalizohej sot.
Qëllimi është që kompania të mos kalojë te një pronar i ri pa u rënë dakord për dëmshpërblimin e viktimave të abuzimit seksual.
Ndërkohë, Sindikata e Aktorëve (SAG) dhe Federata e Artistëve të TV dhe Radio-s (AFTRA) kanë përpiluar një kod të sjelljes për abuzimet seksuale, që udhëzon punonjësit si të sillen në rast se dikush përpiqet të abuzojë. (TemA TV)