Avokati i Trump-it: Aktoren porno e pagova me paratë e mia

14 Shkurt 2018, 20:01Lifestyle TEMA

Michael Cohen, avokati personal i Donald Trump prej shumë vitesh, tha dje se i ka paguar personalisht aktores së pornos, Stormy Daniels, 130 mijë dollarë. Pagesa është bërë në bazë të marrëveshjes me aktoren për të mos folur me mediat para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.

Cohen theksoi në një deklaratë se as “Organizata Trump dhe as fushata e tij presidenciale nuk kanë pasur rol në transaksionin financiar” dhe shtoi se ai vetë nuk është rimbursuar për këtë pagesë në mënyrë direkte apo indirekte.

“Jam këshilltar ligjor i zotit Trump prej shumë kohësh dhe i kam shërbyer për më shumë se një dekadë.

Në një transaksion financiar në vitin 2016, kam përdorur paratë e mia për të bërë të mundur pagesën prej 130 mijë dollarësh për llogari të zonjës Stephanie Clifford”, tha Cohen.

Deklarata e Cohen u shpërnda fillimisht në “New York Times”.

Muajin e kaluar, “Wall Street Journal” botoi e para lajmin se Clifford, e cila njihet në ekranin me drita të kuqe si Stormy Daniels, ishte paguar para zgjedhjeve presidenciale në kuadër të një marrëveshjeje që e ndalonte atë të bënte publike një lidhje të shkurtër me Donald Trump para se ai të bëhej president.

Historia bëri menjëherë xhiron e botës, ndërsa të shumtë ishin ata që akuzuan se kjo pagesë ishte bërë me paratë e fushatës.

Përgatiti: Gazmira Sokoli

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje