Shumë e njohin si valixhja e zezë që shoqëron presidentin amerikan në çdo udhëtim jashtë Shtëpisë së Bardhë.
Ajo mban kodet e raketave bërthamore dhe mbahet zakonisht nga një punonjës i posaçëm i sigurisë që shoqëron presidentin kudo.
Por gjatë vizitës së fundit të Trump-it në Kinë, në nëntor, ka ndodhur një incident që është bërë i ditur vetëm pak ditë më parë.
Më 9 nëntor, Donald Trump dhe e shoqja, Melania, me ftesë të presidentit Xi Jingping dhe zonës së tij, janë pritur në Sallën e Madhe të Popullit në sheshin Tienanmen.
Trump dhe “Zonja e Parë” kanë kaluar përpara, por zyrtari i sigurisë që mbante valixhen është ndaluar te detektori i metalit.
Trump ka vijuar përpara pa e vënë re këtë fakt.
Në atë moment, një tjetër zyrtar amerikan është futur brenda dhe ka lajmëruar gjeneralin Kelly, shefi i kabinetit të Shtëpisë së Bardhë.
Ai është kthyer mbrapsht dhe i ka urdhëruar njerëzit e tij të vazhdojnë përpara.
Njëri prej policëve kinezë e kap nga krahu Kelly-n, ndërsa ky i kthehet me një të shtyrë.
Ndërsa një tjetër agjent amerikan e shtrin atë përtokë.
Grupi amerikan bën përpara dhe arrin presidentin dhe “Zonjën e Parë”.
Faqja që ka botuar këtë episod thotë se e ka konfirmuar nga pesë burime të ndryshme.
Sipas tyre, në asnjë rast, valixhja nuk ka rënë në duart e kinezëve, të cilët kanë kërkuar falje për keqkuptimin.
Vetë gjenerali Kelly është kujdesur që askush nga pala amerikane të mos e përhapë atë që ngjau në Kinë.
Pas publikimit të lajmit, Shërbimet Sekrete Amerikane e hodhën poshtë si të pavërtetë.
Përgatiti: Gazmira Sokoli