Më 4 mars votuesit në Zvicër do të deklarohen në referendum nëse do t’i hiqet financimi radiotelevizionit publik SRG. Sipas anketave shumica është kundër kësaj nisme të qarqeve neoliberale.
Pas një jave, më 4 mars, në Zvicër do të votohet për nismën e radhës që nga shumëkush në Europë konsiderohet e çuditshme.
Votuesit do të deklarohen në referendum nëse do t’i hiqet financimi radiotelevizionit publik SRG. Pranimi i kësaj iniciative do të kishte pasoja të rënda: radiotelevizioni publik SRG do të mbyllej apo do të reduktohej në minimum.
Deri në 6000 njerëz do të humbnin vendet e punës. Zvicra do të ishte vendi i parë në Europën perëndimore pa radiotelevizion publik. Aktualisht çdo amvisëri në Zvicër paguan 451 franga në vit për radiotelevizionin publik.
Pas iniciativës qëndrojnë qarqe neoliberale, të cilat refuzojnë të paguajnë «mediat shtetërore», siç quhen me përbuzje dhe padrejtësisht mediat publike nën kulmin e SRG-së.
Aktualisht buxheti i SRG-së është 1,37 miliardë franga, në të ardhmen pritet të reduktohet në 1,2 miliardë franga – nëse nisma dështon në referendum.
Sipas anketave kjo edh do të ndodhë për shkak se gjithnjë e më shumë zviceranë mendojnë se mbyllja e mediumeve publike do të ishte një hap tejet radikal.
Po ashtu ekziston frika se nëse mbyllet radiotelevizioni publik biznesmenë me ambicie politike si popullisti djathtist Christoph Blocher do të depërtojnë edhe në fushën e mediave elektronike.
Blocher tashmë është (bashkë)pronar i gazetës «Basler Zeitung» dhe disa gazetave lokale.
Radiotelevizioni zviceran luan një rol unifikues për vendin multikulturor e multigjuhësor mes Gjenevës dhe Zürichut.
Edhe shumica e mediave private janë kundër mbylljes së mediumeve publike, por kërkojnë që të ketë rregulla të qarta sa i përket pranisë së SRG-së në internet.
Për shembull SRG nuk guxon të publikojë reklama në webfaqet e saj dhe lajme nëse këto nuk janë të shoqëruara me përmbajtje tonike apo vizuele të programit. (dp)