Qytetin e Korçës e ka mbuluar bora dhe ekipi e ka të vështirë të stërvitet në kushte të tilla atmosferike.
Për këtë arsye është vendosur që Skënderbeu të zhvendoset drejt Durrësit, shtëpisë së tij të dytë, ku përgatit zakonisht ndeshjet në transfertë.
Përpara është një ndeshje shumë e vështirë, transferta e Kukësit, ndërkohë që trajneri Ilir Daja është ende në merak për lojtarët e prekur ditët e fundit nga viroza. Dje nuk janë stërvitur Lilaj dhe Muzaka, ndërsa Vila ka punuar vetëm 20 minuta.
E sigurt është që edhe në Kukës korçarët do të kenë mungesa, por ndoshta jo aq sa me Partizanin. Radas është i skualifikuar dhe u shtohet mungesave të ditura tashmë, Jashanicës dhe Takut.
Sot pasdite Skënderbeu do të zhvillojë seancën e radhës në Durrës, ku do të shihet nëse lojtarët me probleme shëndetësore do t’ia dalin apo jo.
Trajneri Daja pret t’i kthehet mesfushori Lilaj, i cili ishte tri ditë në regjim shtrati dhe ende nuk e ka kaluar gjendjen virale.