Trajneri i Luftëtarit, Hasan Lika, ka folur pas fitores së arritur në transfertë përballë skuadrës së Flamurtarit.
Tekniku i bluzinjve u shfaq i kënaqur pas këtij suksesi të rëndësishem duke u shprehur se ekipi e kishte përgatitur në maksimum këtë ndeshje ku u ndihmuan dhe nga mungesat e kundërshtarit.
“E kemi përgatitur si një ndeshje të fortë dhe ia dolëm mbanë. Kemi kontrolluar pjesën më të madhe të lojës. Duhej të ishim më të qetë gjatë lojës. Sot përfituam nga mungesat që kishte Flamurtari dhe i shfrytëzuam. Nuk mendoj se ky ekip është për kampion.
Luftëtari ka pasur probleme dhe tashmë disa gjëra janë rregulluar. Tashmë besojnë më tepër dhe japin maksimumin. Edhe kur luanim mirë e nuk fitonim kishim besim se do dilnim nga zona e ftohtë.
Nuk mund të shprehë gëzim hapur pasi kam respekt për kundërshtarin. Jam i gëzuar, por kam edhe disa pretendime për lojën dhe duhet të jemi të përqendruar për ndeshjet e rradhës. Kur luajmë në shtëpi kemi tension dhe humbim shumë raste. Duhet të jemi më të kujdesshëm para portës ashtu siç ndodhi sonte ku ishim të qetë dhe ia dolëm të shënonim.
Ramadani sakrifikoi sot për ekipin, pasi luajti i dëmtuar dhe duhet ti falenderoj të gjithë pasi nuk fiton individi, por skuadra. Objektivat nuk kanë ndryshuar, duhet të punojmë fort pasi duam të kalojmë çdo ndeshje me sukses”, u shpreh Hasan Lika.
Ndërsa trajneri i Flamurtarit, Shpëtim Duro deklaroi:
“E kisha parashikuar një ndeshje të vështirë, pasi kishim përballë një ekip që luan shumë mirë jashtë fushe. Nëse do të kishim shënuar gjithçka do të ishte ndryshe, rrjedha do të ndryshonte komplet. Patëm shumë vështirësi, për shumë faktorë.
Në pjesën e dytë, pati dhe një erë të fortë që i lehtësoi punën kundërshtarit dhe na i vështirësoi ne. Të gjitha ndeshjet janë të vështira. Në këto momente kemi shumë vështirësi. Ky është momenti më i keq i joni, pasi kemi shumë lojtarë të dëmtuar dhe shumë lojtarë me kartona. Pollozhani ishte një ndër lojtarët më të mirë në qëndër të mbrojtjes.
Kemi bërë shumë spostime. Nuk ishte formacioni që ne luajmë gjithmonë. Në pjesën e parë po të kishim shënuar gjithçka do ishte ndryshe. Ishte erë shumë e fortë në pjesën e dytë, nuk krijoje dot aksione”, deklaroi Duro.