Presidenti amerikan, Donald Trump shprehu vullnetin e tij për të marrë masa më të mëdha penguese kundër importimeve të çelikut dhe aluminit, ku më shumë preket Kina dhe Kanadaja.
Për momentin, data e shpalljes së këtyre vendimeve mbetet ende e panjohur.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se produktet e çelikut përballen me një tarifë prej 25%, me 10% për mallrat e aluminit.
SHBA importon katër herë më shumë çelik sesa eksporton, dhe mbështetet në çelik nga më shumë se 100 vende.
“Industritë tona të çelikut dhe aluminit janë shkatërruar nga dekada tregti e pandershme dhe një politikë shumë e keqe me vende të ndryshme në botë”, shkruan në profilin e tij në rrjetin social “Twitter” presidenti amerikan.
Ai shtoi se ne nuk duhet të lëmë vendin tonë, sipërmarrjet tona dhe punëtorët tanë të jenë viktima të tregtisë, duke theksuar se nevojitet një tregti e lirë dhe e ndershme.
Vlera e aksioneve të prodhuesve të çelikut amerikan u rrit ndjeshëm në bursa pas njoftimit të presidentit Trump.
Sipas BBC, lajmi për rritjen e tarifave të çelikut dhe aluminit ka të ngjarë të provokojë një reagim të zemëruar nga Kina dhe analistët kanë shprehur frikën e mundësisë së luftës së re tregtare mes dy bendeve më të fuqishme në botë.
Aleatët kryesorë të SHBA-së janë gjithashtu në rrezik për t’u goditur me kosto më të larta, por nuk është e qartë nëse ndonjë vend do të përjashtohet nga masat e reja të Trump.
Ai e publikoi këtë në Twitter në kohën që këshilltari ekonomik i presidentit kinez, Liu He, ndodhet për vizitë në Uashington.
Ai pritet të takohet me zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë, por jo me Trump-in, sipas disa përgjegjësve amerikanë.(TemA TV)