Parlamenti Europian informohet për vrasjen e gazetarit sllovak

5 Mars 2018, 16:12Bota TEMA

Vrasja e gazetarit sllovak, Jan Kuciak ka shkaktuar valë zemërimi në të gjithë Europën. Tani po bëhet aktiv edhe Parlamenti Europian. Një delegacion i tij shkon këtë javë në Sllovaki për të mbledhur informacione.

Pas vrasjes së gazetarit sllovak, Jan Kuciak dhe të fejuarës së tij, Martina Kusnirova, kreu i qeverisë sllovake po gjendet gjithnjë e më shumë nën presion. Vrasja e gazetarit ka shqetësuar institucionet europiane për gjendjen e lirisë së shtypit në një vend anëtar të BE.

Tetë parlamentarë të Parlamentit Europian udhëtojnë nga e mërkura deri të premten në Sllovaki për të mbledhur të dhëna dhe informacione mbi vrasjen e gazetarit, shkruan gazeta gjermane „Welt am Sonntag” duke u bazuar në qarqe të BE. Kreu i PE, Antonio Tajani kishte bërë më parë publike marrjen e një vendimi për të dërguar një ekip hetues në vend.

Giegold: BE nuk duhet të qëndrojë duarkryq

Anëtar i delegacionit të BE është edhe eurodeputeti gjerman i Të Gjelbërve, Sven Giegold. Për „Welt am Sonntag” ai u shpreh se Parlamenti Europian nuk duhet të „shohë duarkryq rrënimin e shtetit ligjor dhe lirisë së shtypit” në vendet anëtare të tij.

Aktualisht presione po i vijnë qeverisë së kryeministrit sllovak, Robert Fico edhe nga partneri i koalicionit, Most Hid. Më 12 mars kjo parti do të zhvillojë konsultime për dhënien fund të bashkëpunimit me partinë e kryeministrit Robert Fico.

Most Hid kishte kërkuar largimin e Ministrit të Brendshëm pas vrasjes së gazetarit, Jan Kuciak. Fico ndërkohë po akuzon opozitën, se po e përdor vrasjen e Kuciak si „armë politike”.(dw)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje