Shpend Ahmeti jep dorëheqjen nga Vetëvendosja

7 Mars 2018, 21:41Rajoni TEMA

Shpend Ahmetika dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat në Lëvizjen Vetëvendosje.

Ai ka qenë njëri prej figurave më të rëndësishme të kësaj partie në vitet e fundit.

Prej muajit dhjetor të vitit të kaluar, ai është thënë se është i rreshtuar në krahun e të pakënaqurve brenda lëvizjes.

Letra e plote e dorëheqjes së Shpend Ahmetit:

Të nderuar qytetarë,

Të nderuar kolegë e miq,

Kosova është edhe më tutje në gjendje të rendë politike e sociale. Vazhdojmë të udhëhiqemi nga një klasë politike e paaftë të ballafaqohet me sfidat e shtetit tonë. Pikërisht në dhjetëvjetorin e pavarësisë, nuk kemi se si të mos reflektojmë mbi atë se çfarë do të mund të ishte ky shtet po të kishim arritur të bëjmë ndërrimin e gjeneratave politike, jo për nga mosha por nga mendësia.

Në shtatë vitet e fundit jam angazhuar me plotë vullnet në Lëvizjen Vetëvendosje. Së bashku kemi arritur suksese të jashtëzakonshme dhe kemi luftuar procese të dëmshme bashkë me qytetarët e Kosovës. Duke qëndruar të bashkuar arritëm t’i bindim 200 mijë qytetarë se ndryshimi është i nevojshëm dhe i mundshëm.  Solidariteti, programi dhe gatishmëria për të sakrifikuar cdo gjë për kauzën dhe për njëri tjetrin ishin shtyllat më të fuqishme të aktivizmit politik të LVV.

Për këto arsye u anëtarësova në vitin 2011. Mësova shumë nga secili prej aktivistëve, edhe dije, edhe guxim, edhe vetëmohim edhe krejt vlerat që mendoja se janë të domosdoshme për të vepruar si forcë e ndryshimit. Edhe pse nuk pajtoheshim për krejt gjërat, besonim se vetëm bashkë mund të sjellim ndryshimin e gjeneratave politike në Kosovë.

Sikurse edhe ju, qytetarë të nderuar, muajt e fundit kam vëzhguar një debat me dëme të pariparueshme për Levizjen Vetëvendosje të cilin as armiqët më të mëdhenj të LVV e të shtetit nuk do të mund as t’a dizajnonin e as imagjinonin. Ende sot nuk po mund të besoj se ky debat ka ndodhur në mes të njerëzve që deri dje kanë qenë të gatshëm të vdesin për njëri tjetrin.

Kjo letër nuk është letër fajësimi, e as letër për te shpjeguar si ndodhi krejt kjo çka ndodhi.  Të tjerët po flasin, madje shumë më shumë se që duhet.  Nuk mund të flas keq për asnjërin nga të apostrofuarit në muajt e fundit.  Së paku, nuk mund të ndërroj mendim aq shpejtë, për asnjërin individ nga asnjëra palë.  Përndryshe do të isha naiv që kam kaluar shtatë vite krah për krah me secilin prej tyre.

Sikurse çdo njeri dhe çdo organizatë, kemi bërë gabime por jemi bërë edhe më të fortë nga gabimet. Thjesht arsyeja pse kemi hyrë dhe kemi ndenjur në Vetëvendosje ka qenë se Vetëvendosjen e kemi parë si mjetin me të fortë dhe më të mundshëm për ta larguar një klasë politike të korruptuar që ia ka humbur dinjitetin vendit e qytetarit. Ia ka vlejtur të durohet gjithçka për ta bërë këtë të mundshme.

Por, nuk kam hyrë në Vetëvendosje për të luftuar me njëri tjetrin brenda organizatës duke forcuar kështu klasen e tejkaluar politike.

Ka shumë gjëra në organizatë që nuk janë diskutuar me mua. Mirëpo kjo nuk është arsyeja e vendimit tim. Motivi i vendimit tim sot është se arsyeja për të cilen unë kam hyrë në LVV nuk është më. Mospajtimet kanë dëmtuar frymën, besimin dhe rrjedhimisht edhe kauzën.

Nuk besoj më se organizata në gjendjen që është sot është rruga më e shpejtë për ndryshim, së paku jo në përputhje me qëndrimet dhe besimet e mia.  Nuk do të mundohem të tregoj se unë e kam mire, e të tjerët e kanë keq.  Thjesht kjo qasje dhe kjo mënyrë e zgjidhjes së mospajtimeve nuk më përfaqësojnë mua. Kjo nuk do të thote se pajtohem me njërin krah ose tjetrin sa i përket të vërtetes për të kaluarën.  Aspak. Nuk kam qenë pjesë e asnjërës nga temat për të cilat ka ndodhur mospajtimi fillestar. Prandaj nuk e ndjej betejën njejtë si ata.

Jam munduar personalisht të luaj një rol ndërmjetësuesi për tejkalim të problemeve, por shpejtë e kam kuptuar që dallimet ishin tepër të thella.  Kam shkuar në mbledhjet e fundit të Këshillit dhe kam marrë pjesë në procesin zgjedhor gjithmonë me shpresë se do të mund të tejkalohen dallimet. Por ja që kjo ishte e pamundur.

Kjo nuk do të thotë se Albini, Visari, e Dardani e krejt të tjerët nuk kane të drejtë në mendimin e tyre.  Sigurisht se ata do të luftojnë për të vërtetën e tyre.  Secilit i dëshiroj sukses në ndjekjen e qëllimeve të veta, në qoftë se i kanë të mira.  Ndoshta rrugët na bashkohen prapë, por për mua tashmë me arsye, kushte e metoda tjera.

Secilit aktivist i përkulem për secilën punë të bërë për të mirën e vendit.  Do t’i jap llogari secilit prej tyre individualisht për mandatin dhe punën time dhe dera ime do të jetë gjithmonë e hapur për ta.  Asambleistëve të LVV nuk u kërkoj të bëjnë asnjë gjë karshi vendimit tim. Për mua janë të njejtit sido që të vendosin.

Qytetarët e Prishtinës i siguroj se e ardhmja ime politike është e lidhur më shumë se kurrë me Kryeqytetin. Jam i vetëdijshëm se ndoshta mund ta kemi më vështirë në Kuvendin Komunal por qëndrimet dhe bindjet janë më të rëndësishme se komoditeti. Unë mbetem i njejti, besnik ndaj vetvetës dhe qytetarëve të Prishtinës. Me konceptin e transparencës dhe llogaridhënies i cili na mundësoi kthimin e normalitetit në qytet, do të vazhdoj të punoj në realizimin e reformave dhe zotimeve për një zhvillim të hovshëm dhe të barabartë të Prishtinës. E gjithë energjia ime do të fokusohet në krijimin e kushteve për një jetë më të mirë për qytetarët e Prishtinës të cilët duhet ta ndjejnë vetën të barabartë në mes veti dhe me banorët e kryeqyteteve tjera sa i përket ofrimit të shërbimeve dhe infrakstrukturës publike.

Nuk pendohem për edhe asnjë ditë në LVV dhe nuk do të fajësoj askënd për të kaluaren. E mbaj përgjegjësinë time që më takon për krejt situatën e krijuar. Të gjithë miqëve ju uroj sukses ne realizimin e qëllimeve në qoftë se janë në përputhje me idealin që e kemi patur së bashku.

Prej sot, nuk jam më pjesë e Levizjes Vetëvendosje.

6 komente në “Shpend Ahmeti jep dorëheqjen nga Vetëvendosja”

  1. Baliu says:

    Largimin me te mire e ka bere Ylli Hoxha, menjeher mbas zgjedhjeve parlamentare. Ai thjesht tha se ndjehet i lodhur dhe eshte i lumtur qe ka plot njerez tjere energjik qe mund ta vazhdojne punen e tije. Mbas nje kontributi shumvjeqar me plot vetmohim, siq e ka kerkuar gjendja ne Kosove, disa thjesht po ia deshirojne vetes pak komoditet ne jeten e tyre. Ky eshte shkaku i vertete i mospajtimeve. Gjendja ne Kosove kerkon edhe me tej vetmohim, pra duhen energji te reja.

  2. Kabashi says:

    Paska hap rrugen vetes Shpendi per cope me te madhe. Nuk ka mund te qendroj me gjate ne dy hynj dhe tash po dashka nje te trete.

  3. Alpet.al says:

    Shpend Ahmeti,
    Je burre i mire, burre i mencur dhe, pa dyshim, je nje burre shume pragmatist.
    Por, nuk je nje burre i beses.
    Perndryshe, bashke me doreheqjen nga VetVendosja, do te duhej te dorehiqeshe edhe nga posti i kryekomunalit te Prishtines, post te cilin e ke marre pikerisht nga VetVendosja dhe jo per syte e tu te bukur.
    Me se paku do te duhej te dilje hapur per arsyet e largimit.
    Sepse edhe vete percarja brenda VetVendosjes, ka po ato arsye si te tuat dhe i eshte nenshtruar po atyre presioneve te gjithepushteteshme qe te kane detyruar edhe ty te dorehiqesh.
    Axhendat kombetariste dhe independentiste te VetVendosjes po bien gjithnje e me shume ndesh me gjeostrategjine e aleateve te medhenj, per te cilet vogelimat e demarkacionit me Malin e Zi (disa mijera apo qindra hektare me pak a me shume per Kosoven, apo qofte edhe metastazat e Zajednices qe i kthen Serbise gati 20% te teritorit te Kosoves dhe qe i jep asaj sebepin per te mos e njohur kurre Kosoven si shtet me vete, nuk mund te prishin balancat e stabilitetit aktual gjeostrategjik.
    Ky ballafaqim i VetVendosjes me keto prirje te Perendive te Olimpit euro-atlantik, jane A-ja dhe Z-ja e krisjes se brendeshme te VetVendosjes, simbolit te indipendences reale te Kosoves, misherimit te flamurit me shqipen e frikeshme me dy krere qe akoma u del ne endra pansllavisteve ballkanas dhe bizantisteve te Greqise.
    Ashtu sikurse, ky ballafaqim me Olimpin, eshte edhe arsyeja e vertete e doreheqjes se Shpend Ahmetit nga VetVendosja, me idene se cdo perspektive shtetari ne Kosove, shkon kunder frymes se VetVendosjes.
    Por, “mark my words” Shpend, me kete doreheqje sot, e percaktove vendin tend ne politike pergjithmone.
    Ky ishte kulmi i karieres tende dhe, nga sot, fillon e tatepjeta jote si politikan dhe si burre shteti, fillon bjerrja e integritetit dhe e legacy-se tende.

  4. Vedat Shehu says:

    Zoti Shpend Ahmeti,
    Faktikisht, divergjencat jane te vetevetishme ne ecurine e unitetit te chdo lloj grupimi shoqeror te angazhuar drejt nje objektivi. Shfaaqja e divergjencave nepermjet nje dialogu per te gjetur rezultanten e drejtimit te veprimit apo veprimeve forcon unitetin. Si konkluzion: ju nuk e keni patur zotesine dhe aftesine qe ti orientonit koleget qe divergjencat te mos vazhdonin nepermjet debatit konfliktual, por te ktheheshin ne dialog dhe forcim te unitetit. Meqense e keni ndjer veten te pazotin jeni terhequr tamam sich duhet ne raste te tilla, “kur njeri i bije gozhes, tjetri patkoit”. Une shpreh keqardhje te thelle.

  5. Mondi Hajro says:

    Eshte e drjeta tende te besh doreheqje zoti kryetar por as mish as peshk seshte mire..Duhet te reflektosh dhe te besh nje analize me te thelle dhe kush eshte fajtor sipas mendimit tuaj qe edhe ne te dime mendimion tuaj qe ti je votuar nga populli Kosoves.Sa me shpejt kerkojme nje prononcim ne te njejten Gazete dhe format te saj.

  6. vjeshta says:

    Vetëvendosje!
    Jo, Vetëvendosja, o idiot!
    Ku e ke shqipen?!!!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje