Gjithmonë njerëzit kanë kërkuar mënyrat më të lehta për të bërë pasuri. Thonë se ka dy mënyra për të bërë para: duke punuar dhe duke bërë që asetet e tua të punojnë për ty.
Kur është fjala për opsionin e dytë, ata që i kanë xhepat plot kanë mundësi plot, që nga investimi në energji apo në metalet e çmuara deri te blerja e pronave të patundshme apo aksionet në kompani të mëdha. Jetojmë në kohët kur ia vlen të investosh në mallra luksi, të cilave u rritet vlera. Analistët e Knight Frank, kompani konsulence për pronat, kanë përpiluar listën e investimeve në mallra luksi që kanë rezultuar në rritje për vitin 2017.
Vepra arti
Vitin e kaluar, çmimi i veprave të artit u rrit më shumë se ai i mallrave të tjera të luksit. Mesatarisht rritja është 21%. Këto asete lanë pas investimin në makina super të shtrenjta dhe mallra të tjera luksi. Në nëtor të vitit të kaluar, shitja e një pikture të Rilindjes, e Leonardo da Vinçit , vendosi rekordin botëror për një vepër arti. “Salvador Mundi” u shit për 450 milionë dollarë. Më parë, rekordi mbahej nga “Woman of Algiers” e Pablo Picaso-s, që u shit 179 milionë dollarë.
Verërat e shtrenjta renditen si aseti i dytë i luksit. Çmimi i verës u rrit me 11% në vitin 2017, krahasuar me rritjen 24% që pati në 2016-n. Analistët thonë se rritja e çmimit është nxitur nga rritja e interesit nga blerësit aziatikë.
Orët e dorës renditen në vendin e tretë të mallrave të luksit. Në vitin 2017, çmimi i tyre u rrit me 5%. Ky aksesor luksi ka shënuar një rritje të pabesueshme prej 69% në dekadën e fundit. ‘Paul Newman’ Rolex Daytona ka thyer rekordin në këtë kategori. Në tetor, ky model u shit për 17.8 milionë dollarë. Ora e yllit të Hollivudit mban të gdhendur në pjesë e pasme mesazhin e bashkëshortes Joanne Woodward.
Makinat vintage
Makinat klasike janë në vendin e katërt të klasifikimit të aseteve të luksit. Edhe pse kanë shënuar një rritje vetëm 2% të çmimit gjatë 2017-s, në dekadën e fundit këto makina kanë qenë lider në grupin e mallrave të luksit, duke shënuar një rritje prej 334%. Një nga shitjet më të famshme të 2017-s ishte ajo e McLaren F1, prodhim i 1995-s, për 15.6 milionë dollarë; një Ferrari 250GT California Spider e vitit 1959 për 18 milionë dollarë dhe një Aston Martin DBR e vitit 1956 për 22.5 milionë dollarë.
Gurët e çmuar
Çmimi i bizhuterive të çmuara u rrit me 4% vitin e kaluar, ndërsa në dekadën e fundit rritja ka qenë 138%. Rekordi është vendosur pak muaj më parë nga vëthët prej diamanti Apollo dhe Artemis, që u shitën për 57.4 milionë dollarë. Sipas analistëve, monedhat e rralla kanë shënuar rritje 4%, ndërsa diamantet me ngjyra nuk kanë pësuar ndryshim të çmimit. Në dekadën e fundit, të dy këto asete janë rritur në vlerë respektivisht me 182 dhe 70%. Një diamant i rrallë i njohur si “Pink Star” u shit për 71 milionë dollarë, një rekord ky për një diamant të prerë.
Përgatiti: Gazmira Sokoli