Idhuj pa krena

25 Mars 2018, 16:38Dossier TEMA

Nga Moikom Zeqo

Në 30 korrik 1936 Migjeni boton tek revista “Bota e Re” prozën e jashtëzakonshme dhe tronditëse “Idhuj pa krena”.

Dy javë më vonë libri i tij, i vetmi libër që ai përgatiti për botim, “Vargjet të lira”, ndonëse u realizua në tipografi si botsa, u censurua nga Ministria e Brendshme e Mbretit Zog, u ndalua të mos “qarkullohej”.  Mund të ketë shumë raste të censurës. Shembujt janë të ndryshëm në kohëra dhe në drejtime të ndryshme.

Por është tepër emblematike dhe kuptimore deri në zgrip, fakti i pamohueshëm sot se censura e zyrës mbretërore të Shqipërisë, e konsideron të rrezikshëm, duke vendosur ndalimin e librit të Migjenit, jo i një libri çfarëdo, jo i një libri kalimtar, qoftë dhe blasfemik, jo i  një libri, që është thjesht një trill i imagjinatës, që ofendon dhe stigmatizon bashkëkohësit, por të librit më të rëndësishëm të të gjitha pikëpamjeve, më substancialit të krejt letërsisë moderne shqipe, të një libri të pashembullt konceptual, që përbën pa një të dytë, një Ekuinoks të Letrave Shqipe.

Pra libri i përmasave të epërme estetike, i një konceptualiteti të jashtëzakonshëm të emancipimit shoqëror dhe shpirtëror, si dhe të ndryshimit të kohërave dhe të kërkesës për një të ardhme të vërtetë, në letërsinë shqipe, që megjithëse ishte që nga Gjon Buzuku deri tek Migjeni me emra të shquar poetësh dhe shkrimtarësh, prapëseprapë qe njëkohësisht dhe e ndryshkur nga një romantizëm i tejkaluar, shpesh dhe kamufluar nga një lloj misticizmi të cekët dhe dekorativ, papritur kjo kryevepër migjeniane që kish në optikën e saj enigmën ekzistenciale të mbijetesës së njeriut shqiptar por dhe të vetë njerëzimit, shpallej në mënyrë qesharake por dhe krejt të pakuptimtë si një “libër i ndaluar”.

Për një simetri semantike vetë Migjeni qe një “poet i ndaluar”.

Ky është paradoksi që duhet të kuptojmë thellësisht dhe kulturalisht ne pasardhësit. Dhe për ta kuptuar këtë është e pashmangshme të kuptojmë dhe prozën “Idhuj pa krena”.

Kjo prozë përbën një monadë, siç do të shprehej Lajbnici, për tërë universin artistik të Migjenit.

Si mund ta komentojmë? Ç’mundet të reflektojmë, vetëm duke rizbuluar një botë krejt tjetër prej këtij teksti gati testamental?

A ishte ky tekst një rastësi? Një mllef dhe rebelizëm hyjnor? Një akt psikologjik i modernizmit letrar?

Pse Migjeni flet për tufanin e tmerrshëm që shkatërron idhujt?

Pse ky tufan del vetëm nga zemra e tokës? Pse përparimi i dijes dhe shkencës nuk e bën megjithatë Katharsin Universal? Pse idhujt pa krena dëshmojnë akoma, mbijetues dhe të frikshëm për një jetë të perënduar në koncept, por ende jo në perceptim? Njerëzit adekuatë me idhujt pa krena, e kanë njohur bukurinë ceremoniale, janë totemikë, të pafund, deri në vdekje shpresojnë në rikthimin e idhujve pa krena? Por idhujt pa krena janë kadavra, dekompozohen mes imazhit të katastrofës.

Migjeni thotë se katastrofat zhdukin kombe. Në skaj të humnerës edhe kombi ynë vërtet nuk u zhduk, por “arsyeja asht vetëm se te kojshitë tonë t’afërt qenë pak a shumë të një fati si ne”. Idhujt pa krena janë një fli e fatalitetit. Po a do të dalë njeriu i zotë të ndërtojë idhujt e rinj? Idhujt e rinj? Idhuj për t’u adhuruar nga turmat.

Këta idhuj që lidhen me perënditë e shpikura nga vetë njerëzit. Në varrimin e idhujve shumëfishohet ideja funebre e institucioneve fetare, se kambanat e kishave do të plasin dhe do të thyhen dhe se minaret kanë për ta përkulur vertikalitetin e tyre për t’u lutur. Pas këtij përshkrimi apokaliptik Migjeni thotë diçka shekspiriane.

Ai shpall: “Dhe do të vijë heshtja!”

Tek tragjedia e Hamletit në aktin e fundit princi i pikëlluar i Danimarkës i thotë mikut të tij besnik Horatit“Ç’emër të plagosur që kam lënë!”

I lutet Horatit të jetojë për të treguar se ç’ka ndodhur. Por nuk harron të thotë i sigurtë dhe pa mëdyshje: “Dhe në fund vjen heshtja!”

Për të krijuar një ndjesi futuristike, kuptohet të një utopie si “Atlantida e Re” të filozofit anglez Bacon, Migjeni e mbyll tekstin: “Se çdo vikamë fillon dhe mbaron me heshtje. Mbasandaj do të fillojë puna.”

Po nga e mori subjektin e kësaj skice të pakompromis Migjeni?

Pa dyshim e mori nga filozofi Friedrich Nietzsche.

Pikërisht Nietzsche në 30 shtator 1888 në Torino shkruan parafjalën e librit të tij sfidues “Perëndimi i idhujve” (“GOTZEN DAMERUNG”).

Nietzsche mendon se njerëzimi është i mbushur me idhuj të rremë. Por ai nuk mund ta pranojë këtë. Prej shumë kohësh Nietzsche mbështetet tek një thënie që është motoja e tij në latinisht: “Increscunt animi, virescit volnere virus” (“Shpirti rritet, forca shtohet si pasojë e një plage”). Citimi është marrë nga autori romak Aulus Gellius, i shekullit II e.s.

Për Nietzsche mallkimi dhe shkatërrimi i idhujve përbëjnë pastrimin e shpirtit.

Nietzsche thotë: “Mos vallë është dhe një luftë e re kjo? Apo ndoshta në këtë pikë kapen në befasi edhe të fshehtat e idhujve të rinj? Ky shkrim është një shpallje e madhe lufte dhe për sa i përket zënies në befasi të idhujve të vjetër, kësaj rradhe nuk bëhet fjalë për zotërat e kohës, por dhe për idhujt e përjetshëm që goditen në librin tim me anë të një filozofimi me çekiç. Sipas analizës së fundit them se nuk ka idhuj më të lashtë, më të bindur, më të fryrë. Gjithashtu nuk ka as më të zbrazët se ata. Por kjo nuk pengon që këta idhuj të cilët janë besuar aq shumë, për të njëjtën arsye ato nuk mund të quhen kurrë idhuj, sepse në të vërtetë nuk janë të tillë.”

Nietzsche (1844-1900) është një nga filozofët më rebelë por dhe më kontroversë të gjysmës së dytë të shekullit XIX.

Me një talent të jashtëzakonshëm të të shprehurit, pa dyshim një kryemjeshtër i gjuhës gjermane të kultivuar, Nietzsche qe një filozof letrar më shumë se një filozof akademik, ai nuk krijoi teori të reja teknike në ontologji, apo epistemologji, por ai është një kritik historik i mprehtë, sidomos në kritikën e fesë që e përbën thelbin e vizionit të tij.

Është tepër interesante të lexosh se shkruhet për Nietzschen nga filozofi i mrekullueshëm anglez Bertrand Rusell, pikërisht në librin “A History of Ëestern Philosophy”.

Për Rusellin Nietzsche kërkon një energji të pamat të rimodelimit të botës, për shkak të dekadencës kapilare dhe vdekjeprurëse. Nietzsche beson tek heroi.

Tek Zarathustra e tij ai shpik mbinjeriun. Ai e kritikon krishterimin që e quan krishterim palian, pra të manipuluar nga Shën Pali. Nietzhsche lëshon anatema tmerruese dhe Rusell e krahason me Mbretin Lir tek Shekspiri i cili në prag të çmendurisë thotë:

“Do të bëj gjëra të tilla

Se ç’janë akoma nuk e di,

por do të jenë tmerr mbi dhe.”

Kjo është filozofia e Nietzsches në një lëvozhgë arre (ironizon Rusell).

Nietzsche njohës i thellë i traditës antike, shpall dialektikën midis anës Apoloniate dhe asaj Dioniziake. Nietzsche shkruan se “bota do të jetë boshe nëse nuk e studion Heraklitin e Efesit, veprat e të cilit janë ruajtur të plota në bibliotekën e qiellit”.

Por Nietzsche është padyshim filozofi që ka ndikuar më shumë tek shkrimtarët modernë të shekullit XX.

Të tërë shkrimtarët e shquar të botës e konsiderojnë Nietzshen si filozofin e shpirtit. Nga ky rregull nuk bëri përjashtim as Migjeni ynë. Është e vërtetë që Fan Noli përktheu fragmente nga Zarathustra e Nietzsches. Shkroi dhe ndonjë poezi me ndikim Niçean.

Por është Migjeni i cili mund të quhet më i veçanti, në shumë kuptime , por ne asnjë mënyrë dhe më Niçeani i letërsisë shqipe.

Migjeni duke shkruar skicën “Idhuj pa krena” nuk bën gjë tjetër veçse reflekton idetë e tij dëlirësuese por dhe të pamëshirshme për prapambetjen mitike dhe të frikshme të Shqipërisë. Me të drejtë Migjeni flet për shembjen e idhujve.

Dhe Shqipëria ka patur dhe ka akoma idhuj të se kaluarës që e kanë skllavëruar mendjen e shqiptarëve.

Të njëjtën ide artikulon edhe Noli kur thotë për Shqipërinë “se ç’e shembnë derbederët, mercenarët dhe bejlerët”, ose “anës detit i palarë, anës dritës i paparë, anës dijes i panxënë, anës sofrës i pangrënë”, ose “skllevër mbi skllevër s’e meritonin, se liri s’donin”.

Për ta kuptuar konceptualitetin e skicës migjeniane, po e citoj të tërën si më poshtë:

IDHUJT PA KRENA

Një tufan i tmerrshëm i shembi idhujt. Disa i bani pluhun e disa i la pa krena. Tufani i tmerrshëm nuk fryni as nga një anë e horizontit, dhe as nga qiella, por duel nga zemra e  dheut. Çdo gja që del nga zemra asht ose përkëdhelëse si andja me intime, ose e tmerrshme si tufani që shemb idhujt.

U tret pluhuni i idhujve q’u shemb krejt, dhe s’u mbet fara, e idhujt që mbetën pa krena qëndrojnë si dëshmorët e shëmtuem e një jetës së përndueme.

Idhujt pa krena! Shëmtim i natyrës! E njerëzit që jetojnë në mes të tyne enden si të harlisun. Ata që kishin lindun para se  t’u shembeshin idhujt dhe i pan me syt e vet në bukurinë e tyne ceremoniale, ata tash rënkojnë, pshertijnë për kohën e idhujve të vjetër, dhe tue vdekur shpresojnë se këta idhuj do t’i shpëtojnë.

E ata që lindin në kohën e idhujve pa krena s’dinë kah t’ia mbajnë. Duen t’adhurojnë, po çka t’adhurojnë? Idhujt pa krena?… Duen të besojnë, po çka të besojnë? Idhujt pa krena? Kush mund të adhurojë të shëmtuemen?

Kush mund të besojnë në një zot pa krye? Çdo gja që s’ka krye, asht kufomë, e kufoma s’e ka vendin në mes të gjallve. Kufoma duhet varrosë.  Përndryshe, e përlyemja me të ka për të qenë katastrofale. E katastrofa asht katastrofë! Zhduk kombe!

(Kombi ynë me të vërtetë s’u zhduk. Por arsyeja asht vetëm se dhe kojshitë tonë t’afërm qenë pak a shumë të një fati si ne.)

Idhujt pa krena! Flitë e kohës, e cila gjithçka përpin, dhe fli të fatalitetit. Qëndrojnë ashtu të gjymtuam vetëm e vetëm pse s’duel njeriu i zoti të ndërtojë idhujt e ri. Por, herët a vonë, ai do të dali. Dhe idhujt e ri që do t’i ndërtojë ai, kanë për t’u adhurue nga turmat. Se landa e tyne ka për të qenë moral i kohës, e model’ i tyne – njeriu i soçëm.

Idhujt pa krena! Në varrimin e tyne kumonët kanë për të plasë së ramit, minaret kanë për ta kthye kurrizin së faluni dhe zhrecve do t’u këputen telat e fytit së kënduemit. Dhe do të vijë heshtja. Se çdo vikamë fillon dhe mbaron me heshtje. Mbasandaj do të fillojë puna…

Migjeni është vërtetë një ikonoklast i madh

Asnjë shkrimtar shqiptar nuk mund të krahasohet për lirinë e madhe, larg çdo klientelizmi politik me Migjenin. Ndoshta Migjeni është shqiptari me shpirt më të lirë që ka Shqipëria. Mund të ketë dhe pa dyshim ka dhe ai kufizime, por jo në kredon e Lirisë Universale.

Migjeni flet për figurat që zotërojnë atmosferën e kohës, flet për figurën fantazmagorike të gogolit.” Gogoli sipas Migjenit i ka hap shalët nga njëra anë e kontinentit në tjetrën.

Njerëzit e vegjël si liliputanët në shalët Guliverit, në mes të të dyja kambëve të tij bëjnë parakalime demonstrative. Zot, na shpëto nga Gogoli. Anatema, mallkime, alarme. Gogoli!

Njerëzit e vegjël që gjenden në errësinë, autosugjestionohen, se errësina krijon Gogola. Ndonjë rreze drite e ardhun me germa të ndonjë shtypit të shenjtë, u ep idenë e Gogolit. Asht si King-Kong fantastik. I tmerrshëm. “

Është frika nga progresi dhe nga idetë përparimtare. Tek tregimi “Bukuria që vret” Migjeni tregon sesi vdes fëmija nga të ftohtit dhe shpërthen. Agimi zbardh me bukurinë e bardhë që vret.

Dora e nënës prek vocërrakun që ka ngrirë. “Gjaku i tij i kuq dhe i purpurt ishte ngri ndër deje dhe zemër, ish banun kristal, që të bahet servil për milionarin, jo gjaku ish ba rubin, për gjerdanet e metresave.

E trupi i vocërrakut, i lokes së nënës ishte ba nji shtatore e ngurtë. Shtatore e ngurtë e shkulun nga gjini i nanës. – merrnie dhe çonie në qytet kët shtatore. Vendosnie në një shesh!

Dhe di përmendore kushtonia ndokujt! Kushtonia atij që ka ma shumë merita për kët vend! Po, ndoj ministrit o deputetit, e ndokujt tjetër… E në rasë se nuk gjeni ndonjë njeri që ka merita të mjaftueshme, atëherë kushtonia atij që ka merita ma pak: perëndisë klasike.”

Ku i lexon këto rreshta duket se kohërat kanë ngecur në vend.

Kjo thirrje migjeniane mund t’i kushtohet dhe deputetëve të sotëm.

E habitshme, por e vërtetë. Shembja e idhujve lidhet dhe me emancipimin e politikës shqiptare. Si mund të quhet e e emancipuar kjo politikë e cila përfaqësuesit apo simbolet e popullit i ka të parapërcaktuar në listat fatale të kryetarëve të partive?

Si ka mundësi që deputetët e sotëm të Shqipërisë të mos flasin dhe të mbrojnë gjërat e themelit të kombit? Shahet Skënderbeu, që nuk ka të bëjë me shembjen e idhujve. Skënderbeu është strukturë e vetëdijes, demitizimi dhe mitizimi i një figure historike janë komplementare, janë e njëjta gjë, kurse shkencorja dhe historikja është në thelbin e së vërtetës.

Duke rrëzuar Skënderbeun ringrihen idhujt pa koka. Ringjallet habitërisht një nga figurat m të urryera të historisë kombëtare, Esat Pashë Toptani, një nga idhujt më simbolikë pa krena të mercenarizmit të neveritshëm. Rrëzohet Skënderbeu sepse kështu rrëzohet edhe Rilindja Kombëtare. De Rada dhe Naim Frashëri frymëzohen nga Skënderbeu. “Rrëzimi” i Rilindjes Kombëtare bëhet dhe mohimi i pavarësisë së shtetit shqiptar. Mohohet teza shkencore e etnogjenezës iliro-arbërore. Kështu shqiptarët dalin krejt pa histori në histori. Janë jashtë historisë. Një popull pa kujtesë kolektive, pa ngjarje, pa veprim historik, pa mendim, pa dinjitet, pra një popull që nuk meriton të jetë komb, por një turmë prej zombi.

Ngrihet përmendorja e Ahmet Zogut qëllimisht përballë figurës së heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut. Zogu jepet me uniformë gjenerali, mbështetur mbi shpatë.

Ç’luftëra bëri për Shqipërinë Zogu që meriton uniformën e gjeneralit? Gjatë kohës së tij ishin vetëm dy luftëra, lufta e Vlorës 1920 dhe lufta kundër pushtimit të Shqipërisë më 7 prish 1939.

Këto dy luftëra mund të ishin kuptimi dhe historia. Por Ahmet Zogu është jashtë tyre.

Po a duhet studiuar koha e Ahmet Zogut dhe ai si personazh historik? Pa dyshim. Një gjë e tillë duhet bërë nga historianët por jo nga politikanët që ringrenë idhujt pa krena. Shumë më tepër e meriton Migjeni të ngrihet në të njëjtin piedestal, sepse nga pikëpamja kulturore dhe konceptuale është një figurë shumë më emblematike e kombit shqiptar.

Idhujt pa krena janë dhe të kohës së socializmit totalitar-kjo kërkon një analizë me vete-shumë serioze. Po të tranzicionit? Ja një tjetër tmerr!

Nuk është qëllimi të konsumoj tërë subjektet apo motivet e publicistikës së ditës, qoftë dhe me aktualizime të sforcuara ose të sakta.

Problemi është që secili nga ne të ketë parasysh manifestin migjenian për të mos krijuar një rikthim në të kaluarën me idhujt pa krena. A nuk janë më të pasurit e Shqipërisë idhujt pa krena?

A nuk janë të pasurit njëkohësisht edhe politikanët e Shqipërisë? A nuk janë të tërë deputetët e Shqipërisë gati një sekt të pasurish (mos më keqkuptoni në këtë koncept)?

A nuk ka në letra shqipe personalitete të rremë për të cilët bëhen doktoratura, libra për arsye të mirëfillta politike larg vlerave të mirëfillta letrare?

A nuk ka një koleksion  të panumërueshëm dot të të ashtuquajturve doktorë profesorë, të cilët gjithashtu janë idhuj pa krena? A nuk kemi një status të demonizuar të mediave nga krimi i organizuar nga ndikimet paternaliste dhe klienteliste, pikërisht për të kuptuar se janë rikthyer shumë idhuj pa krena? Asnjëherë nuk vjen rreziku i një kombi dhe fundi i tij nga liria e të menduarit.

Ne duhet të mësohemi të jemi të lirë në mendime. Jemi të vonuar në këtë pikë. Ne duhet të synojmë të bëhemi të lirë.

Të tërë qytetarët dhe individët të bëhemi të lirë.

Dhe të mos u bëjmë amen  atyre që jo vetëm nuk janë të lirë , por u mungojnë shumë elementë të humanzimit, pra dhe të vetë së ardhmes.

2 komente në “Idhuj pa krena”

  1. korrektori says:

    O Mojkom, po ke rrjedh o burre. I ka pleqeria keto. Po mbaj nje bashkepunetor me te ri ne moshe afer, te te ndreqe gabimet. Thuaji tet bije se boll na je mburrur me te.
    Ate paragrafin e dyte e ke menderosur krejt. U ndalua libri te mos qarkulloje, shkruan. Po censura ndalon qarkullimin more, jo mos qarkullimin e librave.
    E dyta. Nuk ekzistojne botsat more. Çfare jane keto. Apo po harron dhe si shkruhet shqip. Jo per gje po ne letersi dhe pikture kemi thene e shkruajtur gjithmon “boca” apo “bocet” “boceti”, per veprat e paperfunduara apo papublikuar.
    Me tej nuk zbrita ne artikull. Dy gomarlleqe mjaftojne per te treguar nivelin e shkrimit

    1. Niko Shpiragu says:

      Kur shkruajme te gjithe bejme ndonjehere gabime te parendesishme qe ndryshe i quajme edhe lapsus. Mendoj se ju me emrin “korrektori” jeni shume ekstremist dhe e fyeni pa asnje baze z. Moikom. Une mendoj se ju duhet te keni ndonje arsye tjeter qe nuk e keni lexuar kete shkrim, ndoshta jeni xheloz se nuk e arrini dot autorin dhe xhelozia te ka erresur syte dhe mendjen. Ti dhe kushdo tjeter mund te keni edhe verejtje , por cfaredo te jene verejtjet ato nuk mund ta ulin as figuren e z.Moikom e as emrin e tij si nje nga intelektualet me te mire te kombit shqipetar. Une nuk jam ne gjendje te tregoj se kush eshte me i miri, por nje gje e them me siguri se ju, nga ato qe shkruani, nuk hyni fare tek intelektualet dhe jo te krahasoheni me Moikomin. Mund te kete edhe te tjere intelektuale te shquar Shqiperia, por nga ata qe kontribuojne me shkrimet e tyre ( disa nuk shkruajne) Moikomi qendron ne pararoje dhe ne te gjithe duhet ta vleresojme e falenderojme. Edhe une mund te kem verejtjet e mia, por kjo s’do te thote qe mendimi im eshte me i drejti dhe per nje arsye ose tjeter te injorosh punen e autorit. Ky shkrim i Z. Moikom mendoj se eshte nje nga me te miret e shkrimeve te tija te shumata. Une mendoj njesoj si ai qe Migjeni eshte padushimin me te vogel shkrimtari me i mire i letersise shqipe, jo vetem nga bukuria artistike, por ajo me kryesorja nga permbajtja, tematika qe zgjedh dhe idete perparimtare. Me vjen keq, mbasi nuk dua te nenvleftesoj edhe te tjere shkrimtare te shquar, por asnjeri nga ata jo vetem qe nuk mund te krahasohet me Migjenin por as mund ti qendroj afer atij. Sikur Migjeni te kishte jetuar me gjate dhe te vazhdonte te shkruante, jam i sigurte se ai do te vleresohej sot ne bote si nje nga shkrimtaret me te medhenj. Eshte e dyta here, me sa di une, qe Z. Moikom shkruan ne gazete per Migjenin dhe i tregon lexuesve vlerat e tij. Ne shkrimin e pare une kam bere verejtje se duhesh folur me shume per vet Migjenin, ndresa kete here mendoj se ky shkrim eshte me i mire dhe i ndertuar me drejt. Moikomi mendon se tek Migjeni kane ndikuar me shume shkrimtaret perendimor dhe sidomos Nietzshe, por une do te shtoja se ai duhet te jete influencuar edhe nga idete sociale te kohes, mbasi shkrimet e tij jane me permbajtje revolucionare. Gjithkush e kupton se ai mbron te varferit dhe nuk shpreh aspak simpati per ata qe sundojne, perkundrazi i stigmatizon. Ai duket qe eshte per nje sistem te ri dhe shoqeri te re, te ndryshme nga ato te kohes se tij. Une nuk mendoj se Migjeni eshte produkt i Nietzshes e co, por mendoj se ai anon nga letersia proletare, e cila nuk udhehiqet nga filozofia neitzsheane, por nga ajo materialiste qe zoteronte gjysmen e dyte te shekullit te XIX dhe gjysmen e pare te shekullit te XX. Migjeni ishte pararendesi i letersise se realizmit socialist, por per shkak te censures se kohes ai nuk mund te levronte ate ne Shqiperine zogolliane. MIgjeni ishte shkrimtar i popullit dhe ishte shume me i emancipuar se Neitzshe e te tjere te llojit te tij. Nuk duhet te harrojme se Migjeni jetonte ne Shkoder te cilen e quante “qytiti im” por duke qene me origjine sllave, ai kishte lidhje dhe ishte influencuar edhe nga kultura e letersia perparimtare sllave , qe per hir te realitetit kishte shkrimtare te njohur me idete e reja sociale te kohes, kurse Shqiperia ishte shume me prapa ne te tera drejtimet. Mendoj se Moikomi i di keto dhe besoj shume me mire nga une, por nuk i shpreh se mos e tregojne si majtist, komunist etj, por ne se ai e vlereson sic shprehet Migjenin si shkrimtar te lirise se fjales, edhe vet duhet ta bej kete, se ne fund te fundit ai po flet per idete e Migjenit dhe jo te tiat. Te them te verteten megjithese une kam nje vleresim te larte per Z. Moikom, mendoj se ai vlereson ata njerez te medhenj qe kane jetuar ne te shkuaren e larget dhe i shmanget shekullit te XX-te, sikur ky shekull ka qene nje zero.Pa mohuar vlerat e antikitetit dhe mesjetes e pak me vone, ne e dime sot se shekulli i XiX dhe sidomos i XX ishin shekujt e revolucionit ne shkence, filozofi, letersi, art etj dhe nuk duhet ti harrojme. Ishin idete e kesaj kohe qe shemben sistemin kolonial ne Afrike, Azi dhe A. Latine. Ishin idete e kesaj kohe ato qe e detyruan klasen kapitaliste perendimore te ndryshoje kushtet e punes dhe te permiresoje marredheniet me ata qe punojne dhe ne sot kemi nje perfytyrim me pozitiv per kapitalizmin si sistem ekonomilo shoqeror. Pra sic e shohim pa patur pretendim te bejme teori ne kete koment, idete e reja sollen nje progres shume here me te larte se progresi qe do te sillnin idete e nje askushi si Nietzshe. Nuk duhet te harrojme se para se gjithash idete e ti ishin edhe pararendese te teorive naziste dhe nuk e vlen shume qe te behemi edhe zedhenes te tij e ndonje tjetri si ai. Ne perfundim mendoj se ky artikull kushtuar Migjenit te madh eshte me shume vlera dhe ne lexuesit duhet t’a falenderojme Z. Moikom.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje