Raporti për Ramizin: Ja pse s’do i botojmë, Këlliçit, Agim Shehut dhe Sotir Andonit

19 Mars 2018, 09:39Dossier TEMA

Libri i Kaloçit, “Shkrimtarët dhe artistët nën diktatin komunist”, zbulohet informacioni sekret i vitit 1976 për Ramiz Alinë nga shefi i Shtypit, Miti Tona, për heqjen e së drejtës të botimit për shtatë shkrimtarët e njohur

Nga Dashnor Kaloçi

Furtuna e madhe dhe represioni i egër që nisi në fillimin e vitit 1973 ndaj shkrimtarëve dhe artistëve e gjithë punonjësve të tjerë të artit e kulturës, dukej se do të vazhdonte gjatë. Pas arrestimit dhe dënimit për “faje politike” të Todi Lubonjës dhe Fadil Paçramit të akuzuar nga vetë Enver Hoxha si “Koka e grupit liberal në art e kulturë”, si edhe disa shkrimtarëve dhe artistëve të tjerë të akuzuar si përkrahës të tyre, si Mihallaq Luarasi, Minush Jero, Kujtim Spahivogli, Lluk Kaçaj, Miho Gjini, Sherif Merdani, Dhimitër Lala, etj, të cilët gjithashtu përfunduan burgjeve e internimeve të regjimit komunist, pas vitit 1975, ndaj shumë shkrimtarëve dhe artistëve filluan masat “administrative”, apo më saktë heqja e së drejtës së botimit dhe dërgimin e tyre në prodhim si puntorë, siç ishte bërë me Agim Shehun, Skifter Këlliçin e ndonjë tjetër.

Veç të tjerash kjo gjë behet e ditur edhe nga ky dokument arkivor i vitit 1976, (e shkëputur nga një dosje voluminoze me siglën “sekret”), ku shefi i Shtpit në Komitetin Qëndror të PPSH-së, Miti Tona, informon Ramiz Alinë, lidhur me një numër shkrimtarësh, si: Hasan Petrela, Agim Shehu, Bekim Gaçe, Lirim Deda, Ibrahim Gani, Sotir Andoni, Skifter Këlliçi, Odhise Grillo, etj, të cilët iu është hequr e drejta e botimit.

Pothuaj të gjithë ata ishin emra të njohur. Kështu, shkrimtarët Lirim Deda dhe Ibrahim Gani ishin kuadro ushtarakë në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore, dhe punonin kryesisht në organet e shtypit ushtarak, (gazeta “Luftërari”, revista “10 Korriku” etj), Hasan Petrela shkruante kryesisht për organin e Ministrisë së Brendëshme, (revista “Në shërbim të popullit”), poeti Agim Shehu, konsiderohej në hierarkinë letare si i treti (pas Kadaresë dhe Agollit), Odhise Grillo shkrimtar tepër i njohur letërisë për fëmijë, Sotir Andoni, shkrimtar nga më të vjetrit, autor i shumë romaneve, etj, Skifter Këlliçi, gazetar e telekronist tepër i njohur i sportit dhe shkrimtar gjithashtu, autor i disa librave dhe romaneve. Gjë e cila tregonte mësëmiri se Partia, “nuk bënte lëshime” dhe ishte e vendosur për ta çuar deri në fund “luftën kundër shfaqjeve të huaja dhe ndikimeve liberale” në rradhët e shkrimtarëve e artistëve.

Ajo që vihet re tek raport-informacioni i Miti Tonës, është insistimi i tij, që për disa shkrimtarë, të vazhdonte masa e dënimit (heqja e së drejtës së botimit) edhe pas rikthimit të tyre në Parti?! Dhe lidhur me këtë dhe gjithçka tjetër që ai ka sugjeruar në informacionin e tij, Ramiz Alia, ka vënë shënimin: “Jam dakord. Duhet të jeni tepër të kujdesëshëm, spese shkrimtarët janë edukatorë. Asnjë lëshim, jo vetëm politik dhe ideologjike, por dhe artistik”. Për më shumë rreth kësaj, na njeh dokumenti në fjalë i cili publikohet për herë të parë në faqet e këtij libri, me ndonjë shkurtim fare të vogël.

I N F O R M A C I O N

MBI HEQJEN E SE DREJTES SE BOTIMIT DISA ARTISTEVE

Për shkak të figurës së tyre moralo-politike, disa autorëve letrarë iu është hequr e drejta e botimit. Të tillë janë midis të tjerëve: Hasan Petrela, Agim Shehu, Bekim Gaçe, Lirim Deda, Ibrahim Gani, Sotir Andoni, Skifter Këlliçi, Odhise Grillo, etj.

Disa prej këtyre autorëve si Agim Shehut e Odhise Grillos u është pezulluar edhe qarkullimi i disa vëllimeve, të cilat kanë qenë të gatëshme për t’u hedhur në treg në kohën kur u morrën masat ndëshkimore ndaj tyre. Ndonjërit prej tyre vepra i është bllokuar në procesin e botimit në shtypshkronjë.

Lidhur me ridhënien e së drejtës për botim është udhëzuar Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, të konsultohet me komitetet përkatëse të Partisë, duke gjykuar sejcilin si rast me vete me hollësi dhe partishmëri. Por megjithëse sipas komiteteve të

Partisë, disa prej tyre mund t’u jepet e drejta e botimit, sepse ose e kanë shlyer fajin si Hasan Petrel, (i kthyer prapë në Parti), ose punonjnë mirë si Agim Shehu e Skifter Këlliçi, i pari punonjës në Metalurgji, i dyti puntor në Uzinën “Traktori”, ne mendojmë se duke marrë parasysh faktin që vepra letrare komunikon me masa të tëra lexuesish, dhe se çdo shkrimtar pamvarsisht nga shkalla e përhapjes së veprës së tij letrare, bëhet një personalitet shoqëror dhe edukator i masave, mendojmë që ndaj gjithë atyre autorëve që janë marrë me masa partie për faje politike, koha e rehabilitimit në shtyp, të mos lidhet domosdo dhe në të gjitha rastet me kohën e shlyerjes së masës ndëshkimore. Kështu p.sh. mendojmë që Hasan Petrela megjithse i kthyer në parti, romani i paraqitur për botim t’i shtyhet për vitin e ardhshëm.

Agim Shehut, i cili nuk është kthyer akoma në parti, të mos i vihet në qarkullim vëllimi “Për birin tim dhe brezat që do vijnë” (poemë kushtuar shokut Enver), dhe të mos i botohen para pranimit në parti veprat që ka paraqitur së fundi për botim, pamvarësisht nga vlerat artistike. Për vëllimin e mësipërm kushtuar shokut Enver, mendojmë, që edhe në të ardhmen të mos dalë si botim më vete. I njëjti qëndrim të mbahet edhe ndaj Skifter Këlliçit, i cili…….. publikisht për figurën e tij………., prej……..në RTV, ku punonte dhe u çua për riedukim në uzinën e Traktorëve dy vjet më parë.

Gjithashtu edhe për Odhise Grillon, mendojmë që këtë vit, i cili është dhe viti jubilar i 35 vjetorit të themelimit të Partisë, të mos i botohet gjë.

Për Sotir Andonin, gabimet e të cilit njifen dhe janë krejtësisht të karakterit politik, mendojmë se duhet mbajtur një qëndrim i prerë. Kohë më parë kemi orientuar organet e shtypit dhe botimeve të botonin sa më rrallë dhe vetëm kur veprat e tij kane vlera të vërteta artistike dhe edukative. Nën dritën e pleniumeve të fundit të K.Q. organet e botuese nuk e kanë parë me vënd të botojnë gjë prej tij edhe në këto raste.

20.3.1976 SEKTORI I SHTYPIT

Miti Tona

9 komente në “Raporti për Ramizin: Ja pse s’do i botojmë, Këlliçit, Agim Shehut dhe Sotir Andonit”

  1. viisari says:

    me thuaj nje roman te Sotir Andonit zoti Kaloci???

    1. Andon says:

      Kandili i shuar. Tregime nga Voskopoja. I derguari nga klasa. Dasem e çuditshme. Kur mernim fluturim. Flete te kuqe qershie.

  2. Henri says:

    Per mua personalisjht skifter kellici ishte nje person me horizont te larte .sdudionte degjonte dhe punonte shume.ishte person shume i apasionuar sidomos per sportet dhe vone filloi dhe te shkruaje romane .por fati tij i keq ishin spiunet denoncimet qe e bene te ulte koken.un kam patur fatin ta njo nga afer kishe qejf ta degjoje me bagazhin qe dispononte

  3. Tralala says:

    Kohe e cmendur, mos ardhet kurre. Keta jane derguar ne pune prodhuse po te tjeret u futen ne burg.

  4. demok says:

    Ne foto: Shoku Enver me kuadro te Lidhjes se shkrimtareve dhe artisteve me rastin e Debatit-“Te vjeter-Te rinj”ne Plenumin e Lidhjes.Perballe:Kryetari i Lidhjes shoku Dhimiter Shuteriqi,perkrah tij sheqerxhiu i ahengjeve te udheheqjes Baki Kongoli,pas tij Ismail Kadare, spitullaqi i trembur,qe u be hero ate dite pasi mbrojti kauzen e “te rinjve”, Pas Baki Kongolit,po zgerdhihet Llazi Marices,qe nuk eshte tjeter vecse
    derdimeni Nasho Jorgaqi.Pas shokut Enver qendron si i braktisur Shefqet Musaraj,per te cilin aludohej si i vjetruar,folklorist nga te rinjte .Me tej ne rreze te murit jane dy intrigante profesioniste,Razi Brahimi dhe Agim Shehu,qe po cucurisin vesh me vesh.Razi Brahimi eshte kthyer nga Lushnja ku gjeti dashurine e jetes,pasi zbuloi nje grup armiqesor ne Lidhjen e shkrimtareve,viktima ishte Kin Dushi.Ne krah te shokut Enver qendron i miri Llazar Siliqi dhe kryeredaktori i Hostenit,Niko Nikolla.

  5. drita bashaj says:

    mos I hiq pjeset e letrave zoti Kaloci. Skifter Kellici ishte demaskuar se dergonte letra lavderuese per veten ne drejtorine e Radio-televizionit, gjoja sikur I dergonin degjuesit e tij. Agim Shehu kishte deklaruar se ishte ai qe ja shkruante fjalimet Enver Hoxhes dhe prandaj e hengri drurin. Ky sahanlepires hipokrit ka uluritur e denuar disa nga talentet e reja te viteve 70 nga zyrat e Zerit te popullit. Keto shkresurina qe boton ti s’kane asnje vlere me komentet idiote qe ben ti, qe s’e njeh aspak ate kohe

  6. demok says:

    Me vjen keq moderatori.Kam 24 ore qe e kam shkruar komentin dhe nuk eshte publikuar!

  7. demok says:

    Raporti i Kalocit,eshte si e imagjinon nje katundar pas 45 vjeteve,legjenden e persekutimit te shkrimtareve dhe artisteve,te cilen e ka degjuar ne
    vrim te miut ku jetonte.Personat qe e kane jetuar ate kohe si protagoniste te ngjarjeve,si ata qe rrojne dhe ata qe nuk jane me,,,nuk duhet te lejojne te shkruhet per ta nga katundare anonime si Kaloci,,.Pse? Sepse miu edhe kur bren leter e nxjerr ate ne forme kakerdhiash.

  8. Anogri says:

    Perse titulli i shkrimit zgjedh tre emra shkrimtaresh ne nje kohe kur shkrimi vete pershkruan se aty kane qene me shume se 8 shkrimtare qe u eshte hequr e drejta e botimit dhe pasojat qe pesuan nga “shpata e Demokleut” PPSH ne kete rast?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje