Sulmet e shpresës

26 Mars 2018, 09:26Rajoni TEMA

Nga Arbresha Berisha

Para 19 vjetëve, përkatësisht më 24 mars 1999, në orën 19:00, forcat e NATO-s kishin filluar sulmet ajrore kundër caqeve ushtarake, policore dhe paramilitare serbe në Kosovë dhe në Serbi. Sulmet vazhduan për 78 ditë rresht, të cilat rezultuan me çlirimin e vendit. Agim Berberi nga Gjakova, fotoja e të cilit u botua në mediet ndërkombëtare ku me dy duart lart hidhej mbi makinat e NATO-s, tregon për tmerrin e përjetuar gjatë luftës dhe momentet e gëzimit kur kishte parë forcat e Aleancës duke hyrë në vend

24 marsi i vitit 1999 edhe sot pas 19 vjetëve është në mendjen e Agim Berberit nga Gjakova, shqiptarit i cili u bë i njohur për të gjithë botën ditën ku me dy duart lart hidhej mbi makinat e NATO-s, pas sulmeve të pareshtura 78-ditore ndaj caqeve ushtarake, policore dhe paramilitare serbe në Kosovë dhe në Serbi.

Berberi me lot në sy ka rrëfyer për “Zërin” keqtrajtimet që ai kishte pasur nga forcat paramilitare serbe, të cilat edhe ia kishin përkeqësuar gjendjen e tij psikike.

Edhe sot e kësaj dite ai ngrit duart lart dhe me fjalën NATO shprehet falënderues për të gjithë ata që kanë ndihmuar në çlirimin e Kosovës.

Sulmet e NATO-s nisën më 24 mars të vitit 1999, të cilat pas 78 ditëve rezultuan me çlirimin e Kosovës.

Pas humbjes së betejës me NATO-n serbët pranuan kushtet e kësaj të fundit dhe më 10 qershor të vitit 1999 filluan të tërhiqen nga Kosova, me ç’rast gjenerali Wesli Clark suspendoi përkohësisht sulmet ajrore. Në të njëjtën ditë forcat ruse hynë në Prishtinë, ndërsa një ditë më pas trupat gjermane shkuan në kufi me Kosovën. Më 12 qershor 1999 trupat angleze hynë në Prishtinë.

Në qershor të vitit 1999 forcat e NATO-s në Kosovë kishin rreth 55 mijë trupa.

Ish-eprorët e UÇK-së kujtojnë nisjen e bombardimeve të NATO-s

24 marsin e vitit 1999, ditën kur filluan bombardimet nga forcat e NATO-s, e kujtojnë edhe ish-eprorët e lartë të UÇK-së.

Deputeti i “Vetëvendosjes” e njëherësh ish-epror i UÇK-së, Rexhep Selimi, ka treguar se gjatë bombardimeve ai ishte duke luftuar bashkë me UÇK-në.

Ndërsa kryetari i Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati, ka thënë se momentin më të gëzuar për shqiptarët nuk mund ta gëzonte mirë për shkak të shokëve të rënë dëshmorë.

Historiani Frashër Demaj ka treguar se NATO-ja ka shpëtuar popullin nga gjenocidi.

Ndërsa pas 19 vjetëve liri ekspertët e sigurisë konsiderojnë se Kosova është e sigurt dhe nuk rrezikohet ushtarakisht nga askush.

Gjatë viteve 1998-1999 rreth 10 mijë shqiptarë u vranë nga forcat serbe, mbi 200 mijë u dëbuan nga Kosova, më shumë se 20 mijë femra u dhunuan, ndërsa 2.466 kosovarë vazhdojnë të mbesin të zhdukur.

Bombardimet 78-ditëshe të NATO-s kishin përfunduar me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit. Pas kësaj filloi largimi i forcave serbe nga Kosova dhe kthimi në Kosovë i mbi 800 mijë refugjatëve shqiptarë.

Rrëfimi i Berberit për ditën kur forcat e NATO-s hynë në Gjakovë

“Mos më harroni, unë jam gjallë, edhe kur do të vdes do të mbetem gjallë”, me këto fjalë Agim Berberi nga Gjakova, i cili para 19 vjetëve me duart lart hidhej mbi makinat e NATO-s, ka rrëfyer për “Zërin” ditën e 24 marsit të vitit 1999.

Berberi, i cili ishte keqtrajtuar nga forcat policore të Serbisë dhe kishte parë masakra të ndryshme, me lot në sy ka përshkruar gëzimin që kishte përjetuar atë ditë. “Pasdite më kanë thënë: Agim, NATO-ja ka hyrë. Ju thashë mosni bre. Vetëm kam vrapuar dhe kam bërtitur NATO, rroftë NATO, rroftë UÇK-ja. Kur kam rënë në ato momente unë nuk kam ditur asgjë, vetëm kam bërë NATO. Boll më, deri në gjunjë ka qenë gjaku. Kemi ecur në gjak, nëpër të mbytur e në masakrime”, ka rrëfyer ai.

“Ty po të kërkojmë se kemi punë me ty”, janë fjalët e paramilitarëve serbë, të cilët më 17 maj ia kishin zënë pragun e shtëpisë Agimit, që 28 serbë e kishin marrë dhe e kishin keqtrajtuar. “Ka qenë 17 maji 1999, temperatura më e lartë. Më kanë ardhur 28 paramilitarë. Gruaja ka qenë duke bërë bukë. Ata kanë ardhur, më kanë thënë të vishem trashë. Pse bre u thashë. A do të mbes gjallë apo do të më zhdukin? M’i kanë lidhur sytë dhe duart. Ka qarë gruaja dhe u ka thënë mosni se e kam burrin me pasoja. Ndërkohë m’i lidhën sytë dhe duart. Ishin me shlema, me automatë me paricat e hekurit, me të gjitha llojet më kanë ardhur. Andaj thashë: grua, gjallë po shkoj e i zhdukur jam. Amanet po t’i lë fëmijët. Forcat serbe më kanë rrahur deri në alivanosje”, kujton i emocionuar ai.

Berberi ka thënë se këto emocione i ka tashmë gati dy dekada, derisa vazhdimisht ka falënderuar NATO-n për ndërhyrjen në Gjakovë.

Ndërsa sipas një raporti mjekësor që Berberi ka treguar për “Zërin” thuhet se gjendja psikike e tij është keqësuar pas maltretimeve psikike dhe fizike nga ana e Policisë lokale dhe paramilitare serbe në Gjakovë gjatë vitit 1999.

Berberi, që me fotot e tij bëri bujë në të gjithë botën, tashmë po kërkon edhe ndihmë financiare nga shteti, pasi që 75 euro që ai i merr pension nuk i dalin as për barna.

Asnjë personel i NATO-s nuk humbi jetën gjatë sulmeve 78-ditore

Këshilltari i komandanti të KFOR-it, kolonel Vincenzo Grasso, ka treguar për “Zërin” se në qershor të vitit 1999 rreth 55 mijë ushtarë të KFOR-it ishin në Kosovë.

Sipas tij, misioni i tyre është krijimi i një mjedisi të sigurt për qytetarët e Kosovës.

“Misioni i KFOR-it filloi në qershor të vitit 1999. Në atë kohë (qershor) ushtarët e KFOR-it të NATO-s ishin rreth 55.000. Tani trupat e KFOR-it janë rreth 4.000, që u përkasin 28 shteteve. Misioni është i pandryshuar në përputhje me Rezolutën 1244 për ta siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes në mbarë Kosovën”, ka thënë ai.

Grasso ka theksuar se avionët ushtarakë në atë kohë pa qëllim kishin qëlluar edhe civilë shqiptarë dhe serbë. “Asnjë personel i NATO-s nuk ka humbur jetën në operacionin 78-ditor. Avionët e NATO-s sulmuan vetëm objektivë ushtarakë, edhe pse ndodhi nga fatkeqësia që civilët shqiptarë dhe serbë u qëlluan pa dashje. Ne si KFOR nuk kemi detaje për asnjë rast”, ka deklaruar ai,

Sipas tij, situata në Kosovë është e qetë dhe e qëndrueshme dhe se nuk ka rreziqe për qytetarët kosovarë.

Selimi: NATO-ja nga ajri, UÇK-ja nga toka

Ish-eprori i UÇK-së Rexhep Selimi ka treguar për “Zërin” se gjatë bombardimeve ai ka luftuar bashkë me ushtarët e UÇK-së.

“Unë ato ditë si gjatë gjithë luftës kam qenë i përfshirë në luftime me ushtarët e UÇK-së në përpjekje për të qenë forca taksore e NATO-s, ndërsa NATO-ja ka qenë forcë ajrore e UÇK-së. Vit pas viti që nga 24 marsi 1999 rëndësia e asaj date asnjëherë nuk zbehet dhe nuk del jashtë funksionit. Shqiptarët dhe NATO-ja u bënë bashkë tash pas 50 vjetëve të formimit të saj. NATO-ja shënoi 50-vjetorin e formimit në kohën kur po bombardonte mbi caqet ushtarake dhe policore të Serbisë”, ka thënë ai.

Selimi ka treguar se nuk e kishte paramenduar që 19 vjet pas bombardimeve Kosova nuk do ta kishte ushtrinë e saj. “Aksioni i NATO-s nuk është i lokalizuar vetëm në bombardime. NATO-ja nuk e ka pasur vetëm këtë rol. NATO-ja ka rol edhe sot. NATO-ja ka pasur rol gjatë gjithë kësaj periudhe në Kosovë. Prej asaj kohe deri sot pozicioni i Kosovës është më i favorshëm, por gjithsesi ka mbetur edhe shumëçka që ka mundur të bëhet, siç është ushtria e Kosovës. Unë nuk e kam paramenduar që Kosova nuk do ta ketë ushtrinë e saj edhe 19 vjet pas bombardimeve të NATO-s”, ka thënë ai.

Gucati: Nuk kam mundur ta gëzoj këtë ditë për shkak të shokëve të rënë

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka treguar se nuk ka mundur ta gëzojë mirë këtë ditë, siç ka thënë ai, për shkak të shokëve që kanë rënë dëshmorë. “Nuk mundem ta përshkruaj atë ditë, sepse unë kam qenë edhe i plagosur në atë kohë kur kanë hyrë forcat e NATO-s në Kosovë, sepse unë jam plagosur me 10 qershor. Nuk ka pasur gëzim më të madh jo vetëm për mua, por për të gjithë qytetarët e Kosovës kur kanë hyrë forcat e NATO-s. Unë kam pasur një parandjenjë shumë të mirë, unë nuk kam mundur të gëzoj aq mirë hyrjen e tyre pasi shumë shokë më janë vrarë dhe kanë rënë dëshmorë, por sidoqoftë falë gjakut të tyre ne sot jemi të lirë”, ka thënë ai për  “Zërin”.

Gucati ka treguar se Kosova ka humbur shumë dëshmorë gjatë sulmeve të forcave serbe.

“Falë bisedimeve që u mbajtën në Rambuje morën një vendim të qëlluar për ta ndihmuar Kosovën, për ta çliruar vendin. Ne sot e gëzojmë lirinë falë UÇK-së dhe NATO-s, që na ndihmuan dhe e çliruan vendin nga serbët. Ne sot e gëzojmë këtë ditë me një humbje duke e ditur se afro 20 mijë persona janë vrarë, por falë gjakut të tyre ne sot jemi të lirë”, ka thënë ai.

Demaj: NATO-ja ka shpëtuar popullin nga gjenocidi

Historiani Frasher Demaj ka treguar se ndërhyrja  e forcave të NATO-s në Kosovë ka shpëtuar popullin nga gjenocidi. Sipas tij, fillimi i bombardimeve ishte shpresë për të gjithë shqiptarët.

“Fillimi i bombardimeve të NATO-s ishte shpresë për të gjithë shqiptarët, të cilët po vuanin nga terrori i Serbisë, që çdo ditë e më shumë po merrte përmasa me pasoja të mëdha për popullsinë civile shqiptare, që ishte dëbuar prej shtëpive të veta. Njësitet e uniformuara dhe paramilitare serbe plaçkitnin, arrestonin, dhunonin gratë dhe vajzat dhe vrisnin, posaçërisht meshkujt e moshës madhore e ndonjëherë edhe pleq, gra e fëmijë, siç është rasti i masakrës së Izbicës, Reçakut, Mejës, Qirezit, Likoshanit, etj.”, ka thënë ai për “Zërin”.

Sipas tij, policia serbe gjatë asaj kohe ka synuar ta sakrifikojë popullsinë civile dhe pastaj ta akuzonte NATO-n për vrasjet që bëheshin. “Një gjë është e sigurt, NATO-ja nuk kishte për qëllim të shënjestronte popullsinë civile të asnjë nacionaliteti. Madje ushtria dhe policia serbe në vazhdimësi bënte përpjekje që të instrumentalizonte popullsinë civile serbe duke e detyruar të qëndronte nëpër ura, sheshe, afër shënjestrave ushtarake, etj. për t’i sakrifikuar ata dhe për të krijuar argument që pastaj ta akuzonte NATO-n për vrasje të popullsisë civile. Kurse NATO-ja kishte burimet e veta të informacionit sidomos bashkëpunimi me UÇK-në që e ndihmonte shumë për të marrë informacione të sakta për lëvizjen e forcave serbe në terren”, ka thënë ai.

Ndërsa edhe Demaj ka rrëfyer përjetimet e tij të vështira gjatë vitit 1999.

“Unë në atë kohë si mësimdhënës fare i ri kam jetuar ne lagjen ‘Ulpiana’ në Prishtinë. Rrymë nuk kishte, telefonat u ishin ndërprerë të gjithë shqiptarëve, vetëm ndonjë telefon që ishte në emër të serbëve ose malazezëve funksiononte. Bukë nuk kishte (të rralla ishin furrat që punonin), njerëzit (sidomos shqiptarët) nuk lëviznin nëpër qytet për arsye sigurie. Në ‘Ulpianë’ nga data 24 mars filloi dëbimi masiv i shqiptarëve nga banesat e tyre në drejtime të ndryshme, çdo ditë e më shumë krijoheshin grupe paramilitare nga serbë lokalë, malazezë, boshnjakë e sidomos romët e armatosur dëbonin e plaçkitnin shqiptarët, madje edhe i rrihnin e torturonin”, ka treguar ai.

Islami: Kosova tani është e sigurt

Tashmë, 19 vjet pas bombardimeve të NATO-s, ekspertët e sigurisë konsiderojnë se Kosova nuk rrezikohet ushtarakisht.

Eksperti i sigurisë Avni Islami ka thënë për “Zërin” se kufijtë e Kosovës janë të sigurt.

“Si rezultat i kësaj sot Kosova është e lirë dhe natyrisht në bashkëpunim të ngushtë me UÇK-në, por që vetëm njëra nuk mund ta fitonte betejën. Kufijtë e tanishëm të Kosovës i garanton edhe Rezoluta 1244 dhe NATO-ja. Unë nuk besoj që Kosova rrezikohet ushtarakisht qoftë nga Serbia dhe qoftë nga një vend tjetër, por që lufta dhe strategjia e shtetit serb ka ndryshuar në raport me Kosovën”, ka theksuar ai.

Sipas tij, Serbia do të mbetet armik i përbetuar i popullit shqiptar.

“Kësisoj u bënë 19 vjet dhe duke pasur parasysh që Serbia edhe për një kohë të gjatë do të jetë një armik i përbetuar i popullit shqiptar dhe vazhdimisht përpiqet që të gjejë mënyra ta ketë influencën e saj në Kosovë. Serbia po përpiqet të ketë ndikime në forma të ndryshme në Kosovë”, ka treguar ai.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje