Shqipëria e pesta në botë për naftën e shtrenjtë, sipas fuqisë blerëse. Ja sa shumë taksa paguajmë në një litër

29 Mars 2018, 09:14Ekonomia TEMA

Shqipëria renditet e pesta më e shtrenjtë në botë përsa i përket çmimit të karburanteve në krahasim me të ardhurat për frymë, pas Moldavisë, Indisë, Jordanisë dhe Marokut. Të dhënat janë përpunuar nga “Monitor”, bazuar në informacionin mbi çmimin e benzinës që jepet nga Global Price Petrol dhe të ardhurat për frymë sipas metodës së fuqisë blerëse, të Bankës Botërore. Treguesi mat përballueshmërinë, në bazë të përqindje së të ardhurave ditore që duhet për një litër karburant.

Çmimi i benzinës, që merret për referencë nga Global Price Petrol ishte 1.68 dollarë/litër në Shqipëri, në nivele të ngjashme me shtete që kanë të ardhura për frymë shumë më të larta sesa Shqipëria, si Gjermania, Belgjika, Holanda, Danimarka, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia etj. Në vlerë absolute Shqipëria renditet e 23-a më e shtrenjtë në botë. https://www.globalpetrolprices.com/gasoline_prices/

Shqiptarëve u duhen 5.3% e të ardhurave ditore për të blerë një litër karburant. Ndonëse Norvegjia, psh, ka ndër çmimet më të shtrenjta në botë të naftës në vlerë absolute (2.05 USD/litër), qytetarët e saj mund ta përballojnë fare mirë, pasi u duhen vetëm 1.3% të të ardhurave ditore për të furnizuar makinën me një karburant.
Maqedonasve dhe malazezëve u duhen 3.2% të të ardhurave ditore, serbëve 3.7%, ndërsa shtetasve të Kosovës 3.9%. Greqia e ka këtë tregues 2.6%, ndërsa Italia 1.8%, Bullgaria 2.4%.

Në Moldavi, që është më e shtrenjta në botë për karburantet, sipas fuqisë blerëse, duhen 7.3% të të ardhurave ditore për të blerë një litër karburant.

Pse e paguajmë kaq shtrenjtë naftën?

Taksat e larta që paguajmë për naftën janë arsyeja kryesore se pse Shqipëria ka çmime kaq të shtrenjta të karburanteve, ku 60% të çmimit e përbëjnë taksat.

“Monitor” krahasoi strukturën e çmimit të naftës në Shqipëri dhe Maqedoni:
Në Maqedoni, sipas të dhënave zyrtare, nafta kushton aktualisht 63 dinarë maqedonas, ose 130 lekë, ndërsa në Shqipëri nafta kushton mesatarisht rreth 170 lekë, apo rreth 30% më e shtrenjtë. Më poshtë jepet e detajuar se si formohet ky çmim:

Çmimi i blerjes në port llogaritet i ngjashëm për të dy vendet, në rreth 53 lekë për litër në Shqipëri dhe 60 lekë për litër në Maqedoni, pasi ka kosto më të larta transporti për shkak të mungesës së portit. (një ton naftë sot blihet në bursa me rreth 600 dollarë)

Në Maqedoni, taksat direkte mbi naftën janë vetëm akciza, me rreth 28 lek për litër (0.2 cent për litër) dhe TVSH, në rreth 20 lekë për litër (norma e TVSH-së në Maqedoni është 18%, ndërsa zbatohet mbi një çmim 30% më të ulët se në Shqipëri).

Ndryshe nga Shqipëria, Maqedonia nuk e ka taksën e qarkullimit të përfshirë në çmimin e naftës, por e merr direkt tek automjetet.

Në Shqipëri nafta taksohet si vijon: Akciza, 37 lekë për litër; Taksa qarkullimit, 27 lekë për litër; Taksa karbonit, 3 lekë për litër. Krahas tyre, vitet e fundit në kosto janë përfshirë dhe tarifa e markimit dhe ajo e skanimit, nga 1 lekë për litër secila. TVSH totale arrin në 28 lekë për litër.

Në total, në Maqedoni taksat direkte janë rreth 48 lekë për litër dhe në Shqipëri 97 lekë për litër, pra dyfishi.
Krahas tyre, në Shqipëri është rritur ndjeshëm tarifa e rilicencimit të pikave të tregtimit të karburanteve, që sipas operatorëve llogarit një kosto shtesë prej 3-5 lekë për litër. Kosto të tjera përfshijnë tarifat për Inspektoriatin Qendror Teknik, taksë tabele, taksë reklame, amortizim etj, që duke shtuar dhe një marzh fitimi e çojnë çmimin final në rreth 170 lekë për litër, ose rreth 30% më shtrenjtë se në Maqedoni.

Taksa për rrugën Durrës-Kukës

Aktualisht qytetarët shqiptarë paguajnë rreth 120 milionë euro taksa nga qarkullimi (507 milionë litra naftë konsum vjetor me 2016 x 32 lekë taksë qarkullimi + TVSH).

Ndërkohë fondet që akordoi buxheti i shtetit për mirëmbajtjen e rrugëve në vend vitin e kaluar, duke përfshirë edhe Rrugën e Kombit ishin rreth 3 miliardë lekë ose 22 milionë euro. Kjo shumë është sa 18 për qind e taksës që u vol me 2016 nga qarkullimi dhe që ka destinacion mirëmbajtjen.

Këto fonde vlerësohen të mjaftueshme për të bërë mirëmbajtjen e të gjitha rrugëve në vend. Nga Financat nuk ka transparencë se si përdoren këto të ardhura.

Për herë të parë, Shqipëria ka nisur zbatimin e sistemit të rrugëve me pagesë, përmes dhënies me koncesion të mirëmbajtjes së segmentit Milot-Morinë, ku tarifat janë 5 euro për veturat dhe 22.5 euro për kamionët, sërish ndër më të lartat në Europë. Nga ana tjetër, juristët kanë pohuar se ato mund të ankimohen në gjykatë, për shkak se cenohet parimi kushtetues se nuk mund të paguhen më shumë se dy lloje taksash për të njëjtin funksion.(Monitor) 

2 komente në “Shqipëria e pesta në botë për naftën e shtrenjtë, sipas fuqisë blerëse. Ja sa shumë taksa paguajmë në një litër”

  1. Damiani says:

    Rrobt ku ti kene Kastrati dhe gjithe plehrat e tjere. Mos i hengshin me gjithe Ministra. Vdekshin ishalla. Na shkatarrun makinat me nafte Ballshi keta bastarde, hajduta.

  2. analiza says:

    Jeni dakort me ke arsyetim rreth cmimit aktual te naftes?

    Dikur kur paguanim taksat e makines ,kishim keto taksa:
    taks Karboni 70 mije per benzin dhe 100 mije per naften,
    takse qarkullimi 150 mije lek
    takse regjistrimi sipas vitit te makines dhe tarife kualidimi 20 mije lek.
    Pra ne total rreth 250 mije lek ne vit takse qarkullimi dhe karbini ,keto para 8 apo 10 vjetesh te cilat paguheshin nje here ne vit
    Sot paguhet vetem kualidim dhe takse regjistrimi.
    Dy taksat e tjera jane te cmimi i naftes me arsyetim qe kush i pedor rruget me shume do paguaje me shume dhe kush ndot me shume paguan me shume.

    Nje person qe ka nje makine dhe harxhon , te themi ,100 litra ne muaj per aq sa i duhet te shkoje e te vije nga puna dhe per ndonje nevoje tjter, paguan per liter nafte 27 lek takse qarkullimi e cila eshte e perfshire ne cmimin e naftes. Ne total bejne 27 lek per litra , e shprehur ne vlere monetare ne27x100=2700 lek ne muaj ose rreth 324 m1je lek ne vite.
    Kjo do te thote se kemi paguar pothuajse te njejten qe ke paguar edhe me pare me nje diference 50 mij lek vite.
    Por ndryshimi eshte ky qe nuk i pagun ne fund te vitit KESH por pak e nga pak tek cmimi i naftes.
    Duke bere nje kalkulim te cmimit te naftes sot ne treg nese i zbresim keto taksat e qarkullimit dhe te karbonit qe dikur i paguanim KESH ne dore kemi”

    170 cmimi aktual -27 lek taksa-3 lek carboni=140 lek ose 140 lek/132=1.06 euro.
    Pra ky do ishte cmimi nese ne do te paguanim taksa si me pare.
    Po kaq eshte dhe ne vendet fqinje si Kosova apo maqedonia

    Lind pyetja.Pse nje njeri qe e perdor vetem 1 muaj makinen ose 10 mije km ne vite duhet te paguaje 300 mije lek ne vit dhe nje qe bene 100 mije km te paguaje po 300 mije?????? Kjo me menyren e vjeter te pagimit te taksave
    Une them se duhet te paguaje me shume ai qe i perdor rruget me shume dhe ndote me shume ajrin. Ju si mendoni cili variant eshte me i drejte?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje