Me sloganin “Shqipëria në punë”, u zhvillua sot forumi për Strategjinë e re të Punësimit që po harton qeveria. Në panelin e të ftuarve morën pjësë, Kryetari i Grupit Parlamentar të Punës ngarkuar për këtë strategji,Akademik, Prof. Dr, Anastas Angjeli, Ministrja e Arsimit, Sporteve dhe Rinisë,Lindita Nikolla,Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes,Sonila Qato,Kryetari i Bashkisë së Tiranës,Erion Veliaj , Kryetari i Dhomës së Tregëtisë dhe Industrisë ,Nikolin Jaka si dhe deputetët anëtarë të grupit të punës: Milva Ikonomi, Evis Kushi, Arben Pëllumbi.
Në këtë forum u diskutuan me përfaqësuesit e biznesit,jo vetëm disa nga problematikat më të mprehta të tregut të punës në Shqipëri,por edhe prioritetet e zhvillimit të punësimit në vazhdim.
“ Qëllimi i këtij dokumenti është përveçse një analizë e situatës aktuale të ofrojë të gjithë instrumentat dhe mekanizmat në mënyrë që të ndiqet drejtimii i duhur për të ulur papunësinë. Kjo do të arrihet nëpermjet politikave të reja duke ndërhyrë veçanërisht në ata sektorë prioritarë të cilët gjenerojnë vende të reja pune”, u shpreh kryetari i grupit të Punës, Anastas Angjeli.
Ai gjatë prezantimit theksoi se dy rrugët e ndërhyrjes për të ulur varfërinë janë rritja e zhvillimit ekonomik dhe instrumentat mbështetës financiar për çdo vend pune në profesione të veçanta.
Duke evidentuar disa nga problematikat aktuale të tregut të punës në Shqipëri, mes të cilave punësimin e të rinjve, barazia gjinore në punë dhe mospërputhja e kërkesës dhe ofertës së tregut të punës, në fokus të strategjisë së re të punësimit do të jenë disa politika të reja të cilat pritet të ndiqen veçanërisht në ristrukturimin e arsimit profesional, duke marrë modelin e vendeve të zhvilluara të Europës.
Përfaqësuesit e biznesit nga ana e tyre, ngritën shqetësimin për mungesën e profesionistëve të kualifikuar veçanërisht në disa fusha specifike.
Gjatë forumit u diskutua gjithashtu edhe për nevojën e ndryshimit të mentalitetit dhe kulturës në lidhje me punësimin, ristrukturimit të zyrave të punës, unifikimin e fondeve për punësim , dhe nevoja për të stimuluar tregun dixhital të punës .Propozimet e dhëna do të jenë pjesë e strategjisë , konsultimet për të cilën do të vijojnë edhe me grupet të tjera interesi.