Një video e publikuar tregon momentin e një aksioni të forcave speciale amerikane dhe ato afgane për neutralizimin e një celule të ISIS-it në Afganistan.
Pamjet janë publikuar nga Departamenti i Mbrojtjes gjatë të martës, ku aksioni i zhvilluar në provincën Jowzjan rezultoi i suksesshëm.
Në video shihen forcat speciale amerikane dhe ato afgane duke zbritur nga helikopterët ushtarakë në një zonë rurale në Afganistan, dhe më pas fillojnë të shtënat e armëve dhe bombardimet kundër celulës së ISIS-it në atë vend, shkruan Daily Mail.
Sipas zyrtarëve amerikanë, aksioni ka rezultuar me vrasjen e një komandanti të lartë të ISIS-it dhe disa militantëve të tjerë të kësaj organizate terroriste.
“Operacioni për zmbrapsjen e luftëtarëve të ISIS-it në Jowzjan, është vazhdimësi e operacioneve të përbashkët të forcave speciale amerikane dhe atyre afgane”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes.
ISIS ka qenë përgjegjëse për disa nga sulmet terroriste më vdekjeprurëse ndaj civilëve në Afganistan dhe forcat amerikane në vend janë përqendruar në ndalimin e aftësisë së grupit për të sjellë luftëtarë në rajon.
Misioni brenda natës më 26 dhe 27 mars është i fundit në një varg fitoresh të kohëve të fundit mbi ISIS-K, sipas Departamentit të Mbrojtjes.(TemA TV)