Ky parlament nuk e përfaqëson Shqipërinë!

13 Prill 2018, 09:28Blog TEMA

Nga Ben Andoni

Etika përmbledh principet morale, që drejtojnë sjelljen e një individi apo shoqërie. Kurse standardet e larta profesionale-legjislative dhe etike të parlamentarëve janë parakushte të rëndësishme që orientojnë besimin e publikut në punën e parlamentit në përgjithësi dhe në integritetin e vërtetë të atyre që na përfaqësojnë.

Kjo është teorikisht sepse është turp të shikosh përbërjen, produktin dhe mënyrën e zhvillimit të punës në parlamentin shqiptar të legjislaturave të fundit. Sistemi zgjedhor, që i lë kreut të partisë të zgjedhë listën përfaqësuese ka sjellë një pështjellim dhe shpërfilljen e hapur të Kodit Etik. Kodi, për të cilin u fillua punë prej propozimit të OSBE-së në vitin 2015, mëtonte të ishte një dokument i rëndësishëm referimi për publikun, mediat apo organizatat jofitimprurëse, këto të fundit që edhe do mbikëqyrnin dhe informonin në të njëjtën kohë edhe publikun për jetën parlamentare dhe politike në vend. Ai do të rregullonte të gjithë punën e parlamentit, por edhe do të ndikonte në cilësinë e produktit të tij. Një gjë e cila jo thjesht nuk vërehet, por lë shumë për të dëshiruar. Fjalimet e deputetëve shqiptarë mund të jenë shembull i nivelit mediokër por edhe pasqyrë e përmbajtjes boshe të tyre, përfshi dhe të shumtët që u përgatiten fjalimet dhe nuk dinë t’i lexojnë.

“Deputetit i ndalohet të paraqitet në gjendje të mungesës ose të uljes së ndjeshme të ekuilibrit fizik dhe/ mendor për shkak të konsumimit të alkoolit ose të substancave narkotike”, thuhet veç të tjerave në dokumentin e fundit për përgatitjet e Kodit të Ri, që në fakt këtij parlamenti të paedukatë nuk i duhet asfare…Pasi, në të vërtetë, shumë nga deputetët shqiptarë nuk janë të pirë, por krejt të shpërfytyruar nga protagonizmi bosh para Ekranit.

E pse duhet vallë Kodi në Parlament? Duhet, sepse ende besohet që gjithnjë publiku të ketë besim në punën e parlamentit. Duhet po ashtu të shmanget çdo keqkuptim dhe t’i bëhet fanar deputetëve për interesat e tyre profesionale dhe atyre të jetës së tyre publike. Duhet, mbi të gjitha, që njerëzit të binden se politikanët e tyre po përmbushin një standard të kujdesit në kryerjen e punës parlamentare.

Të gjitha këto janë në letër, sepse në realitet janë ata. Janë gati dy grupime që shpesh kthehen në banda, të drejtuara nga liderët e tyre për t’u kacafytur keqazi.  Shqipëria parlamentare sot është Shqipëria e deputetëve që tregojnë armët, që shajnë e ofendojnë gjithkënd dhe nuk i hyn gjemb në këmbë, që marrin nëpërkëmbë grupe të margjinalizuara me kryetarë që ofendojnë dhe bëjnë bejte me fallusin, njerëz që të godasin me gjithçka, pa ndryshim gjinie. Në këtë parlament ka pasur deputet të plagosur, të grushtuar rëndom dhe lapërdhi të patreguara, një vend ku emrat e organeve gjenitale përdoren lehtësisht dhe një vend bejtesh.

Ky i fundit parlament i ka vend kapakun mendimit popullor se ai nuk e përfaqëson Shqipërinë, por mejhanet e saj, pasi realisht të zgjedhurit e dy-tre njerëzve nuk mund të përfaqësojnë qindra mijëra shqiptarët votues, që nuk dallohen qoftë nga kultura, morali dhe kodi i etikës me këta të pacipë, që kanë dhe mbahen me mandatin e deputetit shqiptar.

7 komente në “Ky parlament nuk e përfaqëson Shqipërinë!”

  1. Moj shqipni e mjera shqipni says:

    Je nder te vetmit (gazetare) njerez te mire dhe intelektual, qe lexoj me shume deshire, shkrimet e tua te pakta por te sakta. Por ne kete Shqiperi te mjere, mendoj se nuk te kupton njeri.

  2. Anarko-Sindikalisti says:

    E perfaqeson dhe ne menyren me te mire! Eshte pasqyra besnike e nivelit arsimor, kulturor, moral. Krunde, trushkulur, edepseze e batakçinj keto jane karakteristikat kryesore te pjeses me te madhe te arnautoviçianopullos-ve. Nese s’te pelqen futju vete politikes, ose po ta mbajti behu eskimez, hawaian apo tahitian!

  3. Albert Ajnshtajn says:

    “Ai stan atë bylmet ka!”
    Ç’mund të presësh më shumë nga deputetë si Flamur Noka, Ervin Salianji apo djalit të Fahri Balliut?!
    Nuk e kuptoj se ç’lidhje kanë këto personazhe cirku me Partinë Demokratike!

  4. @autori says:

    I dashur Ben!
    Sa kohe qe populli voton per kryetaret e partive (lexo kryetaret e bandave) parlamenti do jete plot me gangstere, hajdute e kriminele qe pervec instiktit te vjedhjes, kane kryesisht ate te ruajtjes te “kryetarit te fisit” (bandes). Te thuash qe ky parlament nuk eshte perfaqesues ne Shqiperi, une mendoj se te gjithe mercenaret, nuk jane te importuar por jane prodhim vendi dhe pjelle e ketij populli. Sa per skenat qe cfaqen ne parlament, pervecse jane te ekspozuara me shume para kamerave, nuk ndryshojne nga ato qe ndodhin cdo dite ne mjediset tona shoqerore dhe private. Ndryshimi i vetem eshte se ne parlament ato jane te stisura, ndersa ne rruge behen spontane. Cdo sjellje apo veprim i “opozites” me “poziten” jane thjesht skema loje te kordinuara me pare midis “kundershtareve” per te spostuar vemendjen e popullit te revoltuar, qe pret me kot rezultatet e Vetting-ut, sikurse ndodh me Godo-ne e Samuel Beckett-it. Tani me thuaj, i dashur Beni: A e meriton ky popull parlamentin qe vete e ka votuar?

  5. Anarko-Sindikalisti says:

    Si ore s’kane lidhje me PD-ne keta? Jane yllka shembullore, ne krahasim me bashibozukun Hajdar e ogurziun Sali !

  6. ermal says:

    ‘Ky parlament nuk perfaqeson Shqiperine, por mejhanet e saj’ – eshte nje fjali qe besoj se do te hyje ne Histori.

  7. pensionistja says:

    respekt per shkrimin shume inteligjent dhe me shume sinqeritet ,por ma ha mendja se ata per te cilet e ke shkruar as qe ta vershellejne tyja ,jo juve personalisht por njerzve te ndershem si ju,e gjithe popullin qe gjoja perfaqsojne,,,,, bjeri ,bjeri thone se i bike bukur ,,,,,,,,,,keshtu gazetar i dashur ketu ska nevoj as per shkrime e as per edukate me keta lapanjoz,ndyresira, kriminela ,hajdute e keshtu mund te vazhdoj pa mbarim epitetet per kete klase gjoja politike ,,,,,,,,,,,,,,,,,,

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje