Duro i ruajti energjitë për Skënderbeun, duhet një Flamurtar sa më i freskët në Kupë

15 Prill 2018, 14:57Sport TEMA

Flamurtari u kthye te fitorja në “Roza Haxhiu” të Lushnjës, ku shënoi 2 gola me anë të Nedeljkoviç dhe Useinit. Të dy realizuan golat e parë zyrtarë me fanellën e skuadrës vlonjate.

Një fitore, që në renditje nuk ndryshon asnjë, pasi Flamurtari mbetet në vend të 6-të, por ka vlera morale para një sfide shumë të rëndësishme, siç është ndeshja e kthimit gjysmëfinale e Kupës së Shqipërisë me Skënderbeun, që luhet të mërkurën. Po ashtu, vlonjatët largohen më shumë nga zona e ftohtë dhe janë më të qetë për 7 javët e mbetura.

Trajneri Shpëtim Duro kishte vendosur që në Lushnjë të ruante energjitë pikërisht për të mërkurën. Ai nuk aktivizoi sulmuesin Danilo Alvesh, ndërkohë që mesfushori Useini u hodh në fushë në pjesën e dytë.

Alvesh duhet të jetë i freskët ndaj Skënderbeut, ndaj dhe nuk luajti asnjë minutë, aq më tepër që vinte nga një dëmtim, Edhe Useini kishte nevojë për çlodhje, pasi ka luajtur në çdo ndeshje të Flamurtarit.

Pozitiv është fakti që Nedeljkoviç u zhbllokua në ndeshjen e fundit, duke shënuar golin e parë, por edhe rikthim i Zhufos, i aktivizuar disa minuta, është i rëndësishëm.

Flamurtari nuk ka të gatshëm të mërkurën kapitenin Bushiç, por edhe sulmuesi tjetër Kamara nuk mendohet se do të luajë.

Kupa e Shqipërisë është shumë e rëndësishme për vlonjatët, të cilët kanë fituar në Korçë 0-1 dhe duhet ta menaxhojnë sa më mirë ndeshjen e kthimit, për të qenë ata në finale.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje