Kategoria Superiore/ Skënderbeu fiton ndaj Kamzës

14 Prill 2018, 21:01Sport TEMA

Rikthimin e titullit të sezonit 2015-2016 nga KAS, Skënderbeu e feston me fitore.

Në Korçë bardhekuqtë e Dajës mposhtën 3-2 Kamzën duke e çuar sërish në +12 avantazhin ndaj Kukësit ndjekës në renditje, me Skënderbeun që ka nevojë për vetëm 9 pikë në 7 javët e mbetura për të fituar edhe matematikisht titullin kampion.

Nisi me humbje aventura e Julian Ahmataj në stolin e Kamzës me skuadrën kryeqytetase që pësoi humbjen e 4-ët radhazi duke përkeqësuar akoma edhe më shumë pozitat në klasifikim me Kamzën që tashmë rrezikon seriozisht mbijetesën.

Golin që zhbllokoi shifrat e realizoi Gjergji Muzaka në minutën e 17-të, drejtëpërdrejtë nga goditja e këndit me topin që mori një trajektore të çuditshme duke përfunduar në rrjetë.

Në të 28-ën Ali Sowe kthehu në gol 11-metërshin e fituar nga James dhe të shkaktuar nga Zguro duke e çuar rezultatin në 2-0, por Kamza nuk u dorëzua dhe barazoi shifrat përpara pushimit mes dy pjesëve me dy gola të shpejtë.

Fillimisht realizoi sulmuesi Ermir Rezi, ndërsa Zguro në të 45-ën shleu gabimin në rastin e penalltisë duke realizuar një supergol.

Megjithatë festa e skuadrës nga periferia e kryeqytetit zgjati vetëm në dhomat e zhveshjes sepse menjëherë pas kthimit të skuadrave në fushë James këtë herë shënoi vetë duke i dhënë avantazhin 3-2 Skënderbeut, por edhe fitoren sepse ky gol rezultoi deçiziv pasi deri në fund, shifrat nuk ndryshuan më. (SS)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje