Trajneri i Partizanit, Klevis Dalipi, ka folur pas humbjes së thellë të pësuar në transfertë kundër Kukësit me rezultatin 4-0.
Trajneri i të kuqve iu drejtua drejtëpërdrejt lojtarëve se duhet që ta meritojnë atë fanellë me performancën e tyre në fushë dhe jo fjalë.
“Patjetër që mungesat e bënë më të vështirë se të lëvizësh shumë lojtarë në fushë në një ndeshje kaq të rëndësishme nuk është e lehtë. Mungesën e Ibrahimit u munduam ta plotësojmë më Prognin, por linja e prapavijës duhet të ketë mentalitet të tillë. Nuk është se bëri keq, por humbëm para nga eksperienca e tij. Në momentin e fundit erdhi lajmi se Belica nuk aktivizohej dot, u mundova të karikoja Atandën, i cili nuk luajti keq, por koha e gjatë jashtë fushës bëri që të mos merreshin vesh mirë sot. Belica me Gojkoviç, falë gjuhës, komunikojnë edhe në fraksion sekonde, ndikon, si në rastin e Gurit.
Para ndeshjes u thashë lojtarëve që të jemi me këmbë në tokë, nuk kemi fituar asgjë, kemi fituar betejën por jo luftën. Kam punuar gjatë javës për të ulur euforinë, por ajo ndjesi jo e mirë m’u shfaq sot në minutat e para. I porosita që terreni nuk na lejon, të mundohemi të bëjmë luftë, të dalim te ajo që dimë më të mirë, si për meritë të Kukësit që shfrytëzoi më së miri episodet standarde duke kaluar dy herë në avantazh që futi në vështirësi skuadrën.
Në pjesën e dytë u mundova ta zgjoj ekipin, e ritheksoj, nuk është kjo fytyra e skuadrës tonë, nuk shfaqëm asgjë sot në asnjë lloj aspekti. Më vjen keq që lojtarët me eksperiencë duhet ta meritojnë, se kjo fanellë vlen më shumë se kushdo, duhet ta meritojnë edhe ata që dolën, duhet ta tregojnë me punë jo me fjalë. U bëj thirrje që duhen vepra, jo 5 javë mirë, e 1 javë të ulësh ritmin. Luftëtarët vazhdojnë ritmin”, deklaroi Dalipi.
Kurse trajneri i Kukësit Peter Pakult u shpreh:
“Ta them të drejtën nuk e kam pritur rezultat të tillë. Partizani ishte ekipi më në formë dhe javët e fundit ka bërë ndeshje shumë të mira.
Normalisht që jo. Matematikisht nuk ka mbaruar asgjë. Është gjë e mirë, sepse Partizanin e mbajtëm mbrapa. Ka edhe më shumë ndeshje. Kampionati është akoma i gjatë dhe nuk ka mbaruar asgjë.
Sot e kishim detyrim të luanim shumë më mirë se në 2 ndeshjet e kaluara. Mendoj që pjesën e parë arritëm ta kontrollonim ndeshjen falë golave të shënuar. Gjërat shkuan mirë edhe në pjesën e dytë.
Jam i zhgënjyer që Nexhipi ka luajtur te Partizani, pasi ishte një humbje e rëndë. Sa i përket Gurit po bën një punë shumë të mirë, po ritet nga ndeshja në ndeshje. Besoj se është i gatshëm të luaj në një kampionat tjetër më të fortë. Duhet ta komplimentoj ekipin për ndeshjen. Guri nuk mund të luaj dot vetë. Jam i lumtur për fitoren”, tha Pakult.