Flamurtari ka zgjedhur trajnerin e ri që do të drejtojë skuadrën deri në fund të sezonit pas largimit të teknikut Shpëtim Duro.
Trajneri kryeqytetas u largua nga drejtimi i vlonjatëve pas eleminimit të pësuar në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë nga Skënderbeu.
Fillimisht u mendua se skuadrën kuqezi do e drejtonte zëvëndësi i tij Jeton Beqiri, por dhe ky i fundit vendosi që të largohej. Dhe në këtë mënyrë presidenca e vlonjatëve ka vendosur se tekniku i ri i ekipit të jetë Petraq Bifshaj.
Bifshaj më parë ka drejtuar dhe ekipet e Luftëtarit dhe Naftëtarit, ndërkohë që së fundmi ka qenë ndihmës i Duros te Flamurtari së bashku me Beqirin.
Flamurtari është duke kaluar një formë shumë të keqe duke marrë rezultate negative në javët e fundit. Aktualisht bregdetarët renditen në vendin e gjashtë me 40 pikë të grumbulluara dhe rrezikon mos pjesmarrjen në Kupat e Europës.