Lulzim Basha si bileta fituese e llotarisë, nga LSI!

22 Prill 2018, 18:50Blog TEMA

Nga Alfred Peza

Nëse ka një forcë politike që përfiton, një grupim interesash që gëzon dhe një vend ku bëhet gjithçka për të mos e ndërprerë për asnjë çast rrjedhën e asaj që po ndodh ditët e fundit në PD, ajo është Lëvizja Socialiste për Integrim. Nuk është e nevojshme që të kesh informacion dhe kontakte të brendshme për këtë. Mjafton të shohësh sjelljen e mediave rrotull dy partive opozitare, për ta kuptuar këtë të vërtetë kaq të thjeshtë.

Një aksiomë politikë thotë se kur konkurenti yt po gabon, gjëja më e pafalshme është që ta ndërpresësh atë. Duke e lënë të vijojë, ta thellojë dhe ta çojë deri në fund atë që PD është duke e bërë totalisht gabim, kuptohet që përfitimet e saj, shkojnë tek dikush tjetër. Sepse në jetën shoqërore të këtij sistemi ku jetojmë, asgjë nuk humbet, gjithçka veç shndërrohet nga njëra forcë politike, tek tjetra.

Përfituesja më e madhe e gabimeve të sotme të Lulzim Bashës pas ndryshimeve që bëri në statutin e PD dhe pasojave që ky hap pritet të sjellë në të ardhmen, nuk është mazhoranca. Nuk është PS. Nuk është Edi Rama. Nuk është qeveria. Ajo është opozita e re. Eshtë LSI. Eshte poli i tretë i politikës shqiptare, që vetvetiu është edhe magneti më i fuqishëm “natyral” për të thithur rreth vetes, të gjitha “grimcat”, “trupat” dhe interesat elektorale që shkëputen pas kësaj, nga fusha manjetike e opozitës së vjetër.

Ndryshimet e fundit në statut i japin tani mundësinë Lulzim Bashës që të jetë një kryetar i përjetshëm i Partisë Demokratike. Përveç aspektit të rregullave të shkruara e formale, ai nuk ndihet më i rrezikuar as nga konkurenca e brendshme, pasi të gjithë alternativat potenciale, ose u lanë jashtë grupit parlamentar, ose jashtë strukturave drejtuese, ose jashtë mundësisë për të qenë nesër sfidantë.

Sali Berisha ka heshtur. Ndoshta sepse “epoka e tij ka përfunduar”,- siç tha njëri nga kryetarët e partive aleate të PD. Vetë Lulzim Basha tha se ndryshimet që u bënë në librin e rregullave, “janë ndryshime që e ndajnë historinë e Partisë Demokratike në dy pjesë”. Pra, mbledhja e fundit e Këshillit Kombëtar të kësaj partie, shërbeu si një ceremoni për të varrosur historinë 27 vjeçare të PD së Sali Berishësh dhe për të nisur pas kësaj, jetën e re të historisë që do të quhet: Epoka e Lulzim Bashës.

“Thelbi i mbledhjes dhe i draftit “Basha” ishte mbrojtja e karriges së Lulit. Që të premten, me letra Luli do jetë i përjetshëm”,- tha Jozefina Topalli. Ndërsa Astrit Patozi në rrjetet sociale shkroi se “në partinë e Lulit është shenjtëruar “fitorja e përjetshme e humbësit”. Majlinda Bregu reagoi në kohën që po fillonte mbledhja e Këshillit Kombëtar: “E shkuara u fshi! Fshirja u harrua! Gënjeshtra u bë e vërteta!” citoi ajo “Vitin 1984” të George Orwell.

Ka shumë pakënaqësi brenda dhe jashtë PD pas këtyre ndryshimeve. Si të mos mjaftonte historia e një serie humbjesh elektorale që ka pësuar PD nën drejtimin e Bashës, e humbjes së shumë betejave politike, e humbjes së shumë personaliteteve të saj, ka edhe një humbje tjetër që ia vendos vulën e thatë humbjeve: Eshtë mungesa e qëndrimit publik të Sali Berishës për të gjithën këtë që po ndodh. Ai ka folur siç tha Edith Harxhi, “me heshtjen e tij”. Një heshtje nga ato që të shurdhon, më shumë se të gjitha ulërimat e tjera të mara sëbashku.

Ka shumë arësye që të bëjnë të besosh se hemoragjia me të cilën mund të shoqërohet e gjitha kjo, favorizon për momentin aleaten më të madhe e më të afërt të PD dhe Lulzim Bashës: LSI-në.

E para, sepse demokratët e zhgënjyer dhe pragmatistët që kuptojnë se PD pas kësaj është gjithnjë e më larg rikthimit në pushtet, shohin tek LSI barkën më të afërt të shpëtimit.

E dyta, të djathtët, sado të pakënaqur mund të jenë me LSI e Monika Kryemadhit për shkak të katër viteve të aleancës së tyre me PS dhe Ramën, përsëri e kanë më të thjeshtë të trokasin në dyert e saj pragmatiste, sesa në portat e së majtës që për ta prej 27 vitesh ka qenë armiku politik.

E treta, kjo dhuratë e vyer, i ka ardhur LSI në një nga momentet e saj më të vështira politike. Ndaj me siguri që do bëjë gjithçka për të joshur sa më shumë nga të pakënaqurit me epokën e re të Lulzim Bashës dhe prurjeve të tij të reja pa kontribute dhe identitet.

Ndaj, kur e sheh kështu, e kupton pse ka kaq heshtje gëzimi në radhët e LSI për ato që po ndodhin kohët e fundit në PD. Kanë arësye për këtë. Lulzim Basha u ka ardhur në formën e biletës fituese të një llotarie, që LSI kurrë nuk e kishte menduar se do ti binte në dorë, pas humbjes së 25 qershorit të kaluar. E kur të vjen e mira, ske çi bën. Hapi derën. Siç po përgatitet të bëjë edhe LSI tani, me të ikurit nga PD-ja historike e Sali Berishës./Alpenews.al

3 komente në “Lulzim Basha si bileta fituese e llotarisë, nga LSI!”

  1. Lisi says:

    Ngjarjet do zhvillohen ndryshe nga ç’dërdëllis Peza !
    PD e LSI janë njëllojë të urryera në popull , ulja e njërës nuk ngre automatikisht tjetrën . Koha është kundër tyre, ato të dyja do kenë të njëjtin fat- rrokullisjen . Vettingu do jetë katalizator për këtë.
    Apo jo , o analisti e politikani i shquar ?!

  2. Jimi says:

    Realitet virtual!? Everteta eshte teper larg kesaj qe parashtron autori! E vertet eshte qe situata ne PD eshte teper dramatike dhe qe kryesia dhe antaresia eshte teper e pakernaqur me qendrimin dhe veprimin e Lules, por kjo situate kurrsesi nuk favorizon LSI-n , madje do te thoshja se ata qe jane kritik ndaj tij per kete situate te krijuar ne PD, e fajsojne Lulen pikerisht per aleancen me LSI-n Ata qe ne fillimet e kesaj aleance kane qen kundershtare te rrepte te saj, pavaresisht pragmatizmit politik te treguar nga lulja dhe ata vete. Ne nje situate te mundeshme te fragmentimit te PD-s ky kontigjent opozitar, kurrsesi nuk do te preferonte ti bashkangjitej nje force politike me identitet te dyshimte dhe me rreputacion te demtuar me keq se PD-ja! Ata me mire do te pranonin te krijonin nje force te re politike sesa te beheshin bisht i Mones.

  3. llaman says:

    Nuk ka te ngjare qe figurat egshira te Pd te kalojne tek LSI. Me mundesi ka rikrijimi i nje partie te re te Pd duke e lene lulin me taborrin e tij

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje