Flamurtari, Vasil Ruci tregon “sekretin”: Qetësuam ekipin dhe luajtëm thjeshtë, Gjirokastra ndeshja kyçe

23 Prill 2018, 14:47Sport TEMA

Pa largimit të trajnerit Shpëtim Duro dhe ndihmësit të tij Jeton Beqiri, stoli i Flamurtarit iu besua Ardi Beharit dhe ky i fundit debutoi me fitore, teksa skuadra vlonjate mundi Teutën me rezultatin 3-1.

Në fakt, bashkë me trajnerin Ardi Behari u emërua në staf teknik  edhe Vasil Ruci, por ky i fundit sqaron për “Vipsport.al se pozicioni i tij është ai i konsulentit. I pyetur në lidhje me ndryshimin e menjëhershëm të Flamurtarit në fushë, ish-sulmuesi i shquar vlonjat u shpreh:

“Ishin vetëm dy ditë dhe nuk bëmë asgjë të veçantë. Ishte vazhdimi i punës së trajnerit Shpëtim Duro, për të cilin kemi respekt. Çfarë bëmë ne? Së pari qetësuam ekipin dhe i porositëm lojtarët të luanin thjeshtë, të luanin poshtë me topin dhe vetëm kaq.

Duhet pranuar se periudha që ka kaluar Flamurtari, kishte sjellë presion në ekip dhe ne në këtë plan punuam. Nëse e vutë re, skuadra reagoi mirë edhe pas disavantazhit, barazoi dhe përmbysi rezultatin. Tani shpresojmë ta kemi lënë pas periudhën e vështirë dhe të vazhdojmë kështu”.

Pozicioni

“Unë jam konsulent i stafit teknik të Flamurtarit, ndaj dhe qëndrova në tribunë dhe jo në stol. Trajnerë janë Ardi Behari dhe Petraq Bifsha, kurse unë konsulent. Duke qëndruar në tribunë, ndoshta e shikoj sjelljen e ekipit në fushë më mirë dhe kështu ndihmoj stafin”.

Gjykimi

“Nuk e kuptoj çfarë bëhet me këtë gjykim dhe isha jo pak nervoz në tribunë. Portieri ynë ia përplasi topin në trup lojtarit kundërshtar dhe arbitri dha penallti. E çuditshme… Edhe penalltia e parë është e dyshimtë, pasi gjatë aksionit kishte një faull për ne në anësore. Nuk dimë më çfarë të themi për gjykimin.”

Gjirokastra

“Flamurtari është në garë për një vend në Kupat e Europës dhe personalisht mendoj se ndeshja e radhës në Gjirokastër ka një rëndësi të veçantë. Është një ndeshje kyçe, sepse më pas e kemi kalendarin më të mirë se rivalët. Ndeshjet me ta i luajmë në Vlorë, përveç Luftëtarit. Shpresojmë shumë ta kalojmë me një rezultat pozitiv dhe në fund të arrijmë objektivin e sezonit. Do të jetë e vështirë, sepse ata kanë një ekip të mirë dhe ne kemi disa mungesa, por besojmë se do të bëjmë një ndeshje të mirë”, – ka theksuar i mirënjohuri Vasil Ruci, ish-sulmues i famshëm i Flamurtarit, aktualisht pjesë e stafit drejtues të tij.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje