T’i ndjekesh apo jo ca debate … bajate?

30 Prill 2018, 18:44Blog TEMA

Nga Petrit Brahollari

Drejtuesi e bën një emision të mirë, mesatarisht të pëlqyeshëm ose…të keq. Cilësia e një emisioni varet apo përcaktohet nga disa faktorë. Një nga kryesorët është që redaktori apo drejtuesi i tij të mendojë gjithnjë se duhet të jetë më i mirë se i mëparshmi, që shikuesit mos ta braktisin në mes, edhe duke i futur edhe ndonjë të sharë vendshe. Por, gjykoj se vendimtar është përzgjedhja e të ftuarve. Nëse futemi nën lëkurën apo mendjen e drejtuesit do të kuptojmë shpejt se përzgjedhja e panelit apo të ftuarve nuk është e lehtë. Kjo varet edhe nga vetë ata, por edhe nga preferencat e drejtuesit, të pronarit, të sponsorëve…

Gjithsesi, sa më shumë autoritete intelektuale dhe profesionale, me aftësi komunikimi dhe vetëpërmbajtjeje, shmanget ardhja nga zori e disa të ftuarve prej kohësh “të padëshirueshëm” e të mërzitshëm për shikuesit dhe “rrënues” për emisionin. Por, nga sa shohim shpesh, janë më të shumtë të ftuarit e grupit të dytë se të parë. Në qëndrimet dhe opinionet e tyre kuptohen lehtë se kanë ardhur sikur i kanë sjellë me zor dhe u duhet të bëjnë sikur vlejnë më shumë se sa duken. Nuk mungojnë edhe rastet kur ata shprehin edhe përçmim, shpërfillje, nervozizëm, zemërim, arrogancë, më së shumti artificiale se sa të natyrshme e të pranueshme. Kjo e detyron drejtuesin apo moderatorin të ndërhyjë, me dhe pa takt, t’u imponojë mendimin apo shijen e vet, mosdaljen nga shinat e politikës dhe të qëndrimeve koniunkturale të asaj medieje.

Ka edhe debate, në të cilat drejtuesi, kinse apo me llogari skenari, i hedh benzinë zjarrit të diskutimit, për të përftuar një debat, që të lërë pa mend e pa gojë sa më shumë shikues e që të reklamojë sa më shumë rolin, talentin dhe aftësitë e tij, deri aty sa të ftuarit të duken si nxënës apo studentë para tij. Në këto raste, jo pak shikues të përciptë apo të manipulueshëm, thonë me admirim: Sa gazetar dhe drejtues i zoti! Por, ka edhe shikues të vëmendshëm e me nivel, që e kuptojnë lojën dhe mendojnë ndryshe. Për këta do të ishte mirë që një i ftuar apo analist i njohur, i vënë në rolin e një kukulle apo i bërë leckë, do të fitonte jo pak pikë nëse do ta… braktiste debatin, që ia përbalt dinjitetin dhe personalitetin.

Shikuesit janë të ndryshëm, nga të gjitha llojet dhe nivelet e shkollimit, profesioneve, edukatës, kulturës. Kuptohet se jo të gjithë prej tyre e gëlltisin “llokumen” e direktivës, të mediokritetit, interesave të ngushta pragmatiste, të tifozllëkut politik, partiak, qeveritar, të nostalgjisë dhe hipokrizisë…Duke e kuptuar “hilenë” e një debati për debat apo për të mbushur minutazhin, këta individë shkojnë deri tek “divorci” me këtë emision apo program.

Mendimin e qartë dhe të dobishëm drejtuesi i emisionit e përcjell nëpërmjet intelektualëve elitarë që fton në panel. Në të kundërt, kur nuk arrin t’i tërheqë këta, do të detyrohet ta mbushë panelin dhe emisionin me llafazanë apo zhurmues, që nuk thonë gjë fare ose thonë pak gjë që mbahet mend, me konformistë me të gjithë, përfshirë edhe me pronarin e televizionit përkatës, ose me fanatikë dhe servilë të njerit krah apo të njerit lider. Të ftuar apo panelistë të këtij kallepi kuptohet se e viktimizojnë emisionin, duke rrëshqitur qëllimshëm nga tema kryesore dhe duke rënë në skematizëm dhe moralizime bajate apo të pasinqerta. Duke menduar që të reklamojnë më shumë vetveten këta analistë apo debatues, jo rrallë nuk i përmbajnë deklarimet apo qëndrimet që shprehin fryerje, mendjemadhësi, kapadaillëk, mediokritet…

Këto “lexohen” edhe nga qëndrimi i tyre nëpër kolltukët ku janë ulur, duke u shtrirë si në divane dhe duke i bërë të kërcasin, kur duhet të ndërhyjnë apo të hapin celularët për të lexuar mesazhet që u vijnë nga lart, nga shefat, partia dfhe kryetari…Në këtë kategori apo grupim ka analistë që nuk e vrasin fort mendjen për ato që thonë, si i thonë dhe kujt ia thonë. Apo që këpusin “kumbulla të papjekura”, që lëshojnë batuta të pakontrolluara e bëjnë humor të trashë, pa kuptuar se kështu bëjnë qesharakë më shumë vetveten dhe e dëmtojnë emisionin dhe televizionin përkatës. Edhe më të padurueshëm apo të padëgjueshëm janë bërë ata analistë apo debatues, që nuk e fshehin se janë dërguar si propagandistë apo komisarë nga partitë dhe kryetarët e tyre, duke u bërë qesharakë me përpjekjet për t’i mbrojtur edhe me gjethe fiku apo kur nuk mbrohen dot, për t’i kundërshtuar faktet dhe të vërtetat me sajesa dhe gënjeshtra apo me fraza stereotipe apo parafabrikate. Kështu dëgjuesi merr prej tyre mesazhin se është humbje kohe dhe raskapitje nervash t’i dëgjosh deri në fund.

Njëkohësisht bindet se ata janë edhe për t’u mëshiruar për iluzionin që kanë se mund të bëhen edhe gazetarë të mirë, duke qenë partiakë të pështirë, duke iu larguar me ndërgjegje apo bindje skllavi të vërtetës, të drejtës, të sinqertës. Duke menduar se janë të nevojshëm dhe të pazëvendësueshëm jo rrallë këta analistë nuk shqetësohen se janë bërë bajatë dhe i kanë vjetëruar dhe dobësuar kolltukët ku ulen prej vitesh. Më e keqja vjen kur pandehin se kanë edhe liri të pakufizuar apo të paçensuruar për të thonë çfarë të duan dhe si të duan, pa e vrarë mendjen se bien në llafazanëri dhe e bëjnë emisionin si sherrnajë rrugësh, trotuaresh, pijetoresh, tregjesh të gabit… Kështu këta, pa dashur, e dëmtojnë ndjeshëm parapërgatitjen, skenarin apo qëllimin e drejtuesit të emisionit, duke e vënë atë jo rrallë në siklet jo vetëm me pronarin, por edhe me auditorin.

Fatmirësisht, në të shumtën e rasteve drejtuesit ftojnë dhe kanë të pranishëm në emisionet e tyre analistë, që njihen si personalitete intelektuale, me autoritet dhe integritet, që gëzojnë respekt masiv tek qytetarët dhe auditoret, që përcjellin kulturë, edukatë, emancipim qytetar e politik dhe gjithnjë e më pak nga ata me mangësi dhe boshllëqe të pafshehshme intelektuale e kulturore. Deri këtu mirë. E keqja ndodh kur të parët nuk lihen nga zhurmuesit partiakë, që ta shprehin deri në fund mendimin e tyre dhe të kenë më shumë hapësirë. Në jo pak raste moderatori nuk arrin as të vendosë ekuilibër dhe jo më ta anojë ndjeshëm peshën e debatit tek grupi i parë, tek “kallinjtë e grurit me shumë kokrra”, duke i lënë kështu më pak kohë “gjinkallave”. Këta shpesh nuk vetëpërmbahen dhe lënë të nënkuptohet apo edhe e shprehin mesazhin plot fodullëk “ Unë di gjithçka”, “Unë jam specialist për gjithçka”, ndërsa ju të tjerët, në panel dhe jashtë ekraneve, nëpër shtëpi, zyra, lokale… më dëgjoni mua dhe mbani shënim ato që them unë”.

Në këto kushte, gjykoj se është detyra e drejtuesit apo moderatorit të emisionit që t’i edukojë apo kulturojë sado pak këta panelistë akoma të pashmangshëm dhe t’u lërë kohën apo hapësirën që meritojnë, sa për të justifikuar praninë. Ky edukim bëhet edhe duke i detyruar të dëgjojnë më me vëmendje dhe respekt kolegët me të vërtetë të kulturuar , seriozë, konstruktivë, emancipues… Kështu edhe gazetarët tanë mund të shprehin jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra njëmendsinë e tyre me gazetarin e njohur francez Schvoebel, i cili ka thënë e shkruar se “Ne gazetarët jemi mësuesit e shekullit të 20-të”. Kuptohet se kjo vlen edhe për kohën e tanishme e të ardhmen, pse jo, në të gjitha shekullin e 21.

6 komente në “T’i ndjekesh apo jo ca debate … bajate?”

  1. Optimisti says:

    Shkrim shume i mire, pergezime autorit

    1. Grigor says:

      Vërtetë shumë i mirë shkrimi. Ore, m’u duk sikur e kishte me “të madhin Blendi Fevziu”. Apo ja fus kot unë? Jo, se Blendi ka shkuar në Indi, dhe e kane pritur sikur te ishte nipi i Gandhit. Ai tha, nuk e thashë unë. Do nderroje edhe mbiemrin tha. Mendon ta beje ose Brahmani, ose Fevzi-Sutra.

  2. nuk kam faj une says:

    Por nje gje nuk e ke sqaruar mire: te gjitha kanalet televizive tani kane nje, dy apo me shume gazetare emisionesh me te ftuar per ngjarjet e dites apo politikes dhe te ftuarit qe kane ardhe ne emision me “dashe e revani” jane po te njejtet, thone te njejtat gjera, pavresishte se mund te quhen intelektuale apo profesore universitetesh kane mllef te madh per nje krahe politik qe e shprehin ashper sikur u ka marre pronat e tyre se per babain tani s’pjerdhin me. Jane bere kaq fytyra te bezdishme per shikuesin sa thone kush eshte i ftuar? Aha, preç, Marku, Gjekmarkaj, Minxhozi, Vasjari….pa le kur vije-ne te ashtuquajtur politikane si Ristani, Drida apo Saliniani…e ec e degjoi; menjehere priten dritat e televizori nuk punon se dhe ta ktheshe ne kanale te tjere te del Ylli Rakipi apo Lubonja. Fatkeqesi eshte se ne i njohim mire qe çpejt dhe nuk dheksen fare. Me mire nje ndeshje futbolli dhe neser kur bisedon me ndonje tketer flet si habitur: pse kishte emision mbreme?!

  3. Bureto says:

    Ke harruar exemplarin, të papërsëritshmin fahriderrballiun. Oh, më falni se harrova dhe qimepekën!

  4. Une,Lubonja says:

    Te gjithe qe nga Fevziu,Balla,Hila,Rakipi,Eni Vasili dhe 3600gradeshi sofisti Zheji nuk kane se si te bejne emisione te mira! Pse? Pergjigja eshte shume e thjeshte: jane te gjithe te shitur! Jane te gjithe medioker mercenare! Jane njerez pa turp te poshter deri ne idiotesi!

  5. ben says:

    A nuk ju ben pershtypje se ne emisione te tilla te gjithe flasin duke nderprere njeri tjetrin apo perdorimi i nje gjuhe vulgare nga te gjithe. Keto emisione jane te turpshme. E keqja eshte se ne nuk kemi gazetare, por ashtu sic i quan Rama: “Kazan mediatik”. E c’mund te presesh nga Arian Cani and Co

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje