“Demokracia dixhitale” e Edi Ramës dhe opozita

3 Maj 2018, 08:55Blog TEMA

Nga Alfred Peza

Në fjalën e mbajtur fundjavën e kaluar para Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Edi Rama përdori për herë të parë ndoshta në public, termin “demokracia dixhitale”. Në një forum të lartë politik të partisë që drejton, ku flitet kryesisht për punët e brendshme për të dhënë mesazhe për njerëzit jashtë, ky togfjalësh kaloi pa u vënë re dhe sigurisht që nuk u shtjellua.

Duke qenë se Kryeministri tashmë po e ushtron me kohë të plotë “demokracinë dixhitale” në Shqipëri, me siguri që do dëgjojmë gjithnjë e më shpesh të flitet për të. Ndaj, ndoshta është e nevojshme që të flitet pak më shumë për të. Në mënyrë që të ketë një kuptim më të qartë për domethënien, mënyrën se si ajo po fiton qytetarinë, si ka nisur të zbatohet, rolin që mund të luaj dhe pasojat që mund të sjellë në kulturën tonë politike dhe sistemin demokratik në Shqipëri.

Shkak për këtë shkrim u bë veç përdorimit të termit “demokracia dixhitale” nga Rama, edhe botimi i një të dhëne interesante që ka dalë nga një studim i bërë nga “Twiplomacy”, një institucion që monitoron rrjetet sociale të liderëve politikë dhe organizatave në të gjithë botën. Sipas gjetjeve të tij, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama renditet mes 10 kryeministrave të botës (i pari Donald Trump, e më pas shefi i qeverisë indiane, kanadeze, etj) që rezultojnë si ndër më interaktivët në faqet e tyre të facebook-ut.

Çfarë është “demokracia dixhitale”

Termi sipas drejtshkrimit të gjuhës shqipe në fakt është “Demokracia digjitale”, por në zhargonin e përditshëm popullor, ka fituar qytetarinë përdorimi i gjerë i fjalës “dixhitale”.

Politologjia moderne e përcakton atë, si “E-democracy” ose si “demokracia e internetit”. E cila nuk është gjë tjetër veçse një sistem informimi dhe komunikimi për promovimin e demokracisë, nëpërmjet teknologjive të reja të komunikimit masiv në shekullin e XXI.

Si duhet ta kuptojmë “E-democracy”-në

Revolucioni që solli “rrjeti i gjerë botëror” (www) ose interneti për njerëzimin në këto pak dekada të fundit, si dhe përdorimi masiv i rrjeteve sociale, e ndryshuan njëherë e përgjithmonë mënyrën e komunikimit.

Për rrjedhojë, ka ndryshuar njëherë e përgjithmonë, edhe mënyra e informimit të njerëzve. Gjë që ka ndikuar edhe raporti i qeverisësve me të qeverisurit, i liderëve politikë me votuesit dhe taksapaguesit. Për rrjedhojë ka ndryshuar kryekëput edhe mënyra e komunikimit të elitës politike me qytetarët, me votuesit, me përkrahësit dhe kundërshtarët. Por edhe mënyrën e të bërit të fushatave elektorale, arti i qeverisjes dhe praktika e ushtrimit të pushtetit.

Bota ka pushuar së qeni vertikale si deri më sot, nga pikëpamjen e prodhimit, shpërndarjes dhe menaxhimit të propogandës. Sepse të pushtetshmit dhe pushtetet, e humbën njëherë e përgjithmonë monopolin mbi informacionin, komentin, debatin, i cili tashmë ka kaluar në duart e qytetarëve edhe në formën e kërkesës së llogarisë permanente.

Bota është bërë horizontale dhe elitës politike, i duhet që ta ndryshojë kryekëput qasjen dhe strategjinë e komunimit publik. Pas 2600 vjetësh nuk jemi më as në “Republikën” e Platonit dhe as në “Politika”-n e Aristotelit apo të derivateve të tyre, që na shoqëruan përgjatë shekujve. Sepse sot jemi në epokën e “E- democracy”-së.

“Demokracia e internetit” dhe opozita

Edi Rama e ka përqafuar herët “erën e ndryshimeve” dhe pas shumë muajsh e pak vitesh, ia ka dalë me sa duket, që të ndërtojë strukturën dhe infrastrukturën e duhur për të zbatuar më pas në praktikë një strategji krejt të re e të panjohur më parë në Shqipëri, për komunikimin publik, mënyrën e të bërit politikë dhe ushtrimit të qeverisjes.

E në funksion të kësaj me sa duket, ka qenë jo vetëm aktivitetit i tij në facebook e twitter, ERTV, sekretariati i organizimit dixhital në PS, transmetimet e postimet live në internet, prodhimi i video- mesazheve, bashkëbisedimi online me qytetarët, debatet me ta në rrjetet sociale, interpelancat virtuale dhe gjithçka tjetër e re, që e kanë çuar mesazhin e tij të thjeshtëzuar dhe direkt tek çdo qytetar. Duke e formësuar të gjithën këtë qasje, tek platforma e bashkëqeverisjes me qytetarët. E cila ka gjithashtu edhe hapësirën e dedikuar në internet, në adresën www.shqipëriaqëduam.al.

Këtu me siguri, duhen kërkuar e mund të gjenden edhe rrënjët e arësyeve se përse opozita jonë duket aq e paorientuar dhe e pasinkronizuar me këtë mënyrë të re e moderne të të bërit politikë. Kjo ndoshta është edhe arësyeja se përse stili i të bërit politikë në qeverisje nga PS, duket i kithët me atë të opozitës sonë të vjetër e të re.

Sesa të drejtë ka Edi Rama me këtë rrugë të re e moderne të të bërit politikë, mjafton të shihen rezultatet e zgjedhjeve të fundit. Me sa duket kjo nuk po kuptohet, ndaj edhe nuk po përqafohet ende nga drejtuesit e opozitës. Të cilët edhe tani në fund të dekadës së dytë të shekullit të XXI, vazhdojnë të udhëheqin akoma me mendësitë dhe metodat e dekadës së fundit të shekullit të kaluar.

Kjo ndoshta është edhe një nga arësyet, se përse aksioni opozitar nuk po arrin që të ngjisë tek qytetarët dhe lidershipi i saj të duket aq “démodé” në aksionin e saj kundër qeverisë. Dikush duhet ti këshillojë liderët e opozitës sonë, që të kuptojnë se politika në Shqipëri, me të mirat dhe të këqijat e saj, ka hyrë në epokën e “demokracisë dixhitale”. E ajo, nuk mund të ushtrohet si deri më sot, me mjete manuale./Alpenews.al

2 komente në ““Demokracia dixhitale” e Edi Ramës dhe opozita”

  1. @ says:

    Kur flet dhe shkruan ky fare burri, ta mbush mendjen .. Perpara per fitore te reja!
    Urimi vlen edhe per gazeten Tema qe ka mbledhur ne stafin e perditshem grupin me te devotshem te partise.

  2. Fidel says:

    Cfare eshte kjo demokracia dixhitale,o sharlatane te pa fre?
    Po demokracia kafsherore a ekziston?
    Po demokracia fashiste,naziste,komuniste,terroriste ethj a ekziston?
    Eh,more mashtrues te ndyre qe merreni me lojra fjalesh!
    Edi Rama me faceboo-un e tij tallet me popullin!
    Ai nuk ka zgjidhur asgje me lojrat e fjaleve te shkembyera me njerezit aty vetem se u eshte pergjigjur rrugeceve po rrugecerisht!
    Edi Rama demokracine duhet ta kuptoje ashtu sic eshte:
    -Te degjoje popullin qe ankohet e denoncon dhe jo te jape show neper media!
    Pastaj eshte marrezi te kuptosh se demokracia ndertohet dhe funksionon vetem ne telefona,ekrane etj,por ne te gjithe piramiden e shtetit!
    Eshte populli qe ndeshet cdo dite me te korruptuarit e te pa aftet,prandaj cdo dite duhet te degjohen ankesat e popullit!
    Por deri me sot ata qe marrin rrogen per te degjuar ankesat e popullit kane tallur menderen,sepse keshtu jane urdheruar nga “maliqi”,qe te bejne si “me ka cu nana me la gojen”!
    Demokraci pa degjuar popullin dhe ndeshkuar hajdutin dhe te pa aftin nuk ka!
    Dhe keta horra ne pushtet i heq ne kurriz vetem hallexhiu popull e jo Rama vete!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje