Një nismë për të ardhmen e BE dhe ajo për Shqipërinë

7 Maj 2018, 23:04Blog TEMA

Nga Alfred Peza

Mediat europiane kanë në fokus këto ditë, një nismë mjaft interesante, që ka nisur të zbatohet së pari nga Angela Merkel dhe Emmanuel Macron. Pavarësisht se për arësye krejt të tjera dhe në një kontekst të ndryshëm të politikës sonë të brendshme, kjo nismë përkon në formë dhe në kohë, me një nismë të Kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij në Shqipëri.

Nisma e Kancelares gjermane dhe e Kryeministrit francez, pritet të përqafohet këto ditë nga udhëheqësit e 28 vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Ndërsa ajo e Edi Ramës, druaj shumë se do të përqafohet nga Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi.

Nisma e Shqipërisë parashikon aktivitete deri afër mesit të verës. Ndërsa ajo e shteteve anëtare të unionit europian, nda tani e deri në vjeshtë të këtij viti.

“Kontakti me njerëzit, do të na ndihmojë për të formësuar Bashkimin Europian. Në do të përpiqemi tani në kuadër të dialogut europian që të jemi në kontakt me më shumë njerëz”,- tha Merkel pas takimit të saj të parë në kuadër të kësaj nisme, në shkollën “Jane Addams” në Berlin.

Në fakt, ideja për organizimin e takimeve në terren me qytetarët, më synim dëgjimin më shumë të dëshirave dhe të shqetësimeve të tyre për të nxjerrë përfundime sa më të sakta për formësimin e Europës, ka qenë e presidentit Macron. “Unë e rimora atë me shumë dëshirë”,- tha Merkel.

Kryeministri Edi Rama e shpalli zyrtarisht nismën e tij për një tur takimesh të qeverisë, ministrave, zv ministrave, deputetëve dhe drejtuesve të pushtetit lokal në gjithë territorin, me qëllim realizimin e dialogut dhe bashkëbisedimit me qytetarët, në kuadër të nismës “Shqipëria që duam”. Por edhe në formën e llogaridhënies për 6 muajt e qeverisjes gjatë mandatit të dytë dhe për grumbullimin e ideve dhe mendimeve për pjesën tjetër të tij.

Çështjet që shqetësojnë Europën e sotme, në prag edhe të një vale të re përgatitjesh për zgjerim në Ballkanin Perendimor, janë pothuajse të njëjta shkruan “Deutsche Welle”: Politikat e azilit, shumica e çështjeve të ekonomisë, mbrojtja e klimës, kërkimi dhe inovacioni, siguria e kufijve të jashtëm të BE, e ardhmja e euros.

Ka dy filozofi mbi të cilën po lëviz e ardhmja e Europës: Ajo e Gjermanisë për ecjen përpara nëpërmjet aftësisë për konkurencë dhe ajo e Francës, për të vijuar më shpejt sëbashku të gjitha vendet anëtare të BE.

Ndërsa çështjet që shqetësojnë Shqipërinë janë më të prekshme për ne: rritja ekonomike; lufta kundër varfërisë; nxitja e investimeve vendase e të huaja; hapja e vendeve të reja të punës; rritja e sigurisë së jetës, pronës dhe asaj publike; lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar; reforma në drejtësi dhe vënia përpara saj e “peshqve të mëdhenj”; integrimi europian dhe investimet në infrastrukturë.

Nëse në vendet e BE do të jetë e gjithë klasa politike e çdo vendi anëtar që do mari pjesë në nismën për të kontaktuar dhe biseduar me njerëzit, në përpjekje për të formësuar të ardhmen e Europës, në Shqipëri nuk po ndodh e njëjta gjë. Jo se ndokush mendon se axhenda politike e qeverisë duhet unifikuar dhe përputhur me atë të opozitës. Ruajna Zot! Por, ajo që mund të bëhej, ndoshta mund të ishte diçka krejt tjetër.

E ajo mund të lidhet me mënyrën e qasjes së mazhorancës dhe opozitës sonë, për të bërë secila politikën e vet. Nëse qeveria po mundohet që ta formësojë dhe ta bëjë çdo ditë e më të prekshme, atë që ajo e quan aleancën me qytetarët, opozita po lëviz në kahje të kundërt.

Në vend të opozitarizmit në terren, nëpërmjet bashkëbisedimit ballë përballë e sy më sy me qytetarët, për të thithur direkt prej tyre gjithë palcën e halleve e shqetësimeve dhe për ti shdërruar nesër në një platformë politike e program elektoral e qeverisës për të ardhmen, duket sikur ajo po bën të kundërtën.

Gjithnjë e më tepër, po shohim një opozitë që e ka ndërtuar aksionin e saj politik, në trekëndëshin: Selia e partisë së tyre, salla e seancave plenare apo mbledhjet e komisioneve Parlamentare dhe deri tek studiot televizive të Tiranës. Një hapësirë gjeografike kjo që sa vjen e rrudhet, ndërkohë që Shqipëria e vërtetë është atje në terren, në të gjithë territorin, ku janë edhe hallet dhe problemet reale të qytetarëve.

Megjithatë, nuk është kurrë vonë për të bërë gjëra të mira. Përderisa udhëheqësit e vendeve anëtare kanë nisur turin e takimeve me qytetarët për të ardhmen e BE, nuk ka pse kjo nisëm të mos përqafohet pas qeverisë, edhe nga opozita jonë, për të nisur kontaktin fshat më fshat e qytet më qytet, për të ardhmen e Shqipërisë./alpenews.al

2 komente në “Një nismë për të ardhmen e BE dhe ajo për Shqipërinë”

  1. @ says:

    Pordhe me rigon!

  2. Tiku says:

    Keto takimet gju me gju me popullin nuk kane ndodhur askund tjeter, vetem ne Shqiperi, dhe keto i nisi Edi Rama! Nuk ka rol Rama ne kete histori me Europen. Me vjen keq po keto takime me popullin i beri te famshme kohet e fundit Donald Trump, dhe jo Edi Rama, nese do te merrej dikush si shembull. Pra nuk e moren idene ata te Europes nga Edi Rama, sic mendon Alfred Peza! Po takime ka pasur gjithmone ne cdo vend, dhe ne Amerike sidomos. Nuk u shpiken takimet keto kohet e fundit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje