Ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi ka komentuar dje aktualitetin politik në vend si dhe çështjen e audio përgjimit të vëllait të ministrit Xhafaj. I ftuar në një studio televizive, Klosi deklaroi se audio përgjimi nuk ka asnjë vlerë në aspektin politik.
Sipas Klosit, PD po përpiqet që ta shfrytëzojë audio përgjimin për luftë politike. “Nuk dua të prononcohem. Unë di që ka metoda të thjeshta për ta dalluar, këtë punë e ka prokuroria. Unë nuk e di.
Ne duhet të presim, nuk duhet të ngutemi. Opozita e shfrytëzon këtë për luftë politike, ata besojnë se qeveria komandohet nga krimi. Ata kanë gjetur një motiv.
Kriza në Parlament shkaktohet nga vota, jo nga këto motive. Nuk është e vërtetë që gjithçka që del aty është e vërtetë.
Në Shqipëri ka qenë problemi i lëndëve narkotike, nuk është ndonjë gjë e madhe. Ky nuk është një krim që vëllai i Xhafajt ta ndiejë veten të tillë. Morali nuk është një kriter që vendos.
Politikanët kanë një balancë të qartë, zgjedhjet. Në Shqipëri nuk shpëton asgjë pa u trajtuar në TV. Një bisedë e regjistruar nuk mund të rrëzojë qeverinë.
Këtu çdo gjë është politizuar fort. Këto gjëra shfrytëzohen për luftë politike. Lufta politike në Shqipëri bëhet duke hedhur baltë mbi njëri-tjetrin”, tha Klosi.
Ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi komentoi gjithashtu edhe protestën që opozita do të mbaj në 26 maj. Klosi tha se kauza e protestës është qesharake pasi audio përgjimi nuk ka asnjë vlerë në aspektin politik.
“Përdoren si argumente gjëra të tilla. Këto gjëra ngjisin, dhe njerëzit nuk i kuptojnë shumë debatet. Kjo nuk ka asnjë vlerë, kjo është një gjë koti.
Në aspektin politik nuk ka asnjë vlerë. Problemi këtu është nëse ka pasoja ligjore apo përgjegjësi penale. Kauza e kësaj proteste është qesharake”, u shpreh Klosi.
Ndërkaq, ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi u ndal edhe tek protesta e 26 majit 1996 ku bëri një konstatim me protestën që do të mbaj opozita të shtunën.
Ai tha se këto dy protesta janë të ndryshme pasi në ndryshim nga ajo e 1996 që pati një pjesëmarrje masive, protesta e të shtunës do të ketë një numër të vogël njerëzish.
“Këtë protestë e organizoi Partia Socialiste. Ajo ka qenë një protestë e dhunshme, me shumë gjak. Berisha nuk e priste që të kishte aq shumë kundërshtarë, u gjendën të papërgatitur.
Partia Socialiste u tërhoq nga zgjedhjet pa mbaruar akoma orari zyrtar. Ato ishin zgjedhjet më të këqija dhe të kontestuara, zgjedhje super të manipuluara.
Këto protesta që lidhen me datën 26 janë shumë të ndryshme cilësisht. Numri i njerëzve që marrin pjesë në këtë protestë është meritë e atyre që punojnë për organizimin e tyre.
Protestat në kohën që unë kam qenë në SHISH ishin të dhunshme. Këtu demokraci për popullin ka”, tha ai.