ANALIZA: Real Madrid-Liverpool: Ku do të fitohet dhe humbet finalja

26 Maj 2018, 09:32Sport TEMA

Sot do të ulë siparin Champions League 2017/18. Real Madrid dhe Liverpool do të përballen në Kiev për trofeun dhe për fronin e Europës. Kjo ndeshje premton të jetë drithëruese dhe kjo gjë nuk mund të thuhet çdo vit. Disa finale të së kaluarës, si Chelsea-Bayern (2012) apo Real Madrid-Atletico Madrid (2016) kanë qenë një luftë fizike, por finalja e së shtunës do të jetë ndryshe.

Përballë do të jenë dy ekipe që dinë të luajnë vetëm në një mënyrë: dalje përpara në sulm me sa më shumë lojtarë të jetë e mundur. Në fakt, tifozët e Real Madrid e kanë zakon të vërshëllejnë në “Bernabeu” kur Real qarkullon topin dhe nuk shkon përpara. Nga ana tjetër, në “Anfield” tifozët thërrasin “Allez, allez, allez!” dhe “Sulm! Sulm! Sulm!”.

Do të jetë një përballje titanësh e cila mund të vendoset nga tre faktorë.

Real Madrid

Trajneri Zinedine Zidane ka ndryshuar disa herë fytyrën e skuadrës së tij gjatë fazës me eliminim direkt të Champions League, duke përdorur të gjithë lojtarët e talentuar të stolit që ka në dispozicion. Në gjashtë ndeshjet e luajtura para finales dhe pas fazës me grupe (kundër Paris Saint-Germain (1/8), Juventus (çerekfinale) dhe Bayern Munich (gjysmëfinale) ai ka kaluar nga skema me tre sulmues, tek ajo me dy dhe me mesfushën në formën e rombit ose diamantit.

Nuk dihet si do ta nisë dhe si dhe me cilët lojtarët do ta nisë dhe do ta mbyllë ai ndeshjen e Kievit. Por në vitet e kaluara, Zidane i ka besuar lojtarëve që kanë qenë më në formë, që do të thotë se Gareth Bale mund t’i marrë vendin e titullarit Isco-s.

Nëse kjo do të ndodhë, atëherë Real do të luajë me skemën 4-3-3, me Bale në krahun e djathtë të Karim Benzema dhe Cristiano Ronaldo. Në mesfushë do të jetë treshja e përhershme Modric-Kroos-Casemiro. Sergio Ramos do të udhëheqë një mbrojtje që nuk do të ketë asnjë emër surprizë.

Këto zgjedhje do të linin në stol Isco, Lucas Vazquez dhe Marco Asensio, tre lojtarë që kanë luajtur një rol kyç në arritjen e “Los Blanocs” në finale. Gjithsesi, ata mund të bëjnë diferencën edhe duke u aktivizuar nga stoli (veçanërisht Asensio).

Liverpool

Ndryshe nga Real Madrid, formacioni i “Të Kuqve” është më i lehtë për t’u parashikuar. Kjo sepse lojtarët janë përshtatur shumë mirë me njëri-tjetrin dhe sepse dëmtimet i kanë hequr mundësinë për të bërë rotacion trajnerit Jurgen Klopp apo për të bërë ndonjë surprizë.

Alex Oxlade-Chamberlain do të kishte qenë titullar po të mos ishte dëmtuar në gjysmëfinalen e luajtur kundër Roma-s në “Anfield”;
Georginio Wijnaldum do të marrë vendin e tij në mesfushë. Edhe Emre Can nuk është 100% në formë dhe nuk ka luajtur që nga muaji mars, kështu që zgjedhja e Jordan Henderson është e detyruar.

Treshja e sulmit është e njohur për të gjithë tashmë (Mohamed Salah, Roberto Firmino dhe Sadio Mane) dhe ata kanë pasur dy javë në dispozicion për të rikuperuar energjitë. Virgil van Dijk do të drejtojë mbrojtjen. Skema do të jetë një 4-3-3, që mund të kthehet në 4-4-2 nga lëvizjet e Salah.

1. Mbrojtësit e krahut

Përshtypja e të gjithëve është se kjo finale do të ketë gola. Një nga arsyet është se përballë do të jenë tre, ndoshta katër, prej sulmuesve të krahut më të mirë të botës kundër disa mbrojtës krahu që nuk kanë eksperiencën ose disiplinën e duhur.

Salah do të luajë në krahun e djathtë dhe do të mbulohet nga Marcelo, i cili ka zkonin të dalë vazhdimisht përpara duke lënë shumë hapësira mbrapa.

Kjo u pa edhe në golin e parë të shënuar nga Bayern Munich në Gjermani, kur Joshua Kimmich depërtoi nga një hapësirë e madhe e lënë mbrapa nga braziliani dhe mposhti portierin Navas. Nga përsëritja e aksionit u pa Marcelo, i cili ishte shumë mbrapa.

Salah nuk mund të ketë hapësira të tilla në dispozicion. Asnjë nga kundërshtarët e tij në këtë sezon nuk ka mbijetuar pasi ka bërë një gjë të tillë. Vetëm ata që përqendrohen tek ai gjatë gjithë ndeshjes (United dhe Swansea janë dy shembujt) arrijnë ta neutralizojnë ose ta limitojnë.

Në anan tjetër, Cristiano Ronaldo do të përballet me 19-vjeçarin Trent Alexander-Arnold, një lojtar me më pak se 50 ndeshje me Liverpool. Adoleshenti është vënë në dyshim gjatë gjithë kohës dhe mendohej se do të dështonte kundër Leroy Sane në ndeshjet e luajtur kundër Manchester City, por ai i ka përgënjeshtruar të gjithë. A do të arrijë të bëjë të njëjtën gjë në ndeshjen më të rëndësishme të jetës së tij kundër një prej lojtarëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave?

Nëse flasim për përballje një kundër një, Arnold ka shpejtësinë e duhur për të mbajtur hapin e portugezit, por nuk duhet të provojë të bëjë më shumë nga sa i kërkohet. Kur e ka bërë këtë në ndeshjet e kaluara është djegur.

Një tjetër përballje që mund të ketë ndikim të madh në finale është ajo që do të zhvillohet me Gareth Bale dhe Robertson. Nëse uellsiani do të jetë titullar në krahun e djathtë të sulmit, Andrew Robertson, do të përballet me detyrën më të vështirë të karrierës së tij.

2. Stili i lojës

Mungesa e disiplinës në mbrojtje nga Marcelo duket se nuk e shqetëson trajnerin Zidane dhe Real-in. Loja e tij do të kritikohej në çdo klub tjetër, por jo në “Bernabeu”, aty mbështetet dhe kërkohet.

E vërteta është se “Los Blancos” nuk e vrasin shumë mendjen për mbrojtjen. Nuk është një ofendim, duke parë dominimin e tyre ne Europë, por është mënyra si luajnë. Stili i sulmit, presing i lartë me mesfushorët dhe të gjithë përpara kur kundërshtari kthen topin mbrapa, krijon shumë boshllëqe në mbrapa dhe në strukutrën mbrojtëse.

Zidane i kërkon Casemiro-s të jetë një mesfushor shkatërrues, por shpesh ai është i vetëm kundër të gjithëve. Qendërmbrojtësit Sergio Ramos dhe Raphael Varane, janë të detyruar të marrin shumë vendime të vështira në mesin e fushë, duke bërë ndërhyrje të rrezikshme dhe duke shkuar me shpejtësi në krahët e mbrojtjes për të mbuluar mungesën e mbrojtësit të krahut.

Është një mënyrë kaotike loje në këto nivele të larta, por funksionon. Kur skuadrat e tjera mbyllen dhe ruhen, Real Madrid del përpara në sulm, me besimin se do të shënojë një gol më shumë se kundërshtari. Një besim që bazohet te prania e vrasësit Ronaldo në sulm dhe që ka dhënë rezultate deri tani.

Liverpool do të përgjigjet në të njëjtën mënyrë. Ata janë më të organizuar në mbrojtje se “Los Blancos”, edhe falë stabilitetit që Van Dijk i ka dhënë këtij reparti. Por partneri i tij, Dejan Lovren, njihet për prirjen e tij për të bërë gabime, që mund të vijnë edhe nga mungesa e eksperiencës së Alexander-Arnold.

Kështu, ajo që do të luhet në Kiev do të jetë një ndeshje e hapur, me dy skuadrat që do të kërkojnë të diktojnë ritmin e lojës.

3. Stoli

Zidane ka fituar një reputacion duke ndryshuar rrjedhën e ndeshjeve me zëvendësimet e tij. Gjatë viteve të fundit e kemi parë t’i përdorë lojtarët e stolit me shumë efikasitet.

Çerekfinalja e vitit të kaluar në Champions League ka qenë një shembull për këtë. Teksa skuadra e tij po zhvillonte një betejë të vërtetë kundër Bayern Munich, ai zgjodhi momentin e duhur për të aktivizuar Asnesio-n, i cili ka ndëshkuar bavarezët në kundërsulm.

Nëse këto dy ekipe respektojnë parashikimet, pese ose gjashtë gola mund të jenë shënuar para se Zdiane të kthehet nga stoli. Kur ta bëjë këtë, do të shikojë Asnesio-n, por edhe Vazquez, Mateo Kovacic dhe njërin mes Isco-s ose Bale.

Ndryshe nga kolegu i tij, Klopp nuk do të ketë shumë alternativa në dispozicion. Adam Lallana pritet të jetë në stol, por është i vetmi emër i rëndësishëm. Nuk mund të pritet që Danny Ings (një gol i shënuar në dy vite) ose Dominic Solanke (akoma shumë i ri) të jenë gjendje të ndryshojnë kursin e një ndeshjeje të këtij niveli.

Ky është avantazhi më i madh i Zidane. Jo vetëm që ai ka alternativa cilësore në dispozicion është aq i zgjuar sa duhet për të shfrytëzuar në mënyrën e duhur këtë avantazh, që mund të rezultojë vendimtar gjatë 90 minutave.

1 komente në “ANALIZA: Real Madrid-Liverpool: Ku do të fitohet dhe humbet finalja”

  1. Analisti says:

    Vetem se nuk ke shkruat se Liverpool ka shume me shume pregatitje fizike dhe shpejtesi veprimi se Reali.
    Pamvaresisht nga stoli me i mire i Realit,per shkak demtimesh te Liverpol,ndeshjen Liverpoli do ta zgjidhe shume me shpejt se sa Zidan te beje nderimet.Ato do jene te pa nevojeshme.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje