Java e “çmendur” e portierit Selmani, e ardhmja jashtë Shqipërisë

28 Maj 2018, 12:01Sport TEMA

“Tani nuk kam kohë sepse më duhet të iki në hotel, të pushoj pasi nesër kam sërish ndeshje me kombëtaren e 21-vjeçarëve. Të martën në mëngjes do të nisem drejt Zyrihut”.

Ky është momenti i Gentjan Selmanit, portierit dhe kapitenit të Laçit i cili po përjeton ndoshta javën më të çmendur të karrierës së tij. Aktivizimi në finalen e Kupës së Shqipërisë ndaj Skënderbeut do të pasohet me atë që është ëndërr për çdo futbollist, aktivizimin me përfaqësuesen e 21- vjecarëve dhe më pas direkt te kombëtarja A.

Vetëm 20-vjeç por prej 3 sezonesh gardiani nga Fushëkruja është kthyer në njeriun simbol të kurbinasve, kjo falë aftësisë së treguar në mbrojtjen e portës.

Tek Laçi është një garanci dhe duket se aktivizimi i rregullt në kampionat e ka rritur më shumë lojtarin që në fushë të jep përshtypjen e një portieri të pjekur në moshë edhe pse është ende shumë i ri.

Sigurinë e shfaqur me fanellën bardhezi e ka treguar edhe në aktivizimin e tij të rregullt me moshat e Shqipërisë, duke filluar me 17-vjeçarët për të arritur kulmin me ftesën e Panuccit për në ekipin e parë. Mendoni se java e çmendur e Gentjan Selmanit mbyllet me kaq?

Gaboni rëndë, pasi në Elbasan Arena në finalen e kupës për të kanë qënë të pranishëm menaxherë të ndryshëm, të cilët do të jenë sërish prezent për miqësoren e 21-vjeçarëve të drejtuar nga Alban Bushi ndaj Bosnje Hercegovinës, për t’u spostuar më pas drejt Zvicrës, për të parë paraqitjen e 20-vjeçarit në ekipin A.

Aty gjithçka varet nga trajneri Cristian Panucci nëse do të aktivizojë ose jo Selmanin në dy miqësoret ndaj Kosovës dhe Ukrainës. Java e çmendur për të mund të mbyllet me një ofertë konkrete nga skuadra të kampionateve elitare.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje