”Unë jam Fatmira”, filmi virtual që po inspiron lëvizjen feministe brenda komunitetit rom

28 Maj 2018, 18:31Sociale TEMA

“Ndoshta ju mund të keni dëgjuar për komunitetin tim.

Çdokush  ka një opinion. Pyes veten cfarë mund të keni thënë për ne, ose çfarë mund të keni dëgjuar për ne.

Sot dua që ju të shihni romët përmes syve të mi”, kështu e nis rrëfimin  e saj protagonistja kryesore e filmit virtual “Unë jam Fatmira”, prodhim i zyrës rajonale të PNUD me seli në Stamboll, në bashkëpunim me zyrën PNUD në Shqipëri.

Filmi u shfaq gjatë muajit Maj para komunitetit rom e egjyptian që jeton e punon në disa qytete të vendit, si Berati, Shkodra, Durrësi, Fushë-Kruja dhe Tirana.

Ky film i shkurtër, i prodhuar sipas teknologjisë më të fundit “Virtual reality”, shpalos para publikut në 8 minuta përmes pamjeve dinamike dhe me kënd 360 gradë, jetën e dy komuniteteve më të margjinalizuara në Shqipëri,  parë me sytë e vetë pjesëtares së komunitetit, Fatmira Dajlanit, 36-vjeçares nga Fushë-Kruja.

Historia e saj ngjason me pjesën më të madhe të vajzave rome e egjyptiane.

Braktisje e shkollës në moshë të vogël, martesa pa mbushur 14 vjeç,  pastaj divorci dhe  më pas kalvari i vështirësive për të rritur e vetme fëmijët.

Por nëna e 2 fëmijëve nuk e ndjen veten viktimë të fatit të saj.

Përkundrazi, në film Fatmira kërkon të  frymëzojë gratë rome e egjyptiane që kanë të njëjtin fat si ajo, të mos dëshpërohen pasi gjithmonë në fund të tunelit ka dritë.

“Jam bërë pishman që jam martuar e re.

Isha fëmijë në atë kohë, nuk dija si të ndërtoja jetën që kisha filluar.

Burrit nuk i pëlqente të punoja me komunitetin.

Por unë jam e fortë,  prandaj u shkëputa nga kjo martesë.

Sot, unë ndaj eksperiencën time me gratë e tjera për t’i ndihmuar të dalin nga ky rreth vicioz”, thotë Fatmira në film.

Por çfarë e nxiti producenten ta gjejë në Shqipëri personazhin e filmit të ideuar prej saj,  mesazhin e së cilës do ta përcjellë në të gjithë rajonin, kudo ku jetojnë romë e egjyptianë?

Karen Cirillo, shefe e zyrës së shtypit në zyrën rajonale të PNUD me seli në Stamboll, shpjegon se ideja e filmit ishte inspirimi i shembullit pozitiv të një gruaje rome për të gjitha gratë e komunitetit të saj, përpjektet për tja dalë mbanë vështirësive me të cilat përballet ajo si brenda familjes dhe në shoqëri.

“UNDP Albania ka një program të gjatë pune me komunitetin rom dhe ne kërkuam shumë mes tyre të gjenim personin e duhur për ta përfshirë në film.

Kur takova Fatmirën, e kuptova menjëherë se ajo mund të ishte një ambasadore për komunitetin.

U mrekullova me natyrën e saj të fortë dhe të hapur, me mënyrën se si jetonte dhe se si punonte me komunitetin”, thotë Karen.

Karen thotë se Fatmira ishte një zbulim për të, një grua luftarake, këmbëngulëse për të arritur qëllimin e saj, pra një lidere për të cilën ka nevojë komuniteti rom.

“Prej disa muajsh kërkuam në të gjithë Shqipërinë të gjenim personazhin kryesor, mbi të cilën do të ndërtonim subjektin e filmit.

Qëllimi ishte të evidentonim problematikat e komunitetit rom, parë në këndvështrimin e vetë banorëve të tij”, shpjegon Karen.

Në sallën e mbledhjes në qendrën komunitare e ngritur me financimin e PNUD, në qytetin e Beratit,  fëmijë, gra e të moshuar të  komunitetit rom e egjyptian kanë pare me shumë kuriozitet filmin “Unë jam Fatmira”.

Pas përfundimit të tij, sytë e të gjithëve janë të qeshur.

Ndjejnë krenari sesi një grua rome ia ka dalë mbanë të jetë lidere dhe të luftojë çdo ditë për të përmirësuar jetën e komunitetit ku jeton.

Kurse grave u duket se shohin veten në historinë e Fatmirës.

Nafija, nënë e 5 fëmijëve dhe e divorcuar pas 2 martesave, është e emocionuar.

“Edhe unë jam si Fatmira. U martova 15 vjeç dhe nuk kam bërë asnjë klasë shkollë.

Por pas ndarjes nuk lypa dhe, megjithëse asnjë prej bashkëshortëve nuk më ndihmoi, vendosa  ti rris fëmijët e mi me djersën time”, thotë Nafija e cila sot ka hapur një dyqan të sajin, me fondet e projektit “ESERE”, rreth 3 mln lekë.

Ajo është një aktiviste e zellshme në qytetin e Beratit dhe çdo problematikë të komunitetit e përcjell tek shoqëria civile që punon me romët dhe egjyptianët dhe tek  pushteti vendor.

Përvojën e saj të jetës e ka ndarë dhe  me me vajzat e reja rome, e përmes kësaj u ka bërë apel që të mos martohen në moshë fare të re por të arsimohen dhe të kryejnë kurse profesionale për tu pajisur me një profesion.

“Me vajzën nuk pata fat dhe ajo u martua si unë, 14 vjeç.

Koha e vështirë më detyroi ta lija pa shkollë por sot u flas nënave që të mos bëjnë gabimin tim.

Shkoj derë më derë dhe bisedoj me gratë që ti dërgojnë fëmijët në shkollë”, thotë Nafija.

Filmi virtual “Unë Jam Fatmira” është shfaqur dhe në qytetin e Shkodrës, atje ku jeton një numër jo i vogël popullsi rome dhe egjyptiane.

Kryetarja e bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi ka qenë e pranishme gjatë prezantimit të filmit në  Qendrën Komunitare Multifunksionale në Shkodër e ngritur me fondet e projektit “ESERE”, financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar zyra e PNUD Tiranë.

Ndër të tjera, në fjalën e saj, kryebashkiakja Ademi ka premtuar më shumë angazhim nga pushteti vendor për përmirësimin e jetesës së këtyre komuniteteve.

Ajo u shpreh se mes komuniteteve rome dhe egjyptiane ka takuar gra e vajza luftarake po njësoj si protagonistja e filmit, Fatmira Dajlani.

“E them me bindje se në komunitetin rom dhe egjyptian këtu në Shkodër mund të gjesh dhjetëra Fatmira që përditë luftojnë me paragjykimet si gra të divorcuara, me diskriminimin gjinor brenda e jashtë komunitetit por që nuk janë dorëzuar.

Unë kam vite që bashkëpunoj me aktiviste rome dhe egjyptiane e bashkë kemi bërë të mundur që të dërgojmë në shkollë gati 100 mijë fëmijë që deri dje e kishin braktisur atë”, thotë kryebashkiakja e Shkodrës.

Një sfidë në punën e bashkisë, sipas kryebashkiakes së Shkodrës Voltana Ademi, është çështja e strehimit për komunitetin rom dhe egjyptian.

“Ne kemi ende familje që jetojnë në kampe, ku brenda një çadre mund të gjesh më shumë se 10 pjesëtarë të një familje, për fatin e tyre të keq, pasi ne nuk mundemi ti ofrojmë asnjë alternativë për strehim.

Ndonëse kemi paraqitur projekte pranë qeverisë për thithjen e fondeve për ndërtimin e apartamenteve që do të strehojnë këto komunitete të margjinalizuara, prej disa vitesh nuk kemi asnjë përgjigje pozitive”, thotë me keqardhje kryetarja e bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi.

Në zonën e Nish-Tullës ku PNUD ka ndërhyrë përmes projektit “ESERE”, me sistemin e kanalizimit, asfaltimit rrugor dhe ndriçimit, komuniteti rom e egjyptian vuan të njëjtat problematika si popullata e përgjithshme, mungesë strehimi dhe papunësi.

Historia e Fatmirës u ka ndezur shpresën grave rome se mund tja dalin, por mes tyre sheh dhe pesimizëm e mosbesim se gjërat do të ndryshojnë.

Adelina është 42 vjeç dhe nënë e 7 fëmijëve. Ka mbetur e ve dhe nuk ka asnjë të ardhur vec ndihmës ekonomike që përfiton nga bashkia.

Ka tentuar të punojë në disa punë që u ka ofruar qendra komunitare e bashkisë Durrës në Nish-Tulla por i ka braktisur shpejt për shkak të diskriminimit, sic e justifikon ajo.

Shpresa  e vetme? Pritja më kot nga dera nëse dikush do të trokasë në shtëpinë e saj për ti sjellë ushqime apo veshmbathje për fëmijët.

Kinemaja e vogël e qytetit të Fushë-Krujës gumëzhin nga zërat e fëmijëve.

Bashkë me nënat e tyre kanë ardhur të shohin filmin për Fatmirën.

36-vjeçaren e njohin të gjithë dhe puna e saj në komunitet shihet me respekt.

Me krenari të justifikuar, vetë Fatmira Dajlani, i pret të ftuarit në derë.

Me buzëqeshje u tregon pajisjet dhe i inkurajon ti provojnë për të parë filmin e shkurtër virtual.

Mes të ftuarve janë dhe përfaqësues të bashkisë që miratojnë cdo fjalë të thënë nga Fatmira në film.

Por a ka qenë e lehtë të arrije deri këtu?

Duhet të kalonin 13 vjet që Fatmira të fitonte besimin e komunitetit të saj, të grave, në kauzën që nxit të drejtat e barabarta në familje, luftën kundër paragjykimeve e diskriminimit gjinor, që vërehet jo vetëm brenda komunitetit.

Nuk ka qenë e lehtë për Fatmirën si grua e divorcuar të bindte familjet rome që fëmijët e tyre të mos braktisnin shkollën, që vajzat të mos i martonin shumë herët apo që gratë të ngrinin zërin kundër padrejtësive.

“Një ndër gjërat e para për të cilat luftova ishte që fëmijët romë të mos diskriminoheshin.

Nuk ishte e lehtë, edhe djali im është kërcënuar- por jam shumë krenare teksa shoh fëmijët romë që janë integruar në këtë qytet”, thotë me sytë e qeshur Fatmira Dajlani.

Anketa Rajonale mbi Romët 2017 e zbatuar nga zyra e PNUD në Shqipëri në bashkëpunim me Bankën Botërore, me mbështetjen financiare të Komisionit Evropian, Drejtorisë së Përgjithshme të Komisionit Evropian për Negocim dhe Zgjerim Rajonal (DG NEAR) tregoi se romët e margjinalizuar në Shqipëri, vazhdojnë të përballen me akses të kufizuar në pothuajse çdo aspekt të zhvillimit njerëzor, siç janë të drejtat themelore, shëndetësia, arsimi, strehimi, punësimi dhe standardi i jetesës.

Kjo është anketa e dytë e madhe e realizuar në Shqipëri mbi romët e margjinalizuar, pas  mbledhjes së të dhënave në vitin 2011.

Të dhënat kryesore të anketës treguan se ekziston një hendek i madh midis romëve të margjinalizuar dhe banorëve jo romë që jetojnë në afërsi në aspektin e aftësive njerëzore dhe mirëqenies materiale. Ndërsa shkalla e regjistrimit në arsimin parashkollor të fëmijëve romë të margjinalizuar në Shqipëri, 35 përqind, është më e larta në rajon, kjo shifër mbetet akoma larg asaj të fqinjëve jo-romë dhe diferencat në arsim janë veçanërisht të dukshme për arsimin e detyrueshëm dhe atë përtej tij. Më pak se gjysma e të rinjve romë të margjinalizuar 18-21 vjeç  kanë përfunduar arsimin e detyruar.

Gratë rome vazhdojnë të martohen në moshë të hershme. Strehimi dhe kushtet e jetesës vazhdojnë të jenë një shqetësim i madh. Megjithëse ka pasur përparim të dukshëm që nga viti 2011, romët e margjinalizuar ende jetojnë në banesa të mbipopulluara.

Ata gjithashtu kanë më pak akses në ujin e rrjedhshëm dhe energjinë elektrike dhe kanalizime.

Në ditën ndërkombëtare të romëve, më 8 prill, edhe eurodeputët e Parlamentit Evropian,  u njohën me filmin virtual “Unë jam Fatmira”.

Të gjithë ngrenë të njëjtën pyetje.

A është e mundur që brenda komunitetit rom e egjyptian të frymëzojmë të tjera gra e vajza rome që  të mos tremben nga vështirësitë, por të dëshirojnë të punojnë për komunitetin, njësoj si Fatmira?

Karen shprehet optimiste megjithëse  sipas saj “duhet të pranojmë se mund të jetë e vështirë të thyhen normat që tradicionalisht i kanë mbajtur gratë rome nga arritja e asaj që ata janë të aftë.

“Mendoj se njerëzit në përgjithësi shohin vetëm një pasqyrë të caktuar të komunitetit rom, gjë që shpesh është negative.

Por komuniteti rom është i ndryshëm dhe i nuancuar, plot me njerëz të ndryshëm.

Së pari, është e rëndësishme për jo-romët të shohin një anë tjetër të asaj që normalisht mund ta shohin.

Të shohësh një grua të fuqizuar që punon për të ndihmuar komunitetin e saj.

Së dyti, është e rëndësishme për komunitetin rom të shohë gjithashtu një avokat të fortë që ka ardhur nga komuniteti, ka jetuar me të njëjtat beteja që kanë të tjerët, por vazhdon të punojë shumë për të përmirësuar kushtet për romët”,  nënvizon Karen Cirillom shefe e zyrës së shtypit në zyrën rajonale të PNUD me seli në Stamboll.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje