Shtëpi për të pastrehët, ndërtuesit: Koston do e paguajnë qytetarët

29 Maj 2018, 17:00Sociale TEMA

Me ligjin e ri për strehimin social, për ndërtimet e reja me sipërfaqe mbi 2 mijë metra katrorë çdo kompani është e detyruar të japë 3 përqind të sipërfaqes për strehim social.

Këto sipërfaqe i kalojnë fondit publik të banesave sociale që menaxhohet nga qeveria dhe bashkitë.

Sipas ndërtuesve, kjo është një taksë që do të rëndojë mbi qytetarët sepse në fund të fundit janë ata blerësit.

“Normal që ne diku do ta reflektojmë këtë. Ose do të mbyllim ndërmarrjet ose do të rrisim çmimet, pasi mundësi tjetër nuk ka”, shprehet për Top Channel Arian Leskaj, nënkryetar i shoqatës së ndërtuesve.

“Çdo taksë është baras me vlerë. Ajo do të ngarkohet diku. Fillimisht ajo i ngarkohet ndërtuesit dhe ai do ta shkarkojë të ai që e blen. Në fund të fundit, populli atje poshtë do ta paguajë”, thotë Luigj Aleksi, shoqata e ndërtuesve.

Ligji për strehimin social është hartuar nga ish-ministria e Zhvillimit Urban, më pas është depozituar në Kuvend nga qeveria në dhjetor të vitit që shkoi, ndërkohë që i miratua në parlament me 5 maj të këtij viti.

Sipas ndërtuesve, ligji nuk është konsultuar me grupet e interesit.

Kjo, sipas tyre, rrit barrën e taksave dhe prish gjithë planifikimet e bëra nga ndërtuesit.

“Flasim për një industri, e cila planifikimet e punëve të veta i ka me vite dhe kur vjen moment që ti do të marrësh një leje, sheh që ka taksa të reja”, thotë Leskaj.

“Është dublim i taksës së infrastrukturës sepse në vetvete taksa e infrastrukturës një pjesë të saj e ka për t’u përdorur për qëllim social”, thotë Luigj Aleksi.

Ndërtuesit paralajmërojnë betejë ligjore.

“Ne na vjen si një taksim i jashtëzakonshëm, por jemi të vendosur që ta çojmë edhe në Gjykatë Kushtetuese, pasi për ne është komplet e padrejtë”, shprehet nënkryetari i shoqatës së ndërtuesve.

Ndërkohë, Shqipëria është kthyer në një kantier ndërtimi, ku lejet për ndërtimet e reja vazhdojnë të rriten me ritme të pandalshme.

Instituti i Statistikave raportoi se në tremujorin e parë numri i lejeve të ndërtimit u rrit me 2.2 herë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe po në të njëjtën masë është rritur edhe sipërfaqja që parashikohet të ndërtohet.

Sipas INSTAT, për periudhën janar mars të këtij viti bashkitë dhe këshilli kombëtar i territorit dhanë 221 leje të reja ndërtimi në të gjithë Shqipërinë nga 101 leje që ishte shifra në tremujorin e parë të 2017-ës.

Të dhënat e detajuara tregojnë se vetëm për lejet e dhëna në tre muajt e parë të këtij viti, parashikohet që të investohen rreth 100 milionë dollarë.

Por këto nuk janë të gjitha ndërtime pallatesh për qëllime banimi. Sipas INSTAT, pjesa më e madhe e rritjes ka ardhur nga lejet e dhëna për hotele, ndërtesa tregtare për qëllime biznesi si dhe punimet inxhinerike, ku bëjnë pjesë rrugët, ujësjellësit apo kantieret industriale.

Prej tre vitesh Shqipëria po përballet me një rritje të vrullshme të sektorit të ndërtimit, çka ka zgjuar kundërshtimin e shumë ekspertëve të mjedisit dhe urbanistikës për impaktet në mjedis.

Por veç efekteve mjedisore, rritja e lejeve të ndërtimit ka hapur edhe një debat të nxehtë politik mbi financimet e sektorit.

Opozita akuzon se ndërtimi po përdoret për të pastruar paratë e gjeneruara nga trafiku i drogës, pasi kredia për këtë sektor është më rënie.

1 komente në “Shtëpi për të pastrehët, ndërtuesit: Koston do e paguajnë qytetarët”

  1. Foto says:

    Mendoi se të gjithë ato çifte të rinjësh që kanë marë shtëpi me kredi duhet të favorizohen në këtë ligj duke mos paguar taksa dhe tatime mbi pagën. Në një menyre ose ne një formë tjetër shteti edhe këta ti favorizojë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje