"Pështjellim në Prizren"

10 Qershor 2018, 19:54Rajoni TEMA

Pa takt, pa dije, pa elegancë, pa vetëdije historike dhe pa sens ceremonial: kështu ishte sot shënimi i Lidhjes së Prizrenit – dhe krejt ndryshe nga viti 1978.

Më 1978, në 100-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, ceremoninë e kishte organizuar qeveria e atëhershme e Kosovës nën patronazhin e kryeministrit Pajazit Nushi.

Ai i takonte gjeneratës së parë të intelektualëve të Kosovës të arsimuar pas Luftës së Dytë Botërore, të arsimuar në Beograd, sepse Universiteti i Prishtinës do të themelohej shumë vite më vonë dhe pas presioneve të mëdha.

«Një burrë i kulturuar, i urtë, i mençur» – kështu e përshkruante Pajazit Nushin gazetari Viktor Meier, i cili më 1978 kishte ardhur në Kosovë për të parë nga afër zhvillimet politike dhe zgjimin kombëtar të radhës të shqiptarëve.

Ata që kanë marrë pjesë në shënimin e përvjetorit të Lidhjes së Prizrenit në vitin 1978 tregojnë për një ceremoni të denjë, me plot mesazhe të rëndësishme dhe pa patetikë bajate. Më vonë pikërisht për shkak të këtij organizimi Pajazit Nushi ishte përjashtuar nga partia.

Si kryetar i këshillit për organizimin e shënimit të përvjetorit të Lidhjes së Prizrenit ai nuk kishte censuruar folësit, nuk kishte pranuar që historia e Lidhjes së Prizrenit të kundrohet vetëm nga prizmi marksist-leninist dhe kishte lejuar interpretime më liberale (së paku për atë kohë).

40 vjet më vonë ceremonia e shënimit të Lidhjes së Prizrenit është vetëm një skenë e turpshme, një arenë e primitivizmit, e shkaktimit të hutimit, mungesës së stilit, elegancës, dijes, taktit, mungesës së mirësjelljes njerëzore dhe mbi të gjitha dështimit kolosal të pushtetit për të organizuar një kremtim të denjë!

Ndoshta sot kishte protokoll apo nuk kishte fare – kujt i intereson kjo? Njerëzit gjykojnë nga ajo që u pa në televizion. Aty u pa një pështjellim. Aty nuk iu dha fjala presidentit të Shqipërisë dhe ndoshta ai si figurë politike e diskredituar për shkak të aferave të korrupsionit as që e kishte vendin në Prizren.

Por, nëse protokolli e harron atë sheikun nga Skrapari, nuk e harron kryeministri i Kosovës. Në rolin e truprojës, shefit të protokollit, kryeministrit dhe inxhinierit të zërit Ramush Haradinaj kërkoi nga mysafirët të qëndrojnë ulur se tani do të fliste kryetari i ardhur nga Tirana.

Mandej fjalën e mori një grua, e cila me gjasë arriti të depërtojë pa leje. Thanë se ishte mbesa e një personaliteti të historisë. Kjo në fund të fundit nuk domethënë asgjë. Të jesh mbesë apo nip i dikujt nuk është kurrfarë merite personale.

Në shoqërinë shqiptare ka një rregull primitiv kulturor, sipas të cilit nderimin publik e ke të garantuar edhe nëse je hajvan i klasit të parë, vetëm me kusht që të kesh «prejardhjen e duhur». Mund të jesh mashtrues, dallaveraxhi, plaçkitës, por nëse thua se je nipi apo mbesa e këtij apo atij atdhetari, atëherë të hapen portat. Ose të ndizet mikrofoni dhe ti pastaj grahi.

Kur kjo gruaja që po thuhet se është mbesë e Mehmet Pashë Derallës filloi të flasë, kryetari i Kuvendit, i cili deri me tani ndaj grave ka përdorur disa herë gjuhë vulgare, u ngut t’ia ndizte mikrofonin. Pastaj u çua në këmbë si dragua Ramush Haradinaj dhe e largoi nga foltorja gruan që fliste poshtë e lartë.

Publiku kuptoi se në të njëjtin vend ishin planifikuar të mbaheshin një seancë dhe një akademi për Lidhjen e Prizrenit.

Dhe kështu qenka krijuar konfuzioni. Në të vërtetë çfarë ngjau sot është pasqyrim i konfuzionit politik në këtë vend. PDK për të mos e humbur pushtetin ka bërë koalicion me parti minore dhe klienteliste.

Në këtë koalicion secili përpiqet t’ia fusë tjetrit. Andaj Kadri Veseli e Ramush Haradinaj edhe në Prizren kapen pas mikrofonit. Sa fantastike ishte ajo «epoka» kur Hashim Thaçi i thoshte Edi Ramës po në atë vend në Prizren: «a nirthte»? Dhe ai djali nga Tirana s’e kuptonte dot. Atëherë kishte së paku humor, sot ka veç primitivizëm.

Nëse nga kjo strukturë politike, nga ky konstrukt qeveritar, nga këta politikanë aq injorantë qytetarët e Kosovës presin mbarësi, zhvillim ekonomik, heqje vizash, shtet funksional – atëherë mbetet t’u dëshirohet vetëm fat dhe shumë zbavitje.

Por, turpi institucional sot në Prizren tregon diçka tjetër. Sot ishte ditë zie në Kosovë pas vdekjes së Fadil Vokrrit, por sikur të mos ishte Prizreni në Kosovë atje luhej muzikë festive për nder të Lidhjes së vitit 1878.

Këta njerëz me pushtet që shkaktojnë këso skandalesh pritet të vendosin për të ardhmen e vendit në negociata me Serbinë? Bash këta? Këta nuk duhet marrë seriozisht. Por, qe besa as popullin që i duron.

6 komente në ““Pështjellim në Prizren””

  1. Albani says:

    O Enver…
    Te krijon bindjen qe urren cdo gje Shqipetare,prrderisa je gjithmone kritik dhe ofendues.
    Te krijon bindjen qe je admirues Serbomadh,nostalgjik Miloshevician.
    Megjithate e pranoj qe per shkrimin e sotem ke te drejte ???

    1. E vertete says:

      S’kam degju asnjehere,pervec kete person qyqare,me emrin Robell.Nuk di c’fare prejardhje ka ky anti kosovare dhe diskriminues i mediave shqiptare.Ne Kosove ky palace s’ka aspak autoritet,mjere ky per dijen qe ka.Vertete arpanxhiket e Prizrenit i qeverise nje i pa vlere i nje grupacioni politike, VV,qe merren me vandalizem,me njollosjen e flamujve,me mosnjohjen e shtetit,me vrasjen e anetareve te vet ne protesta,burgje etj.dhe pastaj fajin ua lene te tjereve.Keta dijne edhe te perkrahin ISIS-in dhe tani mendo se kush organizon dhe siguron jubileun e 140 vjetorit te Lidhjes Shqiptare te Prizrenit.Pra,ne kete rast i duhet Kryeministrit te intervenoi,sepse aty mund te dale te flase edhe mashtruesi dhe fallexhiu,Burdush ii arpanxhikve te Prizrenit.

  2. Fadili, Malesi e Madhe says:

    Vertet u shokuam te gjithe, o Enver ! Kryeministri ne rolin e rojeve te sigurise ?! Çfare tregon kjo? Force, mençuri ? Jo !Dobesi ,budallallek, primitivizem, injorance ? Po ! Nuk i meritojme keta drejtues qe kemi…

  3. Termal says:

    Shume e qarte, artikullshkruesin e shqeteson fakti i kremtimit te ngjarjes ,me sakte vete ngjarja, domethene Lidhja Shqiptare e Prizrenit.Se perse ndodh keshtu kjo eshte e qarte,e shjegon pelqimi i shprehur per kremtimin e pare ,ate te njeqindvjetorit ,domethene kur Kosova ishte nen Jugosllavi, pavaresisht se i hedh mbi vete nje vello te bukur intelektualizmi! Mbase duhet te behet perseri keshtu qe artikullshkruesi te gjeje prehje. Sido qe te festohet ,me sado te meta ajo vlen o Enver sepse festohet shqiptarisht,nuk harrohet,dhe kjo ka rendesi.Ne pervjetoret e tjere,te siguroj,do te jete krejt ndryshe,madje persosmerisht ndryshe, pavaresisht se ty mund te te beje te nxihesh nga marrazi,mbi apo nen DHE.

  4. dana says:

    Shkrim i shkelqyer.

  5. demo says:

    Rojet e sigurise dhe organizatoret e aktivitetit nuk duhej te lejonin ate baldose te paftuar te kapte mikrofonin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje