Damian Gjiknuri takon në SHBA sekretarin e Shtetit Mike Pompeo

27 Qershor 2018, 10:10Politika TEMA

Në kuadër të vizitës që po kryen në Washington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri vazhdoi takimet me zyrtarë të lartë të administratës së presidentit Trump. 

Gjatë pritjes së organizuar në Departamentin e Shtetit për delegacionet e nivelit të lartë pjesëmarrës në Konferencën Botërore të Gazit, ministri Gjiknuri takoi sekretarin e Shtetit Michael Pompeo dhe sekretarin për Energjinë Rick Perry.

Gjatë këtyre takimeve u bisedua për projektet strategjike që lidhen me sigurinë energjetike evropianë dhe rolin që ka Shqipëria në këto procese.

“Gjeta mbështetjen e zyrtarëve të lartë të administratës së presidentit Trump për atë çka po bën Shqipëria në lidhje me ecurinë e Korridorit Jugor të Gazit, si vendi që ka kontribuar më shumë në ecurinë e këtij projekti madhor për Evropën dhe sigurinë energjetike globale”, u shpreh ministri Gjiknuri.

Një tjetër takim, ministri Gjiknuri e realizoi me zëvendës nënsekretarin e shtetit për stabilizimin e konflikteve Peter Maroço.

“Pata mundësinë të takohem me një tjetër mik të Shqipërisë me të cilin diskutuam mbi sigurinë e Ballkanit Perëndimor dhe rolin që luan Shqipëria si faktor stabiliteti në rajon.

Një vëmendje e veçantë u tregua edhe për sigurinë energjetike dhe projektet e ndërlidhjes  energjetike si instrument i zhvillimit ekonomik. U vlerësua roli i qeverisë shqiptare për politikat e ndërmarra në rajon dhe si një faktor i rëndësishëm i stabilitetit”, theksoi ministri Gjiknuri.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje