SHBA e “ndan mendjen” për qëndrimin mbi aneksimin e Krimesë nga Rusia

3 Korrik 2018, 13:17Bota TEMA

Shtëpia e Bardhë reagoi nëpërmjet sekretares së saj të shtypit lidhur me zërat sipas të cilëve presidenti Trump mund të njohë së shpejti Krimenë si pjesë e Rusisë. Sarah Huckabee Sanders doli para mediave për të sqaruar deklaratat kontradiktore që erdhën ditët e fundit, vetëm dy javë para takimit të pritshëm Trump-Putin në Helsinki.

“Ne nuk e njohim përpjekjen e Rusisë për të aneksuar Krimenë. Ne nuk jemi dakord me Rusinë në lidhje me këtë temë. Sanksionet tona ndaj Rusisë lidhur me Krimenë do të mbeten në fuqi derisa Rusia t’ia kthejë gadishullin e vet Ukrainës”, tha Sanders në emër të Shtëpisë së Bardhë.

Komentet e saj kishin për qëllim sqarimin e pozicionit të SHBA-vë në lidhje me çështjen e Krimesë, pasi ditët e fundit në media është përfolur mundësia e njohjes nga Trump të aneksimit të saj nga Rusia.

Në fakt, Trump la vend për keqkuptime për shkak se asnjëherë nuk e ka kritikuar Rusinë për aneksimin e Krimesë. I pyetur nga gazetarët javën e shkuar nëse do ta merrte në konsideratë pranimin e Krimesë si pjesë e Rusisë, ai tha: “Do ta shohim”.

Edhe këshilltari për Sigurinë, John Bolton, la vend për një hamendësim të tillë gjatë një interviste në CBS. “Do të shohim çfarë ndodh kur ata të dy të takohen”, tha ai, ndërsa shtoi se Trump ka në plan të diskutojë me Putin “për një sërë çështjesh”.

Muajin e kaluar, Trump kërkoi që Rusia të rikthehej në G7, grupin e ekonomive më të mëdha të botës, nga i cili u përjashtua në vitin 2014 pikërisht për shkak të aneksimit të Krimesë. (TemA TV)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje