Javën e ardhshme, Donald Trump do të bëhet presidenti i 12-të amerikan që takohet me mbretëreshën Elisabetë përgjatë 66 viteve të saj në fron.
Përveç Lyndon Johnson, mbretëresha e Britanisë ka takuar çdo president amerikan që nga Harry S. Truman, por asnjë takim tjetër i këtij niveli nuk ka krijuar zhurmë si ajo që pritet gjatë vizitës së Trump-it në Londër.
Presidenti amerikan mbërrin në kryeqytetin britanik me ftesë të kryeministres Theresa May.
Vetëm dy presidentë amerikanë, Barak Obama dhe Xhorxh W. Bush, janë ftuar më parë për vizita të plota shtetërore në Britani. Shumë deputetë britanikë janë shprehur kundër vizitës së Trump-it në Londër.
Shkak është bërë urdhri ekzekutiv i lëshuar vitin e kaluar nga Trump, me anë të të cilit ndalonte udhëtimet drejt SHBA-ve nga një sërë vendesh me shumicë myslimane.
Po ashtu, edhe rishpërndarja në Tuiter nga Trump e një mesazhi të liderit të së djathtës ekstreme në Britani nuk është pritur mirë.
Edhe ndarja e fëmijëve nga prindërit emigrantë në kufirin SHBA-Meksikë është bërë shkak që kryeministres May t’i kërkohet anulimi i ftesës për Trump.
Pas ftesës së bërë publike vitin e kaluar, në Britani nisi një fushatë për mbledhjen e firmave që e kundërshtonin vizitën e tij.
1.86 milionë njerëz e firmosën peticionin, sipas të cilit Trump-it nuk i duhej dhënë e drejta për një vizitë që do të vinte në siklet mbretëreshën.
Edhe kryebashkiaku i Londrës, Sadiq Khan, është përfshirë kohë më parë në një debat në mediat sociale me presidentin Trump.
Khan ka thënë se Trump-it nuk i duhet dhënë mundësia e një vizite në Londër, pasi axhenda e tij përçarëse do të ngjallte protesta masive.
Në fakt, protesta të tilla janë planifikuar për javën e ardhshme.
Mes të tjerash, ftesa për vizitë shtetërore parashikon një udhëtim me një mjet të hapur nëpër qendrën e Londrës dhe një drekë në Buckigham Palace.
Pritet që vizita e Trump të mos jetë aq e plotë sa i është ofruar në fillim, megjithatë ai do të takohet me mbretëreshën, por edhe me shumë ligjvënës britanikë që e kanë kundërshutuar hapur vizitën e tij.
Duke qenë një figurë jopolitike, mbretëresha Elisabetë është e rezervuar në lidhje me ftesat që bën qeveria apo ata që ajo takon dhe pret në rezidencën mbretërore.
Ata që e mbështesin vizitën e Trump-it thonë se Britania duhet të ruajë marrëdhënien e veçantë që ka me SHBA-të dhe që shkon përtej individit që drejton këtë të fundit.
Ata argumentojnë se pallati mbretëror ka pritur edhe herë të tjera liderë të akuzuar si shkelës të të drejtave të njeriut si presidenti i Kinës apo ai i Zimbabvesë.
Sipas tyre, këto “karaktere të paqëndrueshme” që shpesh kanë dalë edhe kundër kurorës mbretërore britanike, janë pritur në ceremoni të tilla sepse kjo është në interes të vendit.
Përgatiti: Gazmira Sokoli