Telashe për Donald Trump, ish-avokati i tij bën të “penduarin”: Jam gati të rrëfehem për çdo gjë që di

22 Gusht 2018, 18:49Bota TEMA

Ish-avokati i presidentit të SHBA-ve, Michael Cohen, ka thënë se do të jetë shumë i lumtur nëse do t’i jepet mundësia që të flasë edhe më shumë rreth përfshirjes së Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016.

Cohen i cili ishte avokati personal i Trumpit ka thënë se është i gatshëm që të tregojë gjithçka që di rreth Donald Trumpit, i cili u zgjodh president në zgjedhjet e shumë diskutuara presidenciale të vitit 2016.

Cohen është paraqitur në gjykatën e Manhatan dhe ka pranuar 8 akuzat e ngritura kundër tij për mashtrimin e taksave dhe bankave, si dhe financimin e disa personave me qëllim ndikimin e zgjedhjeve.

Cohen është i gatshëm të “tregojë gjithçka për Donald Trump që ai e di”, tha avokati i tij personal.

Por pas këtyre deklarimeve të Cohen, Trump ka reaguar duke mohuar çfarëdo përfshirje të Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane.

Ndërkohë në “Twitter” ka lëshuar një reagim përmes të cilit ka sulmuar ish-avokatin e tij.

“Nëse dikush është duke kërkuar një avokat të mirë, do t’iu sugjeroja fuqishëm që të mos merrni shërbimet e Michael Cohen” ka shkruar Trump.

Trump shtoi se Cohen kishte bërë histori për të marrë një marrëveshje.

Presidenti mohon se ka pasur ndonjë bashkëpunim me Rusinë për ta zgjedhur atë.

Ndërkohë avokati i Michael Cohen, Lanny Davis, ka thënë se klienti i tij ka informacione se Donald Trump, ka qenë në dijeni të ndërhyrjes së hakëreve rus në kompjuterin e Hillary Klinton gjë që e dëmtoi kundërshtarin e tij.

Siç shkruan BBC, Cohen është gjithashtu në dijeni të një takimi të Donald Trump me një delegacion rus në qershorin e vitit 2016 në New York, në prag të kampanjës zgjedhore.

Cohen gjithashtu ka njohuri, tha Davis, për një takim në Trump Tower në Nju Jork në qershor të vitit 2016 midis ndihmësve të fushatës së Trump dhe një delegacioni rus, i cili premtoi “papastërtitë” politike.

Shpallja fajtor i Cohen erdhi në të njëjtën ditë kur një jurie dënoi ish-kryetarin e fushatës së Trump, Paul Manafort për mashtrim të taksave dhe bankave.

Në një tubim të martën, Trump hodhi posht sulmet se fushata e tij kishte bashkërenduar me Rusinë, duke i thënë audiencës së tij në Virxhinia: “Ku është marrëveshja e fshehtë, ata janë ende në kërkim të marrëveshjes, ku është fshehtësia?”(TemA TV)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje