Kundër së djathtës e më pas kundër së majtës. Në Chemnitz demonstruan ksenofobë dhe kundërshtarë të tyre. Këta të fundit nën parullën „Chemnitz nuk është i murmë”. Manifestimi kaloi paqësisht.
Gjithsej u mblodhën mbi 8000 vetë nëpër rrugët e qytetit, sipas autoriteteve. Rreth 4500 vetë morën pjesë në manifestimin e AfD-së dhe të aleancës ksenofobe „Pegida”, ndër ta ishte edhe kryetari i AfD-së në Tyringi, Björn Höcke. Ky manifestim ishte më i madh, sepse atij iu bashkuan edhe pjesëmarrës të një veprimtarie tjetër të lëvizjes populiste të djathtë „Pro Chemnitz”.
Shumë pjesëmarrës thërrisnin: “Wir sind das Volk.” (ne jemi populli). Njëkohësisht – sipas të dhënave zyrtare – rreth 3500 vetë ishin mbledhur në sheshin e Kishës së Shën Johanit, për të protestuar në paqe kundër ksenofobisë. Në këtë manifestim të aleancës „Chemnitz-i pa nazistë” ishin edhe sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialdemokrate gjermane Lars Klingbeil, kryetarja e partisë ekologjiste Aleanca90/Të Gjelbrit Annalena Baerbock dhe kryetari i grupit parlamentar të partisë E Majta në Bundestag, Dietmar Bartsch.
Rreth 70 shoqata, organzata dhe parti kishin bërë thirrje për këtë manifestim nën moton “Zemër në vend të nxitjes së urrejtjes”.
Demonstratat kaluan paqësisht, përpos disa konfrontimeve sporadike mes dy grupimeve, njoftoi policia e Saksonisë. “Ne e kemi pasur situatën tërësisht nën kontroll”, tha një zëdhënës i policisë.
Turi i manifestuesve kaloi përmes qytetit jo larg vendit, ku një javë më parë u vra e thikë një gjerman 35 vjeҁar. „Këtu është rezistenca racionale”, shkruhej në një parullë të një pjesëmarrësi, që i referohej formulimit „rezistenca nacionale” një koncept përgjithësues i ekstremit të djathtë në Gjermani.
“Lart solidaritetit ndërkombëtar” thërrisnin kundërshtarët e populistëve të djathtë. Qytetarët e Chemnitzit, sipërmarrës dhe studiues kishin vendosur një thirrje në monumentin e Karl Marksit: “Chemnitzi nuk është as gri dhe as i murmë.” Ndërsa në faqen e internetit të nismës #ëirsindmehr (ne jemi më shumë) thuhet: “Ne nuk mund të pranojmë urrejtjen, intolerancën dhe indifernetizmin.” Ky është terreni që ushqen armiqëisinë ndaj demokacisë.
Rritje e pranisë së policisë
Pasi policia fillimisht ishte e tërhequr në zonën e qytetit me patrullime, pasdite prania e saj u bë më e dukshme. Në punësit siguruan zonën e manifestimit nën moton „Chemnitzi pas nazistë”. Më pas forcat e rendit me trupa të përforcuara u mobilizuan për të parandaluar trazirat eventuale. Një parakalim i të djathtëve u ndërpre para kohe. Shumë nëpunës kishin ardhur për përforcim nga lande të tjera. Pas sulmit vdekjeprurës me thikë të dielën e kaluar një irakian dhe një sirian të pandehur ndodhen në arrest hetimor. Ky akt u bë shkas për demonstratat, prej nga pati edhe sulme ksenofobie.(DW)