Regjistrimi i adresave, Veliaj shpall amnisti të përkohshme për gjobat dhe deklaron tre lagjet e reja të Tiranës

14 Shtator 2018, 19:23Sociale TEMA

Banorët e lagjeve periferike të Tiranës urbane, kryesisht në zonën e Freskut, Unazës së Madhe në Kashar dhe në zonën e Selitës në Farkë, nuk do të humbasin më kohë apo të udhëtojnë gjatë për të marrë një shërbim në zyrat e njësive administrative. Kjo pasi nga ky shtator, kryeqytetit i janë shtuar tre lagje të reja si pjesë e zonës urbane, të cilat do të emërtohen “Lagjja 12”, “Lagjja 13” dhe “Lagjja 14”.

Në një takim me administratorët e njësive bashkiake të kryeqytetit dhe me drejtorët e ndërmarrjeve nën varësi të Bashkisë së Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj sqaroi se në këto zona do të ketë jo vetëm shërbime më të mira por edhe investime më shumë. “Ne duam të investojmë tek Fresku, duam të investojmë tek pjesa e liqenit të Thatë, tek Astiri por duhet të dimë sa njerëz ka dhe proporcionalisht sipas banorëve të shkojë realisht edhe buxheti I Bashkisë dhe investimet për nevojat që kemi”, deklaroi ai.

Kryebashkiaku Veliaj bëri të ditur se së shpejti do të bëhet edhe një amendim në ligj për të krijuar një amnisti të re të përkohshme për pezullimin e masës së gjobës për mosdeklarim të vendbanimit. Në këtë mënyrë, qytetarët do të kenë mundësi që të regjistrohen aty ku kanë edhe adresën e tyre të saktë të banimit.

“Jemi duke punuar për një amendim i cili ka kaluar në Këshillin e Ministrave dhe do të shkojë në parlament i cili do të krijojë  një amnisti, pra për ta bërë transferimin pa gjobë të qytetarëve nga vendi ku kanë letrat tek vendi ku realisht banojnë. Së pari dimë kush voton në Tiranë, kush voton në Librazhd, në Malësi të Madhe, kush voton në Sarandë, pra di secili edhe për listat e votuesve kush është kush por mbi të gjitha se votimet janë një herë në katër vjet por jeta në komunitet është përditë. Mbi të gjitha ne dimë dhe kemi një inventarizim të banorëve realë”, tha Veliaj.

Ndërkohë, ndryshe nga herët e tjera, kur votohej nëpër lokale apo vende aspak të përshtatshme, zgjedhjet e ardhshme vendore në Tiranë do të jenë model. Kryebashkiaku kërkoi prej administratorëve dhe të gjitha institucioneve të tjera vendore që të merren masat e duhura për të përgatitur infrastrukturën e duhur zgjedhore, në mënyrë që zgjedhësit të votojnë të lirë dhe në kushte sa më të mira, për të evituar shfaqjet aspak dinjitoze të zgjedhjeve të mëparshme.

“Detyrë e Bashkisë së Tiranës është edhe përgatitja e zgjedhjeve vendore dhe nuk dua të ndodhë ajo që ndodhte me bashkinë e kaluar, ku njerëz votonin nëpër lokale e mejhane. Kemi afërsisht një vit kohë, duhen piketuar zonat që tani, ambientet; shfrytëzoni edhe shkollat e reja, që dita e votimit të jetë model. Harrojeni që unë jam një ndër kandidatët. Ne duhet ta bëjmë sa më të lehtë votimin, që secili të ketë akses në një qendër të afërt dhe dinjitoze, jo tek pijaneci i lagjes”, vijoi Veliaj.

2 komente në “Regjistrimi i adresave, Veliaj shpall amnisti të përkohshme për gjobat dhe deklaron tre lagjet e reja të Tiranës”

  1. shvejku says:

    Kush hyjne ne keto lagje te reja qe ne nuk dime gje?
    Pse nuk deklarohen as ne kete njoftim?

  2. everest says:

    Kush jane zonat qe perfshijne keto lagje te reja?
    A kishte ndonje veshtiresi qe nuk jepet njoftimi ne shtyp?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje