VIDEO: Perlë e Dimarco, Parma mposht Interin në "San Siro"

15 Shtator 2018, 17:15Sport TEMA

Federico Dimarco realizoi një perlë e cila i kushtoi 3 pikë Interit dhe shumë dhimbje koke.

Ish lojtari zikaltër (u huazua në verë) mposhti nga 30 metra portierin Samir Handanovic dhe festoi si i çmendur golin e tij të parë në Serie A, në takimin e 15-të të tij në elitë.

Fati i takimit u vendos në minutë e 79’ në stadiumin “San Siro”. Zikaltrit megjithë dëshirën e mirë për të shënuar, e patën të pamundur që të çanin mbrojtjen e emilianëve, që në këtë takim u treguan perfektë.

Në 4 takime Interi ka 4 pikë, shumë pak për një skuadër që në nisje të sezonit konsiderohej si rivalja më e madhe e Juventusit.

Po kaq pikë ka edhe Parma, që pak e prisnin se do të fitonte ndaj zikaltërve, pas asaj mungese të gjatë në kategorinë e më të mirave.

Kjo është fitorja e parë e verdhebluve në Serie A në këtë sezon.

Kjo humbje nuk ishte mënyra më e mirë për t’u përgatitur për rikthimin në Ligën e Kampioneve për zikaltrit.

Ata do të përballen me Tottenham-in në shtëpi, që gjithashtu sot u mund nga Liverpool në shtëpi.

Ekipi i Spalletti-t pati shanset e tij në këtë përballje, por mungoi konkretizimi.

Vendasit kërkuan një penallti, pasi pretenduan një prekje të topit me dorë nga vetë protagonisti i këtij takimi, ndërkohë që Icardi edhe pse hyri në fushë nuk mundi të bënte dot asgjë.

Tani drejtuesit shpresojnë që kjo humbje të mos nisë krizën brenda ekipit.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje