Shembja në rrugën Tiranë-Elbasan do të kushtojë gati 3 milionë euro

18 Shtator 2018, 16:59Ekonomia TEMA

Rrëshqitja e dherave në një segment prej 150 metrash në pikën pranë tunelit në autostradën Tiranë-Elbasan pritet të kushtojë afro 20 mijë euro për metër linear, sipas rezultatit të tenderit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, ku oferta fituese ishte sa 99.3% e fondit limit.

Një rrëshqitje gurësh dhe dherash në rrugën Tiranë-Elbasan dhjetorin e kaluar pritet t’i kushtojë taksapaguesve rreth 3 milionë euro për shkak se Autoriteti Rrugor Shqiptar ka gjykuar se për të stabilizuar rrëshqitjen nevojitet ndërtimi i një gjysmëtuneli.

Tenderi për sipërmarrjen e punimeve u zhvillua së fundmi dhe rezultati i tenderit u shpall të martën. Sipas dokumentit të njoftimit të fituesit, të publikuar nga Agjencia e Prokurimit Publik, pati vetëm dy oferta konkurruese për këtë garë, nga e cila, njëra, oferta më e ulët, u skualifikua për mangësi në dokumentacion ndërsa oferta e kompanisë 2 T prej 371.2 milionë lekësh u shpall fituese.

Oferta fituese është sa 99.3% e fondit limit prej 374 milionë lekësh ndërsa oferta e skualifikuar ishte 341.2 milionë lekë. Sipas dokumentit të shpalljes fitues, konsorciumit të kompanive të ofertës së skualifikuar nuk dispononte disa licenca ndërsa njëra prej tyre rezultoi se nuk kishte paguar faturën e energjisë elektrike të muajit korrik.

Punimet pritet të zgjasin katër muaj, sipas dokumenteve të tenderit. Kur të përfundojë, ky segment rrugor pritet të shënojë një rekord tjetër në kosto, pasi segmenti i shembur sipas dokumenteve të tenderit është rreth 150 metra i gjatë dhe stabilizimi i çdo metri linear rrugë do të kushtojë afërsisht 20 mijë euro.

Rezultatet e tenderëve fare pranë fondit limit janë pothuajse të zakonshëm në rastet e tenderëve të thirrur nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

Pak javë më parë, një tender tjetër me objekt “Përmirësimi rifreskimi sinjalistikës Vertikale/Horizontale në akset Kombëtare dhe përmirësim të sigurisë rrugore në Akset e Rajonit Jugor” u fitua nga kompania I.D.K – KONSTRUKSION për 248.6 milionë lekë nga afro 250 milionë që ishte fondi limit ose 99.4% e fondit limit. Në këtë rast në tender pati dy oferta, ku oferta humbëse ishte sa 99.5% e fondit limit dhe vetëm 0.05% mbi ofertën fituese.(BIRN)

3 komente në “Shembja në rrugën Tiranë-Elbasan do të kushtojë gati 3 milionë euro”

  1. ben says:

    Cdo njeri normal ben 1 llogari te thjeshte!!!!!!!
    150 metra kushton 3 milione euro
    Po 1000 metra ose 1 km = 20 milione euro.
    Ketu kam 2 pyetje
    1 ) me gjeni 1 vend te botes qe riparimin e autostrades vetem njerin shpat te rruges e ben me 20 milione euro per km ????????
    2) rilindja akuzonte berishen se vodhi te rruga e kombit qe rruga me germinin e 2 shpateve te maleve bashke me rrugen dhe urat I kushtoi shqiptareve 7 milione euro per km. Tani keta qe vetem 1 pjese te rruges e bejne me 20 milione euro km me sa milione do e benin 1 km rruge te plote????????
    PS: PERGJIGJA E PYETJES SE DYTE PRANON PERGJIGJE PER TE GJITHE ATA FEMIJE QE JANE MIDIS KLASES SE DYTE DHE TE KATERT FILLORE.

  2. Santa Quaranta says:

    Jo per nostalgji por para 1990 kur ndertohej ndonje trekatesh vinte 6 muaj para kamioni me sonden dhe hapte vrima ne toke per te studiuar perberjen strukturore.. Ketu hapen tunele dhe behen rruge dhe nuk studion njeri masivet shkembore dhe perberjen kimike te tyre…sepse rritet kostoja… S`e mu kujtua: Shembja e tunelit ne RRugen e Kombit u shkaktua sepse nuk ishte bere analiza e masivit ku po germohej dhe tekniket ngulen ne brendesi te tunelit “gozhda” 3 metershe kur duheshin 5 metershe sepse shkembi shkermoqej…..

  3. Perkthyesi says:

    Ne asnje vend yte botes, nuk mund te kryhen investime te kesaj natyre, pa asistencen e gjeologjise inxhinierike! Por, sigurisht qe ketu faji eshte plotesisht i qeverise, e cila e lejon sipermarresin te vazhdoje, nderkohe qe ne duhet te zbrazim serish xhepat qe te mbushim ato te ketyre delenxhinje dhe edepsezeve! Shqiperi hesapi!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje