Administrata e Presidentit Donald Trump njoftoi se po përgatitet të propozojë një rregull të ri, i cili ua vështirëson pajisjen me “Green Card” të emigranteve që ndodhen ligjërisht në SHBA dhe pajisjen me viza të atyre që ndonjëherë kanë qenë të varur nga disa përfitime publike, si: Medicaid, kuponat ushqimorë apo strehimi publike, raporton Top Channel.
Propozimi, i cili mund të bëhet rregull pas një të ashtuquajture “periudhë shqyrtimi publik”, rishkruan një normë të vitit 1999, e cila vendoste kufizime për emigrantët e varur nga përfitime në para, por nuk merrte parasysh kujdesin shëndetësor ose benefitet tjera jo monetare.
Nëpërmjet këtij propozimi, punonjësve te emigracionit i shtohen kompetencat për t’i mohuar vizën apo rezidencën e përhershme ligjore individëve që kanë pasur përfitime nga Medicaid e Supplemental Nutrition Assistance Program. Ideja është të përjashtohet nga mundësia e rezidencës se përhershme personi që mund të kthehet në një “barrë publike”.
Sipas NBC News, variantet e mëhershme të propozimit përfshinin masa shumë më të rrepta që parashikonin kufizimin e dhënies së kartës jeshile dhe nënshtetësisë për emigrantët të cilët kishin përdorur Obamacare ose lehtësira të caktuara tatimore.
Nisma është pjesë e përpjekjeve të presidentit Donald Trump për të frenuar si emigracionin e paligjshëm ashtu dhe atë të ligjëruar, çështje kjo të cilën e theksoi fort gjatë fushatës presidenciale e po kërkon ta kthejë në temë të rëndësishme edhe në zgjedhjet e mesit të mandatit në kongres.