Kur quhesh i moshuar? Stili i ri i jetesës ndryshon kufijtë e pleqërisë

28 Shtator 2018, 11:56Lifestyle TEMA

Ndryshojnë “kufijtë” e pleqërisë. Gerontologët japonezë kanë ripërcaktuar termin “i moshuar”, për moshat 65-75 vjeç.

Sipas tyre, je i moshuar vetëm pasi ta kalosh moshën 75-vjeçare dhe deri sa të arrish në 89 vjeç.

Mosha 90 vjeç e sipër hyjnë në kategorinë e super të moshuarve.

Viti 2017 ka shënuar një kthesë në përcaktimin e asaj që shumë prej nesh e dinim: para moshës 75 vjeç, meshkujt dhe femrat janë të pavarur, plot interesa dhe pasione.

Kjo përcaktohet qartë në raportin e Japan Geriatrics Society.

“70-vjeçarët janë më të shëndetshëm, ushqehen mirë dhe janë energjikë”, thuhet në raport.

Sigurisht, një përfundim i tillë është i kuptueshëm për një vend si Japonia, me standarde të larta jetese dhe popullsinë më jetëgjatë.

Megjithatë, shumë vende të Europës Perëndimore e gjejnë veten në këtë realitet të ri. Mosha mesatare është rritur dhe jetohet më mirë.

Më mirë se kudo, këtë mund ta shohësh në Hollivud. Dashuritë në moshë të avancuar nuk janë më tabu, madje edhe filmat me skena intime ku përfshihet kjo moshë janë shtuar.

Sipas mjekëve, ata që i kanë kaluar të 65-at dhe janë të dashuruar, jetojnë më gjatë se ata që janë beqarë, të divorcuar apo kanë humbur partnerët.

“Patologji të ndryshme rëndojnë më pak te të moshuarit. Dashuria rekomandohet njësoj si aktiviteti fizik dhe ushqyerja e shëndetshme.

Marrëdhëniet familjare konsiderohen ilaçe natyrale. 60-vjeçarët dhe shtatëdhjetëvjeçarët e sotëm, burra dhe gra, nuk janë më ata të dikurshmit.

Krahas përdorimit më të zakonshëm të ilaçeve të ngjashme me viagrën, ka një shtyrje të kufirit të ndjeshmërisë dhe intimitetit, për të dyja gjinitë”, thotë Robero Benrabei i Universitetit Katolik të Romës.

Të njëjtën gjë konfirmon edhe Ruth Ray-Karpen e Universitetit Shtetëror Wayne në Detroit, e cila në “The Gerontolog” shkruan: “Fëmijët e bumit të viteve 1946 dhe 1964, janë tani bumi i të moshuarve.

Gratë (tani më shumë se 20%) që presin të dalin në pension, janë më aktive dhe kanë më shumë interes për jetën se dekada më parë.

Shumë prej tyre i mbyllin marrëdhëniet e lodhura dhe ia nisin nga e para, madje edhe martohen sërish.

Më shumë se një rënie të energjive, ato dëshmojmë dëshirën për ta jetuar jetën”.(TemA TV)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje