Nëse Adriatik Llalla ka fuqi të “ringjallë” Gjykatën e Lartë!

1 Tetor 2018, 09:05Blog TEMA

Nga Alfred Peza

Beteja politike e radhës e ka fokusuar gjithë vëmendjen e opinionit publik dhe atij mediatik, për një kauzë që ka sjellë një përplasje të re të opozitës me mazhorancën. E ndërkohë që “vetëtimat” dhe “bubullimat” po shkarkohen me tërsëllima në njërën anë të “qytetit”, ashtu si në realitetin e botës së krimit të organizuar, mafia me siguri është duke kalkuluar me gjakftohtësi, ekzekutimin e një krimi akoma edhe më të madh, në anën e kundërt të saj.

Vetëm kështu ndoshta mund të shpjegohet ajo që duket se po ndodh këto ditë në Tiranë, kur ish Kryeprokurori i Republikës Adriatik Llalla, ka hedhur një hap “tinzar” jashtë vëmendjes publike, për ti shpëtuar ndëshkimit ligjor për “korrupsionin në nivelet galopante ku është përfshirë gjatë kryerjes së detyrës”. E për të cilën ndaj tij, janë ngritur zyrtarisht akuzat nga më të rëndat, përfshirë edhe atë të pastrimit të parave të pista me prejardhje të natyrës kriminale.

Ish Ambasadori i SHBA Donald Lu në daljen e fundit televizive në Tiranë, tha dy javë më parë se i është kërkuar drejtësisë shqiptare që të kufizojë lëvizjet e Adriatik Llallës, nëpërmjet bllokimit të pasaportës “diplomatike”, në mënyrë që të mos i iki procesit penal duke iu larguar ndëshkimit të drejtësisë. Ish Kryeprokurorit i është ndaluar familjarisht hyrja në SHBA dhe është cilësuar prej saj, si një ndër njerëzit kryesorë që ka penguar reformën e drejtësisë në Shqipëri. E atëherë kur priten hapa të tjerë ligjorë në drejtim të tij, Adriatik Llalla duket se ka bërë një manovër për të dalë nga “çarku” i ndëshkimit, ku po endet i pashpresë prej muajsh.

Sipas një raporti mediatik, Gjykata e Lartë ka pranuar rekursin për pronat e sekuestruara të Adriatik Llallës në vlera marramendase të vendosura gjatë kohës që ushtronte funksionet publike, në një mbledhje në dhomën e këshillimit, pas kërkesës së depozituar pak kohë më parë nga avokati i tij mbrojtës. Ai e bazon kërkesën e tij në nenin 6 të Konventës Europiane (me siguri mund të jetë konsultuar për këtë me ish vartësen e tij të preferuar Rovena Gashi) duke u ankuar se ndaj tij, është zhvilluar një proces i parregullt ligjor në Apelin e Krimeve të Rënda.

Në seancën gjyqësore të 9 gushtit, megjithëse ishin të njoftuar nominalisht dhe publikisht, as avokati dhe as vetë Llalla nuk u paraqitën në sallë. Sipas kodit të procedurës, gjyqtari i çështjes në mungesë të palës së paditur, ka kërkuar asistencën e një avokati tjetër për të dhënë vendimin. Pikërisht këtë moment të krijuar me sa duket artificialisht me koshiencë, ish Prokurori i Përgjithshëm po mundohet që ta shfrytëzojë procedurialisht, për të çliruar listën e pafund të pronave të patundshme që i janë bllokuar deri në përfundim të hetimeve e gjykimit të çështjes ndaj tij.

Ka kohë që sirenat e politikës opozitare dhe mediave pranë tyre, këndojnë për pasojat e vettingut në sistemin e drejtësisë shqiptare, këngën e fundit të mjelmave. Pas Gjykatës Kushtetuese që është paralizuar në mungesë të një numri të pamjaftueshëm anëtarësh për realizimin e funksioneve të saj normale, alarmi u dha edhe për Gjykatën e Lartë. Duke paralajmëruar pas kësaj se nëpërmjet efektit domino, do të përjetojmë sëshpejti, rrëzimin e të gjitha shkallëve dhe niveleve të gjyqësorit shqiptar. Paralel me këtë, po i bihet këmbanave të alarmit publik edhe për organin e prokurorisë, e për rrjedhojë për kolapsin e pashmangshëm të të gjithë sistemit të drejtësisë shqiptare.

Por i gjithë ky alarm që mund të jetë i vërtetë për qytetarët e thjeshtë, kur vjen fjala për Adriatik Llallën, me sa duket rezulton të jetë fals. Gjykata e Lartë përbëhet nga tri kolegje: Administrativ, Civil dhe Kolegji Penal, me nga 3 anëtarë secili. Rezultatet e deritanishme të vettingut kanë bërë që këto kolegje të shkrihen. Nga Kolegji Penal vetëm Edmond Islamaj u konfirmua në detyrë. Të njëjtin fat ka pësuar edhe Kolegji Civil ku u rrëzuan dy anëtarë të tjerë, ndërkohë që në Kolegjin Administrativ është rrëzua deri tani vetëm njëri nga anëtarët. Siç shihet kolegjet e Gjykatës së Lartë nuk marrin dot vendime, duke bërë pas Kushtetueses, që edhe ajo të paralizohet, duke mos mundur që ti ushtrojë dot funksionet e saj normale.

Pas pranimit të rekursit, nuk dihet se nga kush e si do të shqyrtohet tashmë nga Gjykata e Lartë, ankesa e Adriatik Llallës. Por një gjë mund të thuhet me saktësi maksimale: Nëse ish Kryeprokurori i Republikës ia del që të ringjallë Gjykatën e Lartë, e bashkë me të edhe pronat dhe figurën e tij, atëherë kjo do të ishte dita më e zezë në rrugën e mundimshme për ringritjen e drejtësisë së re shqiptare.

4 komente në “Nëse Adriatik Llalla ka fuqi të “ringjallë” Gjykatën e Lartë!”

  1. fcb says:

    Dhe e gjitha kjo nga Alfred Peza , i perjashtuar nga Parlamenti per korrupsion.

  2. Komentuesi says:

    Po,zoti Peza,ke te drejte.Nqs LLlalla fiton ato qe mendohet se i ka humbur,atehere do te jete vertete dita me e zeze.Kjo ndodhe, se sote, drejtesine e ka kapur kaosi,dhe akoma Sali Berisha noton ne ujra te turbullta,per ti sjelle ketij vendi dhe ketij populli krime makabre.Saliu me mercenaret e tij,po bejne ç’mos per te penguar reformen ne drejtesi,per te shpetuar bythen e tij dhe te familjes.Ku jane SHBA-kes? Po evropa pse ka heshtur dhe nuk po ndihmon drejtesine ne shqiperi? Kuptohet qarte,se mafia politike ne shqiperi,me ne krye kryekriminelet Berisha dhe Basha,te cilet jane te zhytur ne krime te medha,po bejne perpjekjet ti shpetuar drejtesise.Ata po pengojne hapur berjen e reformes ne drejtesi.Ju lumt,jane me te zote se Amerika dhe Evropa.

  3. miliarderri says:

    o alfred si i bere 1milion euro????????????

  4. Drejtesia e kulluar says:

    mbylljani mo gojen ketij Alfred Peqinit te korruptuar. Perfitoi nga politika ti jepnin pafajesi per parate e pajustikuara dhe ka filluar te besoj se eshte i pafajshem nga qe tek ne drejtesia jepet me bythe se po te ishte e vertete Fred Peqini mund te fitonte pafajesi por duhej ti hidheshin prangat Ylli Ndroqit, ketij tipit te Vizion plusit Dylakut e trashegimtareve te Top Channel, pronare keta te vendeve ku ka punuar Fred Peqinsi, qe nuk i kane paguar sigurimet shoqerore sipas pagave super te larta qe Pezaku pretendon se ka marre nder vite.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje