Barcelona nuk mori dot më shumë se një barazim 1-1 në fushën e Valencias duke i dorëzuar kështu kreun e renditjes Sevillas, e cila më parë gjatë ditës mundi 2-1 Celta Vigon.
Pas fitores së Atleticos dhe humbjes së Real Madridit, katalanasit kërkonin t’i jepnin fund serisë negative me tre ndeshje në kampionat pa fitore. Por edhe Valencias i duheshin pikët e plota, pasi nuk e ka nisur aspak mirë sezonin.
Vendasit e nisën mjaft mirë ndeshjen duke kaluar në avantazh që në minutën e dytë, kur Ezequiel Garay mbërriti në kohë në takimin me golin duke shtyrë topin në rrjetën e Ter Stegen nga fare pranë.
Katër minuta më pas Michy Batshuayi mund të kishte shënuar të dytin për Valencian pasi kaloi një kundërshtar dhe lëshoi një goditje të fortë në hyrje të zonës, duke detyruar portierin gjerman të bënte një pritje të shkëlqyer për të shmangur golin.
Suarez dhe Messi krijuan dy raste të mira për të shënuar në minutat e mëpasshme, por barazimi do të vinte në të 39 kur dy yjet e sulmit kombinuan bukur me njëri tjetrin dhe argjentinasi nga 20 metra gjuajti në mënyrë të përkryer për të mos i lënë asnjë mundësi portierit kundërshtar.
Në pjesën e dytë Barcelona e rriti disi presionin në kërkim të golit të fitores por nuk ishte një ndeshje e mirë sidomos për Sergi Busquets, por edhe për gjithë mesfushën. Spanjolli numëron 8 pasime të gabuara nga 34 në total për skuadrën e tij, gjithsesi një shifër e madhe. Messi ishte si gjithmonë më i rrezikshmi për katalanasit, por në dy raste të mira argjentinasi nuk arriti të gjente rrugën e golit.
Ndeshjen e ardhshme, më 20 tetor, Barcelona pret pikërisht Sevillan në sfidën për vendin e parë, Reali pret Levanten ndërsa Atletico udhëton në fushën e Villarreal.